Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Përjashtimet në PD/ Si ndryshon përbërja e Parlamentit, raporti i forcave dhe zgjedhja e presidentit?

Përjashtimet në PD/ Si ndryshon përbërja e Parlamentit,

Një Parlament që pritet të nisë të hënën me zhvillime të forta brenda kampit të opozitës dhe që do të krijojë raporte të reja forcash. Ky është starti politik i këtij fillimviti në Shqipëri, që do të shkaktojë krisjen e madhe brenda kampit opozitar.

Përjashtimi i Berishës dhe i disa deputetëve të saj do të pasohet dhe me ndarjen e madhe të grupit parlamentar të PD-së. Në 17 janar pritet të nisë Parlamenti i ri, ku dhe për këtë sesion, i cili është më i rëndësishmi për sa i përket zhvillimeve politike do të deklarohen edhe grupet parlamentare.

Partia Demokratike zyrtarisht ka përjashtuar katër deputetët e saj, ndërsa 7 të tjerë i ka pezulluar, duke hapur kështu mundësinë e krijimit të grupit parlamentar më të vete, të atyre që cilësohen si mbështetës si Berishës.

Në Kuvend mund të kemi një grupim Berisha edhe pse deputetët e kësaj linje mund të kërkojnë të jenë si pjesë e grupit të PD-së, por gjasat janë të regjistrohen si të pavarur. Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar pas përjashtimit përfundimtar nga PD, se po punohet që të afrohen më tepër deputetë dhe se grupimi i tij mund të zgjerohet.

Si ndryshojnë raportet e forcave?

Në zgjedhjet e vitit 2021, PD-ja fitoi 59 deputetë gjithsej, duke përfshirë dhe aleatët e saj. Ndërsa LSI-ja që doli më vetë mori 4 deputetë. Partia Socialdemokrate fitoi 3 deputetë. Partia Socialiste e vetme fitoi 74 deputetë. Në sesionin e kaluar për shkak mbështetjes politike, PD iu dha aleatëve të saj deputetë borxh për të krijuar grupet parlamentare. Kështu Grupi Aleanca për Ndryshim, drejtohet nga Fatmir Mediu i PR-së, e ka në përbërje Dashamir Shehin e LZHK, Agron Dukën e PAA dhe Vangjel Dulen e PBDNJ-së.

Grupi tjetër parlamentar për Demokraci dhe Integrim, ka në përbërje deputetët e PDIU, e drejtohet nga Mesila Doda. Ndërsa LSI dhe PSD, gjithsej me 7 deputetë nuk kanë një grup parlamentar, ku deputetët janë regjistruar si të pavarur.

Sot, situata ka ndryshuar pasi 11 deputetë të PD-së janë përjashtuar ose janë ngrirë nga Basha. Kjo ka bërë që PD e drejtuar nga Basha të mbesë me 34 deputetë. Këtu nuk përfshihen 7 deputetë që janë huazuar te aleatët që kanë dy grupe parlamentare më vete. Kjo do të krijojë raporte të reja forcash, pasi mund të ketë edhe zhvillime të tjera, pasi Berisha dukshëm do të ndikojë në zgjerimin e grupit të tij të mbështetësve, duke marrë forca të tjera brenda PD-së. Ose varianti tjetër do të jetë që grupimit Berisha t'i bashkangjiten edhe 4 deputetët e LSI-së.

Por, raporti i ri i forcave mund të bëjë më komode mazhorancën, e cila është në prag të sfidës së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Sipas afateve kushtetuese, ndonëse mandati i presidentit mbaron në 22 korrik 2022, procedurat për zgjedhjen e tij nisin në prill të këtij viti. Ndërsa ato mund të nisin më herët në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Kuvendit për votimin për të shkarkuar Ilir Metën nga posti i presidentit.

Kryeministri Edi Rama edhe pse shprehet se nuk ka se më cilën opozitë të bisedojë do të ndjehet më i çliruar në procesin e zgjedhjes së presidentit, pasi në të katër raundet mund të tentojë që të zgjedhë një kandidat me 84 vota, konsensual, duke kërkuar negociata me dy grupimet e opozitës, edhe pse Berisha është vija e kuqe e SHBA.

Në të kundërt ai mund ta zgjedhë kreun e ri të shtetit me një shumicë të thjeshtë prej 71 votash, ose të 74 deputetëve së bashku me PSD. Votimi për presidentin është i fshehtë dhe se në të mund të ketë edhe rrjedhje votash nga opozita. Negociatat për presidentit mund të nisin më herët, kjo e shkaktuar edhe nga zhvillimet e vrullshme brenda kampit të opozitës. Tani lufta e brendshme e PD-së do të zhvillohet në Parlament dhe kjo do të ndikojë në raportet mes mazhorancës dhe opozitës.

Përbërja e re e Parlamentit

PS me 74 deputetë

PD me 34 deputetë

Grupimi Berisha 11 deputetë

LSI me 4 deputetë

PSD me 3 deputetë

Dy grupimet e opozitës me 14 deputetë

Lista e 11 deputetëve të grupimi Berisha

Sali Berisha

Flamur Noka

Edmond Spaho

Albana Vokshi

Agron Shehaj

Belind Këlliçi

Edi Paloka

Genc Pollo

Luan Baçi

Oerd Bylykbashi

Tritan Shehu

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore