Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Premtimet e pambajtura të “Rama 2”

Premtimet e pambajtura të “Rama 2”

Programi i qeverisë “Rama 3”, që kryeministri pritet ta prezantojë ditën e enjte para deputetëve për të kërkuar votëbesimin si për ministrat e propozuar, ashtu edhe për këtë program është ambicioz në disa fusha, duke premtuar rritje pagash, rishikim me ulje të tatimit progresiv dhe mbylljen e legalizimeve.

Por, nëse bëhet një bilance për programin e qeverisë “Rama 2”, jo të gjitha ato që u premtuan në program janë realizuar, të paktën jo në fushën e taksave. Në 2017-n, gjatë prezantimit të programit në Kuvend, Rama premtonte rishikim të disa tatimeve.

Ai premtoi uljen e tatimit mbi të ardhurat personale për fashën e lartë të pagave, pra të personave me rrogë mbi 150 mijë lek në muaj nga 23 në 18 për qind. Premtimi nuk u mbajt dhe rishikimi i gjithë skemës së tatimit progresive është premtuar tashmë për në mandatin e tretë. Përveç kësaj, në vitin e fundit të mandatit të dytë barra e taksave dhe burokracive u shtua me detyrimin ndaj të dypunësuarve për t’u vetëdeklaruar.

Një premtim i mbajtur ishte ai për të lehtësuar barrën tatuese të shtresës më të lartë të shoqërisë, pra personave që janë aksionerë në kompani të mëdha, që në momentin kur tërheqin fitimet (dividentin) tashmë paguajnë vetëm 6 për qind, nga 15 për qind që ishte kjo taksë para këtij ndryshimi.

“Rama 2” premtoi gjithashtu ndihmë për familjet e reja për bleren e shtëpisë së parë, duke njohur si shpenzime të zbritshme interesat e kredive të marra për strehim. As ky premtim nuk u mbajt. Skema e vetme për strehimin e kësaj kategoria është ajo përmes kredive të buta që ofrohen nga Bashkia e Tiranës.

Te kategoria e premtimit të pambajtur mund të përfshihet edhe ai për uljen e borxhit në 60 për qind të PBB-së. Borxhi aktualisht është mbi 80 për qind dhe jo vetëm nuk u ul, por u rrit, ndikuar nga tërmeti dhe nga pandemia, dy goditjet që devijuan prioritetet e qeverisjes.

Gjithsesi, në buxhetin për këtë vit, ministria e Financave parashikon që borxhin të fillojë brenda këtij viti kurbën rënëse, të paktën me 2 për qind brenda këtij viti dhe rënien poshtë 75 për qind në fund të vitit të ardhshëm.

Në programin e 2017-s premtohej që në fund të mandatit, rritja ekonomike të ishte deri në 6 për qind. Në 2020, për shkak të pandemisë ekonomia u tkurr me 3.3 për qind, sipas Bankës Botërore, ndërsa parashikimet e këti institucioni për 2021 flasin për një rritje deri në 4.5 për qind.

Premtimi tjetër i 2017-s ishte rritja e ndjeshme e pensioneve. Në program nuk përmenden shifra, ndërsa të dhënat flasin se në këto katër vite pensioni mesatar në total u rrit me vetëm 5 për qind. Në programin e shpalosur për mandatin e tretë, qeveria premton rritje të tyre me 5 për qind çdo vit.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore