Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

“Rama 3”, qeverisë së re pritet t’i shtohen 3 ministri të reja

“Rama 3”, qeverisë së re pritet t’i shtohen 3

Në vitin 2017, Partia Socialiste fitoi e vetme zgjedhjet parlamentare. Edi Rama e mori i vetëm drejtimin e timonit, duke nxjerrë jashtë loje LSI-në, aleatin që kishte qeverisur për katër vite me radhë.

Marrja e frenave i vetëm të pushtetit kërkonte njëherësh dhe një “spastrim” të administratës që ishte e tejmbushur nga punësimet militantëve dhe që kjo ishte prezente, jo vetëm brenda radhëve të socialistëve, por edhe të njerëzve të aleatit të saj, LSI-së.

Në kuadër të kësaj reforme numri i ministrive në shtator 2017 arriti në 11 nga 16 të tilla që ishin para zgjedhjeve. Reforma u bë më arsyetimin e një qeverisje të vogël dhe efeciente. Por më vonë me ndryshimet në qeveri u shtuan dhe disa portofole si ministra shteti, duke pasur gjithsej katër të tillë në qeverinë “Rama 2”. Por edhe pse u shkurtua numri i ministrive, numri i punonjësve të administratës mbeti i njëjtë, për shkak se një pjesë e institucioneve iu bashkua ministrive të tjera.

Kështu u shkri ministria e Integrimit, duke ia bashkangjitur administratën Ministrisë së Jashtme, e cila mori edhe fokusin e punës së saj atë të integrimit në BE. U shkrinë ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, posti i ministrit të Pushtetit Lokal, ministria e Ekonomisë apo e Mjedisit, duke krijuar kështu super ministri me shumë kompetenca. U krijua super ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila përfshiu fushat e energjisë, transportit dhe infrastrukturës që në mandatin e parë ishin në ministri më vete.

Pas katër vitesh, sipas burimeve të Gazeta “Shqip”, kryeministri Edi Rama po mendon të rrisë numrin e ministrive. Të paktën do të ketë tre ministri më shumë në “Rama 3”.

Mendohet të ndahet ministria e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërsa një ide më vete është edhe krijimi i ministrisë së Ekonomisë me vete dhe e Financave.  Sipas burimeve mësohet se tashmë edhe godina e re ministrore për Infrastrukturën është gati dhe se pritet që me ndryshimet e votimin e ministrave në Parlament të ndahet më dysh administrata e Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke ia ndarë në mënyrë specifike dhe fushat.

Gjithashtu pritet edhe reduktimi i ministrave të Shtetit, ku mund të shkrihet posti i ministrit të Sipërmarrjes. Më 9 shtator pritet të mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Më pas, Edi Rama duhet të paraqesë te presidenti emrat e qeverisë së re, ku pritet të ketë edhe ministri të reja, duke e çuar numrin në 14 të tilla. Kjo sigurisht do të krijojë mundësi Ramës që të kënaqë socialistët e tij që pretendojnë të bëhen ministra në qeverinë e re. Ndërsa mund të plotësojë edhe idenë e hedhur se ministër në qeverinë e tij do të ketë emrat të rinj, si dhe përfaqësues nga 12 qarqet e Shqipërisë.

Ministritë e vitit 2013-2017

Ministria e Brendshme

Ministria e Financave

Ministria e Jashtme

Ministria e Mbrojtjes

Ministria e Integrimit

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Ministria e Shëndetësisë

Ministria e Tregtisë dhe Zhvillimit Ekonomik

Ministria e Energjisë dhe Industrisë

Ministria e Arsimit dhe Sportit

Ministria e Kulturës

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

Ministria e Mjedisit,

Ministre e Inovacionit dhe Administratës

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin

Ministër i Çështjeve Vendore

Ministritë 2017-2021

Ministria e Brendshme

Ministria e Drejtësisë

Ministria e Mbrojtjes

Ministria për Punët e Jashtme dhe Europën

Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

Ministria e Kulturës

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit

Ministër i Shtetit për Diasporën

Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

Ministri i Shtetit për Rindërtimin

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore