Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

PS hap lojën për ndryshimin e Kushtetutës, a jemi drejt një pakti të ri me PD?

PS hap lojën për ndryshimin e Kushtetutës, a jemi drejt një

Pa nisur mirë sezoni politik në Parlament, partia në pushtet, ajo Socialiste ka nisur menjëherë punën për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mbledhur këtë paradite Kryesinë e grupit parlamentar. Balla, iu ka kërkuar socialistëve të nisin menjëherë punën për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të Vettingut. “Të fillojë puna për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit te Vettingut”, mësohet të ketë thënë Balla.

Por këto ndryshime të ligjit themeltar të shtetit nuk mund të realizohen pa votat e opozitës. Ndryshe nga Parlamenti i shkuar, mazhoranca nuk e “kontrollon” dot opozitën. Socialistët tentuan që t’i kryejnë këto ndryshime përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, por ishin ndërkombëtarët ato që frenuan nismën, duke i kërkuar socialistëve që ato realizoheshin nga votat e Parlamentit të ri, duke nënkuptuar jo pa votat e Partisë Demokratike.

Për çfarë ndryshimesh bëhet fjalë konkretisht?

Gjatë votimit të qeverisë së re në Parlament, ministri i ri Drejtësisë, Ulsi Manja ngriti shqetësimin për skadimin e afatit ligjor e kushtetues të organeve të Vettingut. Ai nga foltorja e Parlamentit iu drejtua publikisht opozitës për të realizuar ndryshimet kushtetuese. “Ky është mandat kushtetues dhe kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Ne nuk i kemi votat e nevojshme për ta zgjatur mandatin e KPK dhe KP, por do të kërkojmë mirëkuptimin dhe konsensusin e opozitës”, tha Manja në përgjigje të një pyetje nga deputetët në sallë.

Mandati i 12 anëtarëve të KPK dhe dy Komisionerëve Publikë mbaron në qershor të vitit që vjen, ndërsa janë vetuar diçka më shumë se gjysma e magjistratëve që ishin në plan. Anëtarët e KPK e filluan punën e tyre në qershor 2017, por vendimi i parë u dha në mars 2018.

Maja pretendoi se shtesa e mandatit do të mundësonte përfundimin e procesit për të gjithë magjistratët me një standard.

“Për të garantuar vijueshmërinë e procesit dhe për të ruajtur standardet e arritura, Kushtetuese dhe ligjore tashmë të certifikuara edhe me vendimet e gjykatës së Strasburgut, ne jemi në komunikim edhe me bashkautorët e reformës, SHBA dhe BE që ky proces të përfundohet nga organet e vettingut”, tha Manja.

A u hap loja për ndryshimet e tjera, një pakt i ri PD-PS?

Mazhorancës për ndryshimet kushtetuese i duhen 94 vota pro. Natyrshëm asaj i mungojnë një numër i konsiderueshëm votash, duke e ditur se qeveria zotëron 77 mandate. Në këtë prizëm, PS është e detyruar që të kërkojnë konsensusin e opozitës, e pa votat e PD-së atë nuk i realizon ndryshimet. Socialistët mund të shpresojnë te presioni i ndërkombëtarëve, por njëherësh kjo mund t’i hapë derën edhe ndryshimeve të tjera kushtetuese, për të cilat opozita ka shprehur nevojën imediate.

“Do të ndërtojmë një Platformë Qytetare për Demokracinë, për zgjedhje të lira, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”, ishte një mesazh i kryedemokratit Basha tri javë më parë kur u formuan ekipi i PD-së.

Opozita ka dhënë sinjalin e parë se është gati të ulet në një tryezë me mazhorancën për të ndryshuar ndarjen territoriale-administrative. Pra kjo nënkupton që PD kërkon rishikimin e numrit të bashkive. Këto sinjale të lëshuara në distancë mund të çojnë në një pakt të ri të politik mes Ramës dhe Bashës, ose më saktë mes dy partive të mëdha politike. Basha nga ana e tij nuk e refuzuar bashkëpunimin për reforma, ndërsa publikisht ka dënuar paktin e vitit 2008 për ndryshimin e Kushtetutës. Loja është hapur dhe pritet se deri ku mund të preket Kushtetuta./Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore