Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pse hesht Lulzim Basha për Rezart Taçin?

Pse hesht Lulzim Basha për Rezart Taçin?

Gazeta Shqip, Top News dhe Zona Zero sollën këto ditë një tjetër dosje ekskluzive, që riktheu në diskursin publik një emër kontravers që bota e biznesit shqiptar ka prodhuar në 30 vite tranzicion, por “të harruar” prej disa kohësh.

Ishte dosja e përgjimeve italiane të Rezart Taçit, sipas të cilës biznesmeni ishte përfshirë në një skemë pastrimi parash në Shqipëri për llogari të mafias italiane. Mbi bazën e këtyre përgjimeve, SPAK nisi në Shqipëri hetimet ndaj biznesmenit.

Të gjithë folën, media foli, edhe vetë biznesmeni foli në një lidhje të drejtpërdrejt me Zona Zero në Top News. Një pjesë e politikës foli duke e interpretuar hetimin e nisur ndaj Taçit sipas interesit të saj. Por, ajo që ka bërë përshtypje është heshtja e Lulzim Bashës.

Prej shtatorit në foltoren e Kuvendit Lulzim Basha ka denoncuar në më shumë se në një rast biznesmenët, me të cilët sipas tij, ndan Edi Rama paratë e korrupsionit. Përmbajtja e përgjimeve të italianëve, sipas të cilave Taçi u jep garanci për pastrimin e parave lidhjet me ministra e njerëz të tjerë të pushtetshëm në Shqipëri ishte një rast i mirë për Lulzim Bashën që të shtonte një tjetër akuzë ndaj Edi Ramës.

Për më tepër, akuza politike nuk do të bëhej mbi bazën e informacioneve kuturru, gjysmë të vërtetë, apo të rremë. Ajo do të bazohej të një dosje serioze, që nuk ishte as shqiptare e për të cilën SPAK kishte nisur hetimet në Shqipëri.

Por, jo! Lulzim Basha e shmangu emrin e Rezart Taçit. Ai ka heshtur përballë të gjithë këtij skandali dhe jo vetëm që ka heshtur personalisht, por ka heshtu edhe Partinë Demokratike, që në raste të tjera ka denoncuar dosje të tilla me më shumë se një konferencë për shtyp nga selia.

Pyetja që lind është pse? Përveç hesapeve me drejtësinë shqiptare, Rezart Taçi është sulmuar e akuzuar nga Partia Socialiste ndër vite si simboli i biznesmenit të fuqizuar përmes lidhjeve të tij me politikën dhe qeverisjen e Sali Berishës nga 2005 deri në 2013. Në këtë qeverisje, Lulzim Basha ka qenë pjesë në tre ministri, te transportet, Ministria e Jashtme dhe në fund të Ministria e Brendshme.

Këto detyra nuk e kanë lidhur me Rezart Taçin, që aktivitetin e tij e kishte të përqëndruar në fushën e hidrokarbureve. Ndër vite, emri i Lulzim Bashës nuk është lakuar asnjëherë përkrah atij të biznesmenit, që në intervistën e dhënë për Zona Zero në Top Neës përmendi vetëm emrin e ish-ministrit Ridvan Bode.

Lidhja e Taçit është përfolur se ka qenë e drejtpërdrejt me familjen e Sali Berishës, madje biznesmeni është shfaqur edhe në aktivitete bamirësie të organizuara nga Lirie Berisha, bashkëshortja e ish-Kryeministrit.

Të gjitha këto shtojnë edhe më shumë misteret e heshtjes së Lulzim Bashës për përgjimet e Rezart Taçit dhe kjo nuk është hera e parë. Basha ka heshtur edhe në 2013, kur për herë të parë shpërthyen akuzat ndaj Taçit për shmangie taksash me ARMO-n, të cilën e zotëronte deri në atë kohë.

Por, këtë herë akuzat që përgjimet italiane kanë nxjerrë në sipërfaqe janë shumë më të rënda se sa thjesht shmangie taksash. Këtë herë flitet për pastrim të parave të pista të botës së krimit dhe të mafies më të rrezikshme në botë, siç është ajo italiane.

Prandaj heshtja e kreut të Partisë Demokratike duket se bie ndesh me një prej shtyllave të opozitarizmit të tij, që thotë se është shkëputja e politikës nga bota e krimit, apo me denoncimet e njëpasnjëshme ndaj rivalit politik, Edi Rama, për të cilin thotë se e ka shndërruar vendin në parajsë për pastrimin e parave nga organizatat më të mëdha kriminale ndërkombëtare.

Basha foli gjatë në seancën e fundit parlamentare, kur po diskutohej buxheti mbrëmjen e së martës. Foli e akuzoi Kryeministrin e ministrat e kabinetit të tij për korrupsion dhe lidhje me oligarkë e kriminelë. Madje, nxorri edhe një audiopërgjim telefonik të hershëm të Edi Ramës për ta akuzuar për fjalorin banal.

Për Rezart Taçin nuk tha asnjë fjalë, madje as ja ka përmendur emrin, ashtu siç ka bërë shpesh prej shtatorit me emrat e biznesmenëve të tjerë në vend, që janë akuzuar prej tij ndonëse nuk kanë dalë në asnjë përgjim dhe nuk kanë asnjë hetim të nisur nga SPAK ndaj tyre, ashtu siç e ka Taçi.

Asnjë fjalë nuk tha për këto përgjime, kreu i PD-së, që në të shkuarën ka denoncuar po nga e njëjta sallë hyrjen e 3 milionë eurove “të botës së krimit” në Shqipëri përmes një makine Toyota Auris. Por, ndryshe nga rasti i Toyota-s, përgjimet italiane të Rezart Taçit, ku flitet për pastrimin e 18 milionë eurove, pra të paktën gjashtë herë më shumë, po kalohen në heshtje nga Lulzim Basha.

Tani, ose Partia Demokratike ka ndryshuar strategji në opozitarizëm, ose kjo është një sjellje me dy standarde e kreut të kësaj partie, që lë pas shijen e hidhur të mungesës së sinqeritetit në akuza të hedhura në foltoren e Kuvendit.

Vërtet ligjërisht deputeti është i papërgjegjshëm për ato që thotë në foltoren e Kuvendit, pra që nuk mund të akuzohet për shpifje, por moralisht qëndrimet me standarde të dyfishta ndëshkohen dhe gjyqtari i këtyre ndëshkimeve është publiku./Gazeta Shqip 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore