Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Prapaskenat e “dashurive” elektorale të Shën Valentinit të Kosovës

Prapaskenat e “dashurive” elektorale të Shën Valentinit

Në zgjedhjet e 14 shkurtit që do të mbahen në Kosovë, koalicioni më i madh që duket është ai ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Kjo të paktën me të dhënat e dala nga zgjedhjet lokale të pjesshme të Podujevës, ku Vetëvendosja arriti të marrë kreun e Komunës, duke thithur votat e një pjese të mundshme të LDK-së.

Edhe pse LDK atë e quan thjesht një ndarje e brendshme për interesa të ngushta, Kurti pikërisht këtë kërkon që të përsëritet edhe në zgjedhjet parlamentare.

Osmani, pritet të dalë formalisht me një listë të veten elektorale, por që në zgjedhje do të jetë e integruar në listën e Vetëvendosjes, së bashku me deputetët e ikur nga LDK si Haxhi Abdyli e të tjerë që pritet të dalin në skenë.

Osmani, e cila mban aktualisht postin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, ka gjasa që të mos kandidojë për këtë post pas zgjedhjeve, ku Vetëvendosje sipas sondazheve do të dalë parti e parë. Ose do të rimarrë postin e kreut të Kuvendit, ose atë të shefes së diplomacisë së Kosovës. Mediat kosovare flasin se ajo mund tw marrw edhe postin e presidentes, por kjo wshtw diccka e vwshtirw tw ndodhw.

Ndërkaq, në krahun tjetër, Behgjet Pacolli, kryetari i AKR-së ka bërë të ditur se do të kandidojë në një listë me LDK-në e Mustafës, duke u larguar nga Nisma Socialdemokrate, me të cilën kandidoj vitin e shkuar.

Vetë partia e Limajt, ka gjasa të paraqitet në listat e PDK-së, por Enver Hoxhaj ka thënë se kjo forcë do të dalë e vetme, Limaj ka shumë gjasa që të shkrijë partinë e të rikthehet në PDK për të maksimalizuar votat e grupimit politik të dalë nga UÇK-ja, duke shfrytëzuar dhe “martirizimin” e Hashim Thaçit e Kadri Veselit që ndodhet në Hagë.

Ndërkaq, AAK e Ramush Haradinajt, ka deklaruar se do ta dalë e vetme dhe mund ta humbë aleancën me partinë e vogël socialdemokrate të Shpend Ahmetit, me të cilën u paraqit së bashku në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Nuk dihet se si do të kandidojë Ahmeti, i cili ka dalë nga Vetëvendosja e Kurtit si kryebashkiak, pasi kandidoi si pjesë e një partie të vogël, por që më pas u ngjiz me Vetëvendosjen. Ka gjasa që Ahmeti të vijojë negociata me dy të mëdhenjtë për të vepruar në zgjedhjet e tetorit të këtij viti, kur pritet të zhvillohet rinovimi i krerëve të komunave. Ndaj ka gjasa që të mos angazhohet më 14 shkurt./ Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore