Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Operacionet detare dhe tokësore/ DEA Amerikane zgjedh 11 shtete, mes tyre dhe Shqipëria

Operacionet detare dhe tokësore/ DEA Amerikane zgjedh 11 shtete, mes tyre

Ndërkohë që kriminelët nga Ballkani vjelin frytet e bashkëpunimit ndërkombëtar, forcat e ruajtjes së rendit nga shtete të ndryshme mund të punojnë së bashku në mënyrë të efektshme, duke u konfirmuar kjo përmes disa operacioneve me pjesëmarrjen e disa policive.

Bashkëpunimi në fakt nuk ka qenë kështu si tani. Ka qenë në nivele shumë më të ulëta dhe për herë të parë ka pasur një konkretizim para një dekade me operacionin “Luftëtari i Ballkanit”, një operacion i përbashkët midis DEA-s, shërbimit informativ serb dhe forcave policore në Uruguaj dhe Argjentinë, që mposhti Darko Shariç në vitin 2010.

Ka pasur edhe operacione të tjera të suksesshme me bashkëpunimin e forcave të ruajtjes së rendit nga SHBA, Evropa perëndimore, Amerika Latine dhe vende të Ballkanit perëndimor.

Qendra e Zbatimit të Ligjit të Evropës Juglindore (SELEC), në të cilën janë anëtarësuar 11 shtete mes të cilave edhe Shqipëria, ka treguar se është një mekanizëm i efektshëm koordinimi gjatë zhvillimit të hetimeve të përbashkëta.

Një nga avantazhet e SELEC është se Turqia është anëtare e saj. Shembuj të bashkëpunimit të frytshëm në operacione detare, si kapja e një sasie droge në shkurt 2020 pranë ishullit Aruba, u realizuan në kuadër të një operacioni të përbashkët midis forcave të ruajtjes së rendit nga Serbia, Mali i Zi, Holanda, dhe Britania e Madhe.

Në fakt, gjatë periudhës 2018-2020, numri i operacioneve dhe sasia e drogës së kapur u rrit, ose si pasojë e një bashkëpunimi më të mirë midis forcave të ruajtjes së rendit, ose si pasojë e rritjes së volumit të trafikimit, ose të dy faktorët bashkë.

EUROPOL luan një rol kyç në këtë drejtim. Për shembull, më 11 mars 2020, EUROPOL njoftoi se kishte ndihmuar në shkatërrimin e një rrjeti të madh kriminal nga Ballkani që trafikonte droga, kryesisht kokainë, nga Amerika Latine në Evropë. Një operacion i komplikuar ndërkombëtar, që nisi në vitin 2017, ndaloi një katamaran (anije) që po trafikonte 840 kilogramë kokainë nga Karaibet për në Evropë.

Katër pjesëtarë të ekuipazhit me shtetësi boshnjake, malazeze, dhe serbe u arrestuan në vitin 2018, dhe disa anëtarë të tjerë të grupit u arrestuan më 10 mars 2020.  Kjo tregon se EUROPOL mund të realizojë shkëmbimin e informacionit, të sigurojë mbështetje për koordinimin e punës, dhe të analizojë informatat operative duke përdorur duke përdorur bazën e të dhënave që ka akumuluar nëpër vite në mënyrë që të informojë dhe të orientojë hetimet në drejtimin e duhur.

Kjo qasje është përdorur për t’iu kundërvënë trafikimit të qenieve njerëzore, dhe kontrabandës së cigareve, si dhe trafikimit të emigrantëve në Ballkanin perëndimor. Eurojust po ndihmon vendet e Ballkanit perëndimor që të përmirësojnë kapacitetet e tyre, dhe japin ndihmë në ndjekjen penale të çështjeve të ndryshme.

Në përgjithësi, duke qenë se ndjekja penale e çështjeve është hallka më e dobët kur vjen puna tek lufta kundër krimit të organizuar, ndihma e vendeve të tjera mund të jetë me vlerë, duke përfshirë edhe ekstradimin.

Në disa raste, oficerë ndërlidhës nga forcat policore në vendet e Ballkanit perëndimor janë stacionuar në vendet e origjinës për të ndihmuar në identifikimin e të dyshuarve dhe analizimin e informatave.

Italia, së bashku me SHBA-në dhe një numër vendesh të BE-së, ka mbështetur procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë penale në Shqipëri. Po kështu ka pasur bashkëpunim edhe në kuadër të programit të ndihmës para hyrjes në BE, që jep asistencë financiare dhe teknike për vendet kandidate për të hyrë në BE. Në disa raste, kjo ka mundësuar operacione të suksesshme kundër grupeve të krimit të organizuar dhe konfiskime të pasurive të krimit.

Hetimet e zhvilluara kanë prekur të gjithë spektrin e aktiviteteve të krimit të organizuar  nga trafikimi i qenieve njerëzore, armëve, drogës, terrorizmit, dhe pastrimit të parave të pista. Hetimet u zhvilluan si në vendet e Ballkanit perëndimor, ashtu edhe në vendet e BE-së, madje edhe në shtete të tjera. Bashkëpunimi me BE-në mund të jetë edhe më i efektshëm nëse vendet e Ballkanit perëndimor do të kenë akses në Sistemin e Informacionit Schengen.

Kjo do të përmirësonte dhe do të shpejtonte punën e policisë dhe rojeve kufitare për identifikimin e personave të kërkuar. INTERPOL luan një rol të rëndësishëm në koordinimin e operacioneve të përbashkëta. Për shembull, në janar 2020 kjo agjenci drejtoi një operacion të madh kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të emigrantëve në Ballkan, me emrin Operacioni Tezeu (Theseus).

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan 72 persona të dyshuar si trafikantë, dhe 167 trafikues emigrantësh; u shpëtuan 89 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore dhe u identifikuan 2000 emigrantë. Sistemi i Pullës së Kuqe  të INTERPOL-it ka rëndësi të dorës së parë për të identifikuar kriminelët.  Mund të bëhet më shumë për sa i përket forcimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të ruajtjes së rendit në vendet e prodhimit dhe konsumit, dhe angazhimit në këtë proces të kolegëve të tyre nga Ballkani perëndimor.

Po kështu, është e nevojshme të tregohet një vëmendje më e madhe ndaj sigurisë detare (veçanërisht nëpërmjet operacioneve të bazuara në të dhëna informative), dhe forcimit të kontrollit të kontejnerëve, duke përdorur në mënyrë më të efektshme Programin e Kontrollit të Kontejnerëve të Organizatës Botërore të Doganave.

Po kështu, duhet që të përmirësohet urgjentisht asistenca e përbashkët ligjore ndërmjet vendeve të Ballkanit perëndimor dhe vendeve të tjera nëpër botë ku veprojnë më shumë grupet kriminale nga Ballkani perëndimor (zonat problematike).

Duke qenë se grupet kriminale motivohen nga të ardhurat monetare, dhe duke qenë se paraja është burimi i fuqisë së tyre, është e nevojshme që të bëhet më shumë për të kontrolluar lëvizjet e parave të grupeve kriminale nga vendet e Ballkanit perëndimor që veprojnë jashtë rajonit. Është e nevojshme që të forcohet bashkëpunimi për të zbuluar skemat e pastrimit të parave dhe rikuperimit të sendeve të vjedhura, në mënyrë që të shtohen rreziqet dhe të zvogëlohen përfitimet për kriminelët.

Pjesa më e rëndësishme është bashkëpunimi në terren. Përndryshe, të ardhurat e krimit mund të përdoren për të blerë pushtet, apo për të çorientuar ekonomitë e vendeve. Kështu, po të ketë ndonjë krizë likuiditeti si pasojë e problemeve me virusin COVID-19, kriminelë me sasi të mëdha parash nëpër duar mund të ushtrojnë influencë më të madhe mbi biznesin dhe politikën.

Pra, edhe pse krimi ballkanik u përhap nga brenda rajonit drejt vendeve të huaja, një pjesë e mirë e zgjidhjes duhet të vijë nga vendet e huaja drejt rajonit, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. Ashtu si tha edhe një prokuror italian, “ashtu si lidhin aleanca ata me njëri-tjetrin, po ashtu duhet të bashkëpunojmë edhe ne”.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore