Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pse na duhet Komiteti i Ekspertëve?

Pse na duhet Komiteti i Ekspertëve?

Kur bota nisi të hyjë me shpejtësi në valën e pandemisë, qeveritë nisën me radhë të ngrenë trupa këshilluese pranë tyre për të siguruar një vendimmarrje sa më të drejtë në balancën që duhej ruajtur mes jetës e shëndetit dhe lirisë e aktivitetit ekonomik.

Ekspertët ngarkoheshin me detyrën e analizimit të thelluar të situatës, parashikimit të situatave që do të pasonin dhe hartimi e sugjerimi i vendimeve që duheshin marrë nga organet ligjvënëse dhe ekzekutive të pushtetit.

Por në Shqipëri? Këtu komiteti i ekspertëve e nisi punën shumë vonë, në krahasim me vende të tjera të rajonit dhe Bashkimit Europian. Shqiptarët u njohën me anëtarët e këtij komiteti vetëm në nëntor të 2020, kur vendi prej muajsh kishte hyrë nën masa kufizuese për shkak të pandemisë.

Përgjatë të gjithë veprimtarisë së tij në këto muaj, fjala “ekspert” te ky Komitet është vënë në dyshim, për shkak të vendimeve që janë kritikuar, ose si të parakohshme, ose si të vonuara. Rasti i fundit, ai për hyrjen e variantit Delta në vend deri diku e konfirmojnë këtë, megjithëse përgjegjësia shpërndahet edhe te institucionet e tjera, që nga Ministria e Shëndetësisë e Instituti i Shëndetit Publik.

Komiteti doli një ditë pasi Ministria zyrtarizoi praninë e variantit Delta në vendin tonë. Ai foli për 21 raste në 10 qarqe të vendit dhe për gjashtë prej këtyre rasteve që ishin persona të vaksinuar me Pfizer, AstraZeneca dhe Sinovac.

Por, tha gjithashtu se të dhënat ishin deri më datën 12 korrik, pra deri para dy javëve më parë. 14 ditë vonesë për të përditësuar të dhënat e një varianti shumë më tepër ngjitës të pandemisë janë shumë.

Prandaj, më shumë se sa tha ndonjë gjë të re në këtë dalje, Komiteti vetëm sa “konfirmoi” perceptimin që mbizotëronte në Shqipëri se Delta kishte hyrë në vend dhe ishte vetëm çështje kohe zyrtarizimi i tij.

Sfida e Komitetit tani duhet të jetë një tjetër. Si organ këshillues ai duhet të shohë se çfarë po ndodh në vendet rreth e rrotull, sidomos në dy vendet me qarkullimin më të madh të shqiptarëve, Greqia dhe Italia. Në të dyja këto shtete po aplikohet vaksinimi i detyrueshëm për të shmangur përkeqësimin e situatës në të ardhmen.

Prandaj, më shumë se të dalë të konfirmojë shifrat që gjenden edhe te buletini informativ ditor i Ministrisë së Shëndetësisë, të përsërisë thirrjet për mbajtjen e maskës, distancimit fizik e kujdesit higjienosanitar, Komiteti duhet sot të dalë me propozime konkrete; duke filluar që me vaksinimin e detyrueshëm, apo ashpërsimin e masave, sepse...vjeshta nuk është larg.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore