Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Pesha e shqiptarëve/ Lufta mes Trump dhe Biden për 40 mijë vota në Miçigan

Pesha e shqiptarëve/ Lufta mes Trump dhe Biden për 40 mijë vota

Ditët e fundit ka një dalje në sipërfaqe të qëndrimeve të shqiptarëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA, por edhe një vëmendje nga dy kandidatët: Donald Trump e Joe Biden, për t’i mëshuar angazhimeve të tyre në Ballkan, për shqiptarët në përgjithësi, Shqipërinë dhe Kosovën.

Dy ditë më parë ishte kandidati demokrat Joe Biden, që publikoi një dokument  për vizionin e tij për Shqipërinë dhe Kosovën, ku bënte të ditur se ashtu si senator i Partisë Demokratike edhe si President nëse fiton, do të vijojë të ndjekë politikën e përkrahjes së shqiptarëve.

Ndërkaq, vetë Presidenti Trump, marrëveshjen që arriti në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë po e përdor në mjaft takime elektorale si një politikë e suksesshme e tij  apo fitore diplomatike për të shuar konfliktin shumë vjeçar në Ballkan.

Përveç gafave apo edhe problemeve të qasjeve, është në fakt ende e pakuptueshme se përse kaq vëmendje të kandidatëve për një zonë ballkanike në fushatën elektorale në Shtetet e Bashkuara.

Shqiptarët në SHBA nuk e kanë fuqinë numerike që kanë komunitetet e mëdha që ndikojnë si etni siç janë hispanikët, irlandezët, italianët etj, apo me peshë potenciale siç janë hebrenjtë e Amerikës.

Megjithatë, këtë herë, ka një kleçkë që mund t’i bëjë shqiptarët “jetikë” për të zgjedhur Presidentin e ardhshëm të SHBA-së më 3 nëntor.

Shqiptarët në SHBA, në pjesën më të madhe të tyre jetojnë në New York e Massachusetts, shtete këto që e kanë të mbyllur votën dhe atje fiton gjithmonë një kandidat demokrat. Pra nuk ka një peshë specifike vota e shqiptarëve.

Por në zgjedhjet e 3 nëntorit, janë të ashtuquajturat swing states apo “shtete kyç” të cilët zgjedhin Presidentin e SHBA, për arsye se quhen “zona gri e elektoratit”.

Në sistemin e SHBA, kush merr shumicën në një shtet, merr edhe të gjithë votat elektorale për të zgjedhur Presidentin.

Shtetet kyçe janë: Michigan (Miccigan) , Pensylvania, North Calorlina, Arisona, Wiskonsin, Florida. Trump i fitoi 4 vjet më parë me një përqindje të vogël.

Një nga këto shtete është Michigan-i, ku ka më shumë se 40 mijë votues shqiptarë, vota e të cilëve mund të ndikojnë në numrin e përgjithshëm në shet, ndaj si stafi republikan ashtu dhe ai demokrat ka ndërmarrë një ofensivë të vërtetë elektorale në këtë shtet.

Në Michigan ka tre breza emigrantësh shqiptarë: atë të vjetër para komunizmit, brezi i komunizmit dhe ai i pas vitit 1990. Shqiptarët e Malit të Zi janë më të shumtit në numër.

Akri Çipa, një studiues i ri i politikës ballkanike, i diplomuar në Columbia University për shkenca politike dhe analist në Jewish American Congres, mendon se shqiptarët kanë një shans të rëndësishëm në këto zgjedhje dhe duhet ta shfrytëzojnë me zgjuarsi.

“Kemi në rast të rëndësishëm dhe shqiptarët nuk duhet të balancohen, por duhet të punojnë me të dy palët. Qasja e Albin Kurtit që mbështeti Biden është e gabuar. Ajo që është më e vështirë për shqiptarët në SHBA, është se brezat e rinj të kongresmenëve dhe senatorëve nuk përfaqësojnë atë krah të vjetër kur ne kishim mbështetësit e mëdhenj. Ndaj na duhet një punë e madhe për të rifituar mbështetjen në Uashingtonin Politik”, thotë  Çipa për Gazeta “Shqip”, i cili mendon se si Biden ashtu edhe Trump edhe në mënyra të ndryshme do të kenë qasje të rëndësishme në Ballkan, pasi rajoni është investim amerikan.

Për historianin Auron Tare, i cili e njeh mirë diasporën dhe lëvizjet e saj në SHBA, çështja e rëndësisë apo e peshës së votës së shqiptarëve për Presidentin e SHBA, është një gjë që nuk duhet t’i jepet aq shumë peshë.

“Në një shtet kyç si Michigani, çdo votë është e rëndësishme, por nuk mendoj se pesha e shqiptarëve të jetë aq potenciale. Kjo sepse nëse do të ishte kështu ata do të zgjidhnin përfaqësues politik në institucionet e shtetit apo edhe në kongres gjë që nuk ka ndodhur. Ka një fakt, që diaspora jonë shpesh është e përçarë në qëndrimet politike dhe nuk është unike”, thotë studiuesi Auron Tare për Gazeta “Shqip”.

Fakt është se në komunitetin shqiptar në SHBA, janë rritur aksionet e grupeve që punojnë për njërën apo tjetrën palë për të mobilizuar votuesit shqiptar në shtetin e Michiganit. Në zgjedhjet e shkuara, Trump fitoi me 25 mijë vota më shumë, e shqiptarët janë më shumë se 40 mijë. Ndaj ka nisur “gjuetia” për votat e tyre.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore