Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nuk e dërgon në SPAK/ KLSH shpëton Drejtorin e Burgjeve, Agim Ismailin me vërejtje

Nuk e dërgon në SPAK/ KLSH shpëton Drejtorin e Burgjeve, Agim
Drejtori i
Burgjeve, Agim Ismaili (majtas) dhe kreu i KLSh, Arben Shehu (djathtas)

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shkelur ligjin duke dhënë tendera me vlerë mbi fondin limit, nuk ka personel të kualifikuar për prokurimet publike që realizon dhe mban regjistrimet kontabël në formë amatoreske përmes “Microsoft Exel”, që mundëson fshirjen, apo korrigjimin e pasqyrave financiare ndër vite.

Këto janë gjetjet e auditit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka kaluar në sitë veprimtarinë e 2020 të këtij institucioni. KLSh ka gjetur gjithashtu rishpërndarje të shpeshta fondesh buxhetore, kryesisht për investime.

Audituesit hedhin dyshimet se kjo rishpërndarje është pjesë e një skeme korruptive, bashkë me fryrjen e tenderave, që është zbatuar edhe në dijeni të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili. Për këtë arsye, burime të KLSh-së thonë për Gazetën Shqip se orientimi fillestar i KLSH-së ka qenë kallëzimi në SPAK për drejtorin Agim Ismaili.

Por, në përfundim të raportit, nga kallëzimi në SPAK, KLSh mjaftohet me rekomandimin drejtuar Ministrisë së Drejtësisë “për vërejtje me paralajmërim për largim” për kreun e sistemit të burgjeve në vend.

Çfarë gjetën më në detaje audituesit?

“Nga auditimi i hartimit dhe zbatimit t buxhetit të shtetit u konstatua rishpërndarje e shpeshtë e fondeve buxhetore përgjatë viteve 2019 - 2020; nivel i ulët i realizimit të fondeve të alokuara në vitin 2019 dhe 2020, kryesisht fondeve për investime; rishpërndarje fondesh që ka rezultuar në mos realizimin e tre projekteve; realizim procedure prokurimi në vlerë më të lartë se fondi limit i miratuar; mos derdhje në thesar i të ardhurave dytësore dhe përdorim i gabuar i tyre”, thuhet në gjetjet e KLSh-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se shkelje ka gjetur në mosrespektimin e disa kontratave për dhënien me qira të ambienteve nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mos dokumentim i raportimit të detyrimeve të prapambetura; Mos raportim i detyrimeve për vendime gjyqësore në kohën e duhur; mos respektim i afatit 30-ditor për likuidimin e faturave detyrim ndaj furnitorëve.

KLSh vëren se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet në varësi të saj kanë mungesa të theksuara në personel të kualifikuar për trajtimin e procedurave të tenderimit. Audituesit rekomandojnë që kjo mangësi të adresohet menjëherë, pasi në dorë të personelit të pakualifikuar për 2020 kanë kaluar 351 milionë lek tendera të financuara nga buxheti i shtetit.

“Në procedurat me objekt për furnizim produkte ushqimore, u konstatuan mangësi, në hartimin dhe vendosjen e kritereve të veçanta të kualifikimit, në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë fitues, në ekzekutimin dhe monitorimin e kontratave, duke mos garantuar kontratë të sukseshme deri në ekzekutimin e plotë të saj, duke përdorur dhe shpenzuar pa efektivitet, pa eficiencë dhe pa ekonomicitet fondet publike, që bëjnë të mundur realizimin e tyre”, thotë KLSh.

Problematikë e madhe është gjetur edhe te pasqyrat financiare, që nga programi i përdorur për regjistrimet kontabël.

“Nga auditimi u konstatua se për regjistrimet kontabël, DBP përdor programin “Microsoft Excel”, program i cili nuk të ndalon mundësinë e ndryshimit të veprimeve kontabël të periudhave të mëparshme”, thotë KLSh.

Në këtë bilanc, KLSh vëren gjithashtu se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka përfshirë godina dhe asete që nuk i kalojnë asaj, si dhe borxhe të prapambetura që mund të kenë kaluar afatet e parashkrimit ligjor, pra që mund të jenë shuar.

Në Pasqyrën Financiare të vitit ushtrimor 2019 është paraqitur ish-ndërtesa e DPB në llogarinë “212 Ndërtesa e Konstruksione” me vlerë 303,020,916 lekë, ndërtesë për të cilën edhe pse pranohet nga vetë institucioni (si në shkresat drejtuar Ministrisë së Drejtësisë dhe në relacionin e PF së vitit 2019) që një godinë e tillë nuk është në pronësi apo administrim të DPB, fakt i evidentuar dhe nga auditimi i mëparshëm i KLSH-së, sërish është paraqitur në PF e vitit 2019.

Në PF të vitit ushtrimor 2019, është paraqitur llogaria “213 Rrugë, rrjet, vepra ujore” me vlerë 6,753,717 lekë, e cila përbën një vlerë të mbartur nga viti 2005 pa analizë, për të cilën DPB nuk ka informacion mbi natyrën dhe origjinën e kësaj vlere.

Në PF është paraqitur llogaria “202 Studime dhe kërkime” në vlerën 79,414,806 lekë, në të cilën përfshihet Studim-Projektim për IEVP “Jordan Misja” në vlerën 16,819,200 lekë dhe vlera 28,705,606 lekë, e cila është e mbartur nga viti 2005, DPB nuk disponon informacion dhe dokumentacion mbi natyrën dhe origjinën e kësaj vlere.

-Llogaria “218 Inventar Ekonomik” e paraqitur në PF të vitit ushtrimor 2019 me vlerë 25,516,055 lekë, konstatohet se ndryshon me 6,272,140 lekë nga vlera e rezultuar në përfundim të procesit të inventarizimit, e cila është në vlerën 19,243,915 lekë.

-Në PF të vitit ushtrimor 2019, konstatohet se për zërin “Vendimet gjyqësore 2019”, detyrimi më 31.12.2019 është 0 (zero) lekë. Por nga auditimi i veprimeve të Thesarit për DPB për periudhën 01.01.2020-31.08.2020, konstatohet se në 27 raste janë paguar detyrime për vendime gjyqësore të para datës 31.12.2019, në vlerën 19,161,328 lekë dhe mbeten për t’u paguar detyrime në vlerën 1,007,009 lekë, detyrime të cilat nuk janë pasqyruar në PF të vitit 2019.

Nga Drejtoria e Çështjeve Shoqërore, Shëndetësore, Ligjore dhe Trajnimeve, me marrjen e formës së prerë të vendimeve gjyqësore, nuk janë dorëzuar një kopje e këtyre vendimeve në zyrën e financës, çka ka shkaktuar mos paraqitjen në PF të vitit ushtrimor 2019, të detyrimeve me vlerë 20,168,337 lekë.

-Nga auditimi i transaksioneve të thesarit për periudhën 01.01.2020-31.08.2020, si dhe krahasimi i këtyre veprimeve me PF të DPB (Llogaritë e pagueshme), u konstatua se për 7 raste në vlerën 60,113,270 lekë, janë likuiduar detyrime që i përkasin vitit 2019, detyrime të cilat nuk janë pasqyruar në PF të vitit ushtrimor 2019.

-Në PF është paraqitur llogaria “468 Debitorë të ndryshëm” më vlerë 28,913,525 lekë, e cila përbëhet nga një listë prej 56 debitorësh, për të cilën u konstatua se: Për 2 debitorë me vlerë totale 200,000 lekë, procesi gjyqësor ka përfunduar në favor të DPB në vitin 2007, por nuk janë marrë masa për arkëtimin e kësaj vlere;

Për 2 debitorë me vlerë totale 1,848,100 lekë, padia e DPB është rrëzuar nga gjykata qysh në vitin 2009, e për pasojë këto detyrime nuk duhen pasqyruar në PF; Për 45 debitorë me vlerë totale 21,704,165 lekë, i përkasin një periudhe të para vitit 2009.

Në kushtet kur për këto detyrime, veprimi i fundit konstatohet të jetë bërë para 12 vitesh ose nuk janë bërë veprime për ti mbledhur ato, këto detyrime mund të jenë parashkruar sipas nenit 203 të Kodit të Punës ose Kreut IV “Parashkrimi i padisë dhe dekadenca e të drejtave” të Kodit Civil, por nga DPB janë paraqitur sërish pa komente në PF e vitit 2019.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore