Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Përse Lulzim Basha nuk thotë të vërtetën për kontrabandën e naftës?!

Përse Lulzim Basha nuk thotë të vërtetën për

Në daljen e fundit para gazetarëve, Lulzim Basha bëri një deklaratë të fortë dhe të denjë për një vend nën embargon e OKB-së për naftën.

“30 për qind e karburantit në Shqipëri hyn kontrabandë! Humb shteti, humbin qytetarët dhe ky ka qenë një moment qetësie dhe hardisjeje e madhe nga ana e pjesëmarrësve. Se ata e dinë se si ka mundësi kjo 1/3 e karburantit të hyjë kontrabandë?!”, deklaroi Basha këtë të premte në një konferencë me gazetarët, ku doli për të mohuar krizën energjitike.

Kreu i PD-së nënkuptoi se burimi i kësaj shifre ishte nga vetë qeveria, madje nga brenda fare qeverisë, sepse Basha u shpreh se shifra prej 30 për qind e naftës kontrabandë është thënë në mbledhjen e pazakontë të Qeverisë këtë të premte, ku u shpall gjendja e emergjencës energjitike.

I bindur se ky informacion është i vërtetë, Lulzim Basha deklaroi se opozita do t’i drejtohet SPAK me një kallëzim penal. “Që shpresoj të mos përfundojë as tek frigoriferi i vonesave, as tek dhoma e pluhurave”, tha Basha.

Nëse padia do të bëhet, apo jo duhen pritur ditët në vijim, por shifrat zyrtare dhe krahasimore sugjerojnë se padia e mundshme e PD-së, jo vetëm që nuk ka për të përfunduar as “në frigoriferin e vonesave” dhe as “te dhoma e pluhurave”, siç e quajti Basha, por mund të hidhet direkt në kosh.

Pse? Është fare e thjeshtë; shifrat zyrtare. Të dhënat e siguruara nga Gazeta Shqip konfirmojnë se vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, sasia e karburantit që ka hyrë në vend është 481 mijë tonë, nga rreth 600 mijë tonë karburant që konsumon mesatarisht në vit tregu shqiptar.

Shifra është 20 për qind më e lartë se nëntëmujori i parë i vitit 2020. Por, për shkak të gjendjes së pandemisë dhe karantinës, Gazeta Shqip po e bën krahasimin jo me 2020, por me 2019, një vit normal përsa i përket qarkullimit.

Përse Lulzim Basha nuk thotë të vërtetën për
Konsumi i
karburanteve në mijë tonë në 9 muajt e parë të viteve, nga 2009 deri nw 2021

Çfarë thonë shifrat? Në 2019, në nëntë muajt e parë u importuan 464 mijë e 485 tonë karburante, ndërkohë që në nëntë muajt e parë të këtij viti janë importuar 481 mijë e 155 tonë të tilla. Pra një rritje me rreth 15 mijë tonë më shumë.

Sa më shumë largohesh në kohë, aq më e thellë është kjo diferencë, për të arritur në rreth 167 mijë tonë më shumë në krahasim me 2013-n, kur u importuan rreth 313 mijë tonë karburant në nëntë muajt e parë të atij viti.

Pra, nëse akuza se 30 për qind e karburanteve hyjnë kontrabandë për t’iu shmangur taksave, atëherë Shqipëria konsumon në vit rreth 900 mijë tonë karburant, sipas Bashës. Por, të paktën deri në 2009, sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Shqip, shifrat zyrtare nuk lejojnë hapësirë për kontrabandë, sepse rritja e konsumit të karburantit, jo vetëm që ka qenë eksponenciale, por ka qenë më e fortë pas 2013-s.

Sipas të dhënave të siguruara nga Gazeta Shqip, në mandatin e dytë të Partisë Demokratike, vetëm viti 2010 ka një rritje me 8 për qind të konsumit të karburantit, ndërsa në 2011 ai ra me 15 për qind, në 2012 u rrit me vetëm 1 për qind dhe ngeli po në të njëjtat nivele në 2013.

Në 2014, një vit pas ardhjes në pushtet të PS, rritja e konsumit ishte 10 për qind për nëntë muajt e parë të vitit, 14 për qind në 2016, 12 për qind në 2017, 3 për qind në 2018 dhe 4 për qind në 2019. Në 2020, për shkak të pandemisë pati rënie me 13 për qind, Kjo rënie u rikuperua në 2021 me 20 për qind.

Pra, në nëntë muajt e parë të këtij viti është regjistruar shifra më e madhe e karburanteve në konsum në të dhënat zyrtare të doganës. Kjo rrëzon akuzën e Lulzim Bashës pa qenë nevoja që të jesh hetues i SPAK, apo ekspert shifrash.

Sepse, me logjikën e Lulzim Bashës që një e treta e karburanteve paska hyrë kontrabandë, i bie që ose kjo sasi vazhdon të hyjë kontrabandë çdo vit prej të paktën vitit 2009, ose vërtet një e treta e tij hyn kontrabandë, por duke pasur parasysh nevojat e tregut, kontrabandistët po e mbajnë stok, apo më keq akoma po e hedhin fare. Këto janë mundësitë, logjikë tjetër që të argumentojë me shifra akuzën e kreut të Partisë Demokratike nuk ka.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore