Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Prokurori dhe zv.ministrja ‘KÇK’, “të mbyllësh punë” me shtetin për 2 mijë euro dhe një arkë peshk

Prokurori dhe zv.ministrja ‘KÇK’, “të

Më shumë sesa korrupsioni, që në çdo rast, sado mimimal të jetë, është i papranueshëm dhe i dënueshëm, ajo që tronditi më shumë opinionin publik në rastin e ish-zv ministres Rovena Vodo është fakti se përveç ryshfetit 2 mijë euro për një vend pune, ajo kishte marrë edhe një arkë peshk.

Një akt i neveritshëm që tregon se deri ku mund të shkojë babëzia e një zyrtari të lartë të shtetit, që përkon shumë me shprehjen që kryeministri preferon t'iu drejtohet kryesisht gjyqtarëve (KÇK), ose 'Kap Çfarë të Kapësh'. Dhe siç duket ish-zv.ministrja e ka zbatuar me përpikmëri këtë "aksiomë".

Duket se emri i ish-zv.ministres ra rastësisht në rrjetën e SPAK, pasi përgjimet që Struktura e Posaçme kishte nisur për prokurorin e Kukësit, Edmond Karriqi, i cili u arrestua në Kavajë pak ditë më parë nën akuzën e korrupsionit, zbuluan edhe Rovena Vodon.  

Si “rrëzuan” shtetin, vëlla e motër

Emirjan Beu dhe Florida Beu, vëlla dhe motër, janë dy personat që nxorën në pah korrupsionin e prokurorit dhe zv.ministres, në dy çështje të ndryshme, por që i lidhi rastësia.

Emirjan Beu  është një biznesmen që zotëron karburante dhe kompani të tregtimit të peshkut. Ai kishtë ndërhyrë tek prokurori i Kukësit për pushimin e çështjes së të disa arrestuarve për trafik droge në Kukës. Prokurori nuk ia bëri “fjalën dysh” dhe pasi mori dy mijë euro, ndërhyri në çështje.

Pikërisht nga përgjimet  e Emirjan Beut dhe lidhjeve të tij me prokurorin Karriqi, është zbuluar edhe rasti i Vodës.

Nga përgjimet doli se motra e tij, Florida Beu, avokate, e cila gjithashtu është në “arrest shtëpie”, dyshohet se i kishte dhënë 2 mijë euro ish zv.ministres, Rovena Voda për ta punësuar në Ministrinë e Brendshme. 

Zv.ministrja që u korruptua me...peshk

Nga përgjimet e SPAK, u zbulua se Rovena Voda ka pranuar nga avokatja Florida Beu 2 mijë euro, një telefon dhe një arkë me peshk për punësimin e kësaj të fundit në Ministrinë e Brendshme.

Gjithsesi, procedura mbeti në mes dhe avokatja nuk arriti ta realizonte ëndrrën për t'u punësuar në shtet. Marrja e eurove dhe të mirave materiale janë filmuar, përgjuar dhe fotografuar nga SPAK, ndërsa ato janë përvëtësuar në momente të ndryshme dhe jo të gjitha njëherësh.

Florida Beu është një avokate dhe biznesmene në Durrës, e cila prej 2019 menaxhon së bashku me vëllain e saj, një kompani peshkimi.

Mendohet se arka me peshk të freskët deti, është dhënë tek zv/ministria e Brendshme Rovena Voda, pikërisht në ambientet e brendshme të portit të Durrësit.

Zyrtarja e shtetit, përveç eurove dhe telefonit, nuk i ka rezistuar dot as peshkut, meqë edhe avokatja kishte me shumicë.

Prokurori i korruptuar që nuk preferonte dollarët, por...eurot

Edhe prokurori i Kukësit, i cili u arrestuar me urdhër të SPAK, duke se kishte "naze" mbi mënyrën se si bënte korrupsion.

Edmond Karriqi, pas arrestimit u la në burg, pasi u filmua teksa mori 2 mijë euro për të pushuar një çështje trafiku droge, në vitin 2019, ku ishin arrestuar 5 persona.

Karriqi kishte shkuar në Kavajë për të marrë paratë nga personi me të cilin kishte bërë marrëveshjen. Fillimisht paratë i janë dhënë në dollarë, por prokurori nuk i ka pranuar, kështu që sekseri i ka kthyer ato në Euro në një pikë këmbimi valuator dhe më pas ia ka dhënë Karriqit.

Teksa kryhej gjithë kjo procedurë, Karriqi dhe sekseri i tij përgjoheshin, dhe në momentin që po bëhej dorëzimi i parave, policia mbërriti në bulevardin kryesor të qytetit të Kavajës dhe kreu arrestimin.

Në të dy rastet, lajmi i mirë është se SPAK po vepron, por siç duket ka shumë punë përpara. Nëse iu referohemi denoncimeve, raste të tilla korrupsioni, janë kthyer në një praktikë normale për vendin tonë, prej 30 vitesh./Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore