Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Qershori i 2021 muaji më i “përgjakur” me 10 vrasje, maji renditet i dyti

Qershori i 2021 muaji më i “përgjakur” me 10 vrasje, maji

Qershori i vitit që po lëmë pas është muaji që ka tronditur vendin me më shumë vrasje gjatë gjithë vitit.

Nga një hulumtim i Gazetës Shqip, teksa ka paraqitur një bilanc të vrasjeve vjetore, nga ekzekutimet mafioze tek krimet brenda familjes, ka dalë se në muajin qershor janë regjistruar gjithsej 10 vrasje.

Nga këto 10 vrajse 4 prej tyre janë për ekzekutime mafioze, 3 janë vrasje brenda familjes dhe 3 të tjera janë vrasje për ngjarje banale.

1 QERSHOR vritet Çajup Selimi. Vritet në derë të shtëpisë biznesmeni në Tepelenë. Ai u qëllua dy herë, ku një plumb e kapi në zemër, duke rezultuar fatal për 52-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës. Nuk dihen ende arsyet e vrasjes së biznesmenit, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

2 QERSHOR vritet Shkëlzen Velaj. 'O ma hape derën' ishin fjalët e fundit të Shkëlzen Velajt, 43 vjeç, para se të ekzekutohej me 15 plumba në trup nga 2 persona, ende të paidentifikuara. Ekzekutimi ndodhi 5 minuta para mesnatës së të mërkurës në qytetin e Vlorës. Velaj nuk ishte me precedentë penal, ndërsa në familjen e tij nuk është viktima e parë pasi në 2015-n i vranë të vëllanë Ardi Velaj  në "Masakrën e Çoles". Pista e hetimit të vrasjes së 43-vjeçarit është fokusuar pikërisht te hakmarrja për vrasjet seri që kanë nisur nga kjo masakër.

2 QERSHOR vritet Rako Qorri. Sokol Shani, qëlloi me automatik në lokalin e tyre Rako Qorrin, 62 vjeç dhe të birin, Kejdi Qorrin, 31 vjeç. Autori dhe viktimat të jenë zënë si fillim në lokal dhe më pas ky i fundit ka qëlluar ndaj tyre me breshëri automatiku. I riu pas ngjarjes u transportua në spitalin e Lushnjës, dhe më pas në Tiranë, pasi ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

4 QERSHOR vritet Kudret Saliaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tiranë pas sherreve të vazhdueshme për divorcin dhe kujdestarinë e fëmijëve. Saliaj kishte hapur procesin gjyqësor për t’u ndarë nga gruaja e tij me të cilin kanë edhe 3 fëmijë.

Mexhit Picari, një ish-polic hyri në lokal dhe hapi zjarr drejt ish-dhëndrit, ndërsa u plagos edhe avokati Adriatik Cama, që ndodhej në një tavolinë me viktimën.

6 QERSHOR vritet Gramoz Memaj. 40-vjeçari që u qëllua me armë zjarri pranë banesës së tij në Ksmail.

6 QERSHOR vritet Diana Vukaj. E reja është vrarë me armë zjarri në dhomën e saj të gjumit në një banesë në Shkodër. Vukaj dyshohet se ishte vrarë nga i vëllai me silenciator dhe mbahej prej të paktën dy ditësh në banesë.

7 QERSHOR, vriten Qemal Bici dhe Menturie Bici.  Qemal Bici,  vrau të shoqen në Librazhd, duke e akuzuar gruan se e tradhëtonte me drejtorin e shkollës në Dragostunjë.  Bici ka masakruar me sopatë bashkëshortën e tij, Menturien dhe më pas vrau veten duke u vetëvarur në pemë.

8 QERSHOR, vritet Ylben Xhahysën. Xhaysa është ekzekutuar nga Leonard Bashaliu pas sherrit për gërvishtjen e makinës.

14 QERSHOR gjendet i mbytur Fridman Xhaferraj. Dyshohet se i riu është vrarë për prishjen e pazareve të drogës por policia nuk ka përjashtuar edhe vrasjen për motive të dobëta. Xhaferraj është gjendur me dëmtime në fytyrë, teksa është vrarë e më pas është hedhur në rezervuarin e Korçës.

27 QERSHOR, masakra e Velipojës me 4 të vrarë. Konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave.

Viktimat e ngjarjes janë biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.”- shkruan Gazeta Shqip një ditë më parë.

Ndërkohë që pas muajit qershor, në renditje për numrin më të madh të vrasjeve është muaji maj me 8 vrasje.

6 MAJ vritet Liljana Buzo. 54-vjeçarja që u vra në afërsi të gjykatës së Elbasanit nga burri i saj ish-polic, 58-vjeçari Koço Buzo, ka qenë së bashku me djalin e saj kur është qëlluar për vdekje. 54-vjeçarja sapo kishte mbaruar seancën për procesin e divorcit, kur bashkëshorti, i cili po e priste jashtë, i është afruar dhe ka qëlluar fillimisht me thikë dhe më pas e ka qëlluar 7 herë me kallashnikov pas shpine.

10 MAJ vritet Bledar Birçaj. Viktima u ekzekutua në automjetin e tij tip BMË teksa ishte duke udhëtuar në qytetin e Vlorës. Birçaj është një emër I njohur për drejtësinë dhe policinë teksa njihej si biznesmen gjithashtu.

10 MAJ vritet Mehmet Qema. Rreth orës 23:40, pasi shtatë të rinjtë kishin kthyer disa gota me alkool, situata në lokalin që shumë shpejt do të kthehej në skenë krimi, nuk po dukej më aq miqësore. Këtu nisi konflikti mes Demës dhe Qemës. Në gjaknxehtësi e sipër Marjus Dema ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në një distancë mjaft të afërt mikun e tij duke e lënë të vdekur në vend. 

12 MAJ vritet Everest Caka. 41-vjeçar është ekzekutuar me armë me silenciator mbrëmjen e sotme në makinë në sy të gruas së tij në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan. Shkak i vrasjes dyshohet se është e shkuara tij, kjo pasi Çaka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë

17 MAJ vritet Endri Mustafa. Mustafa është qëlluar me të paktën 7 plumba. 1 plumb e ka marrë në gojë, 3 të tjerë në kokë dhe 3 plumba në gjoks. Dyshohet se vrasje ka te bëjë me të shkuarën kriminale të viktimës.

21 MAJ vritet Delon Troqe. 38-vjeçari u ekzekutua mbrëmjen e sotme jashtë servisit të tij në Skelë, ku qëndronte prej ditësh që pas kthimit nga Spanja. Viktima ishte një person i skeduar nga Policia e Shtetit, ndërsa viktima ka qenë dhe i dënuar më parë, dhe ka bërë disa vite burg në moshën e adoleshencës. 

29 MAJ atentat Edison Begaj. Atentati ndaj Edison Begajt u bë për shkak të një shpulle. Kjo dyshohet të ketë qënë arsyeja e plagosjes me armë zjarri të 41-vjeçarit i cili mori 4 plumba nga Mitri Prifti. Begaj i shpëtoi atentatit duke ngelur kështu vetëm i plagosur.

29 MAJ vritet Emiljano Ndou. 25 vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri pak pasi kaloi mesnata, në fshatin Bardhaj në Shkodër. I riu sapo ishte kthyer nga shtëpia e të motrës dhe autori, Mark Kodra, 47 vjeç, bashkëfshatar i tij, i zuri pritë dhe e ka qëlluar me kallashnikov. Fillimisht Ndou dhe Kodra janë përfshirë në një debat verbal, dhe në këtë moment, 47-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje të riun.”- thuhet në raportin e djeshëm të Gazetës Shqip.

Ndërkohë që pas muajit maj vjen prilli me 7 vrasje dhe shkurti me 5 vrasje.

Në muajin mars dhe dhjetor deri më tani janë shënuar 4 vrasje, teksa me 3 vrasje janë muajt janar, tetor dhe nëntor.

Pas tyre renditet gushti dhe shtatori me dy vrasje.

Ndërkohë që muaji më paqësor në vendin tonë gjatë vitit 2021 është muaji korrik ku nuk është shënuar asnjë vrasje.  

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore