Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

"Procesi i Berlinit" apo "Ballkani i Hapur"? Cilat ishin mesazhet e vizitës së Merkel në Tiranë, kë mbështet kancelarja

"Procesi i Berlinit" apo "Ballkani i Hapur"? Cilat ishin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel vizitoi këtë të martë Shqipërinë, ku pas takimit me kryeministrin Edi Rama,  ajo zhvilloi edhe një takim të gjerë me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vizita në Tiranë erdhi pas një vizitë që zhvilloi në Beograd, në atë që është quajtur si “turi i lamturirës” së “gruas së hekurt”.

Fokusi i vizitës

Në fokus të vizitës së kancelares Merkel në Tiranë ishte integrimi në BE, bashkëpunimi rajonal dhe kryesisht jetësimi i Tregut të Përbashkët Rajonal, nismë kjo në kuadër të "Procesit të Berlinit". 

Kancelarja gjermane nuk përmendi për asnjë moment togfjalëshin “Ballkani i hapur” nismë që ka futur në sherr kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, dhe për të cilën kryeministrin Rama në sy të kancelares tha se është “pjellë e Procesit të Berlinit”.

Por, e pyetur se kush duhet të jetë prioritar për udhëheqësit e Ballkanit, Inciativa e Berlinit apo Open Ballkan, kancelarja gjermane ishte e qartë.

“Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi”, tha Merkel.

Rama në sy të Merkel: Ballkani i Hapur, pjellë e Procesit të Berlinit

Edhe pse u përqendrua vetëm tek Procesi i Berlinit, nismë e iniciuar nga vetë ajo disa vite më parë, kancelarja nuk mohoi as pohoi një deklaratë të kryeministrit Rama , që ishte krah saj, ku u shpreh se “Minishengeni”, së fundmi i pagëzuar si “Ballkani i Hapur” është pjellë e “Procesit të Berlinit”.

“Open Balkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, nuk është një nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit, është pjellë e Procesit të Berlinit. Open Balkan është as më shumë e as më pak, por një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit, kaq. Nuk ka Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Gjithsesi, Merkel tha se mbështet çdo nismë që nxit bashkëpunimin mes vendeve, si dhe Tregun e Përbashkët Rajonal.

“Unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’ju bashkuar kësaj iniciative, por sot, ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit”, tha Merkel.

Kujtojmë se Merkel u bë 7 vjet më parë, në gusht 2014, nismëtare e Procesit të Berlinit, i cili përfshiu 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje të përbashkët për të përspejtuar integrim e tyre në Bashkimin Europian.

As takimi me Merkel nuk bind Kurtin

Gjithsesi, ardhja e Angela Merkel në Tiranë, nuk solli ndonjë rezultat sa i përket unifikimit të shteteve të rajonit për nismën “Open Balkan”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u bind as pas takimit me Merkel, për nismën që momentalisht përqafohet vetëm nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Procesi i Berlinit i drejtuar nga Angela Merkel është i mjaftueshëm për Ballkanin.

“U konfirmua se procesi i Berlinit është korniza dhe rruga për integrimin e 6 shteteve të Ballkanit në BE. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjërë dhe mjaftueshëm i thellë që të mos ketë nevojë për variante alternative. Fondet e BE duhet të paraprihen me vlerat e BE. Sundimi i ligjit, demokratizimi, ballafaqimi me të kaluarën dhe reciprociteti janë elementë të rëndësishëm për paqen dhe integrimin.

Kosova dhe Serbia janë dy shtete që zhvillojnë dialog për statusin e marrëdhënieve në të ardhmen. Kosova nuk mund të kthehet para ditës kur shpalli pavarësinë”, tha Kurti.

"Procesi i Berlinit" apo "Ballkani i Hapur"? Cilat ishin

Integrimi, takimet “kokë më kokë” dhe "paralajmërimi" për Serbinë

Merkel vlerësoi përparimin e Tiranës dhe Shkupit me plotësimin e detyrave të integrimit në BE, si dhe nismën për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Ajo pati një drekë pune dhe takime më vete me secilin prej 6 kryeministrave, pas konferencës së shtypit me kryeministrit Rama, ku vlerësoi reformën e sistemit gjyqësor të Shqipërisë si dhe përparimin e Tiranës dhe Shkupit drejt Bashkimit Europian.

Kancelarja i kërkoi BE që të mbajë fjalën për integrimin e Ballkanit, ndërsa u shpreh se Rajoni ka shumë miq në Bruksel.

Vizita e saj e lamturisë në Beograd dhe Tiranë, tregoi edhe një herë mbështetjen e kancelares për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si dhe për zhvillimin e tij.

Në Beograd, Merkel u shpreh edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë./Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore