Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Polonia sapo i hodhi një “bombë bërthamore” sistemit ligjor të BE

Polonia sapo i hodhi një “bombë bërthamore” sistemit

Vendimi i së enjtes i Gjykatës Kushtetuese polake, që tha se disa ligje të Bashkimit Europian bien ndesh me ligjet vendase dhe ligjet vendase kanë supremaci mbi ato të Brukselit mund të ketë minuar themelet e unionit.

Jakub Jaraczewski, koordinator dhe studiues pranë “Democracy Reporting” e cilësoi vendimin një përshkallëzim të pashoq të krizës mes Varshavës dhe Brukselit mbi sundimin e ligjit.

“Kjo është e pashoqe. Kemi një vend anëtar të BE-së që thotë se ligji i BE-së, që është në themel të idesë së Bashkimin Europian dhe bashkësisë së normave ligjore të tij, nuk mund të zbatohet në Poloni, sepse bie pjesërisht ndesh me ligjin polak. Kjo nuk ka ndodhur më parë”, tha Jaraczewski për Euronews.

Laurent Pech, profesor i së drejtës europiane e krahason vendimin e Gjykatës Kushtetuese polake me një sulm bërthamor ndaj sistemit ligor të Bashkimit Europian.

“Kur vendimi i plotë të publikohet, gjyqtarët polakë duhet të zgjedhin mes shkeljes së ligjeve të BE-së, ose mosbindjes së Kushtetutës. Nëse nuk shkelin ligjet e BE-së, sepse kanë për detyrë që të aplikojnë standardet e BE, sipas traktateve të nënshkruara, atëherë ata mund të shkojnë për ndjekje disiplinore, pse jo edhe penale për moszbatim të Kushtetutës së vendit”, thotë Pech.

Vendimi polak shkaktoi një varg reagimesh kunddërshtuese nga institucionet e BE dhe partitë kryesore në Parlamentin Europian. Komisioni ngriti shqetësime serioze dhe sugjeroi se Varshava pas këtij vendimi duhet të presë një përgjigje të fortë nga Brukseli.

“Komisioni nuk do të ngurrojë që të përdorë të gjitha fuqitë që i japin traktatet për të ruajtur unitetin dhe integritetin e aplikimit të ligjit të unionit”, thuhet në deklaratën e Komisionit Europian.

Kurrë më parë BE nuk ishte vënë në pozitat kur sistemi i drejtësisë së një vendi anëtar të sfidonte kaq hapur bazat e themelimit të BE-së. Çfarë ndodh tani? Përplasja mes Polonisë dhe BE-së nisi që në 2015, kur në pushtet erdhën të djathtët e partisë Ligj dhe Drejtësi. Kjo e fundit ndërmori disa reforma me synim kapjen e sistemit të drejtësisë. Në poste kyçe u vunë njerëz besnikë, ndërsa të pabindurit në Gjykatën Supreme dolën në pension me ligj. Në mars, Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi që rregullorja e Polonisë për emërimin e gjyqtarëve të Gjykakës Supreme shkeljte ligjet europiane.

Vendimi i kësaj gjykate bëri që qeveria polake t’i kërkonte Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë ligjin dhe rregulloret në fuqi. Vlerësimi nga kjo gjykatë nisi në muajin korrik. Në vendimin e marrë të enjten, Gjykata thotë se anëtarësimi i Polonisë në BE që prej 2004, nuk i jepte Gjykatave europiane autoritet suprem mbi gjykatat polake, sepse me këtë anëtarësim, Polonia nuk ka transferuar sovranitetin e sistemit ligjor te BE. Vendimi thotë se asnjë autoritet tjetër, përveç shtetit polak nuk mund të ndërhyjë për të kufizuar fuqitë e gjykatave polake.

Kritikët thonë se Gjykata Kushtetuese polake e ka humbur pavarësinë e saj prej vitesh.

“Gjykata Kushtetuese polake vlerësohet gjerësisht si e kapur dhe institucion kukull. Prandaj, ajo nuk është një gjykatë serioze. Në thelb, gjykata mori atë vendim që donte partia në pushtet, që është të ndalojë aplikimin e standardeve të BE-së në sistemin ligjor polak”, thotë Pech.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore