Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Një VKM që mund t’u kursejë shqiptarëve miliona euro në vit abuzime nga bashkitë

Një VKM që mund t’u kursejë shqiptarëve miliona euro

Vendimi i Qeverisë për të hartuar një metodologji unike që duhet të zbatohet nga të gjitha bashkitë për përllogaritjen e sasisë së mbetjeve që grumbullojnë dhe menaxhojnë në territoret e tyre mund t’u kursejë taksapaguesve miliona euro para në vit, para që gllabërohen nga korrupsioni.

Pse? Metodologjia e re mund të reduktojë abuzimet e vëna re në një pjesë të madhe të bashkive të vendit, në një fenoment disavjeçar, fryrja e sasisë së mbetjeve urbane që mbledhin me qëllim fryrjen e kostove të tenderave që hidhnin për pastrimin e tyre.

“Miratuam një amendim të një VKM-je ekzistuese të viti 2015 që ka të bëjë me mënyrën se si menaxhohen mbetjet që nga gjenerimi i tyre deri në pikën fundore nga njësitë e qeverisjes vendore. Një mirë menaxhim kërkon të dhëna të sakta dhe VKM-ja që ne miratuam sot është një riamendim i një vendimi të 2015, që saktëson metodologjinë, për të parën herë sot, me të cilën njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve në territorin e tyre, mënyrën sesi publikohen dhe standardizohen”, tha ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Kumbaro foli për një situatë kaotike me shifrat e mbetjeve që gjenerohen.

“Situata që kemi në terren, në momentin që duam të fusim instrumente menaxhimi të mirë të kontrollit të territorit sa i përket mbetjeve ndeshet me burime informacioni kaotike, që vijnë qoftë nga njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë, qoftë nga bizneset në terren, qoftë nga INSTAT”, tha ministrja.

Vendimi i qeverisë pason të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT, sipas të cilit në vitin 2020 pati një rënie të sasisë së mbetjeve të grumbulluara në krahasim me vitin 2019. Në vitin 2020 rezulton të jenë menaxhuar rreth 1,04 milionë tonë mbetje urbane, duke shënuar një rënie me rreth 3,5 për qind, ose rreth 40 mijë tonë mbetje më pak se 2019.

Niveli i mbulimit të popullatës me shërbime komunitare për menaxhimin e mbetjeve urbane për 2020 ishte 86,9 për qind, duke shënuar një rënie me 1,0 për qind, krahasuar me 2019. Sasia vjetore e mbetjeve urbane të menaxhuara për banorë, në shkallë vendi, në vitin 2020 është 369 kg/banor, nga 381 kg/banor që ishte në vitin paraardhës. Indikatori pozitiv është se në 2020 pati një rritje me 2.2 për qind sasia e mbetjeve që u depozituan në landfille dhe fusha mbetjesh, duke shkuar në 80.2 për qind në total.

Si fryhen artificialisht shifrat? Investigimi i Top Story

Në nëntor të vitit të kaluar, kjo temë u trajtua nga emisioni Top Story, që zbuloi sesi bashkitë në vendin tonë kanë abuzuar financiarisht me menaxhimin e mbetjeve urbane, duke shumëfishuar artificialisht sasinë e mbetjeve.

Njëra prej bashkive ku u ndal emisioni ishte ajo e Belshit. Publikimi i të dhënave nga Top Story solli edhe reagimin e Bashkisë së Belshit, e cila tha se dokumentari kishte pasaktësi me shifrat dhe se ishte përbaltur puna rigoroze e pastrimit të qytetit.

Top Story zbuloi se Bashkia e Belshit kishte tenderuar për 4 vite, në vitin 2016 rreth 8.2 milionë lekë të reja për pastrimin. Sipas kryebashkiakut Arif Tafani, ky tender është i pavërtetë, por Top Story po vë në dispozicion dokumentin e tenderit.

Bashkia e Belshit thotë se ka zhvilluar një tjetër tender, përgjatë vitit 2017-2020, me vlerë 23.7 milionë lekë të reja, për menaxhimin e 17.864 ton mbetje në total. Nëse e llogarisim për 3 vite, i bie rreth 6000 mijë ton/vit mbetje. Publikimi i këtij tenderi, thellon pa dashje edhe më tej abuzimin me fondet e menaxhimit të mbetjeve.

Top Story publikoi të dhënat e sasive të plehrave, që depozitohen nga Bashkia Belsh në landfillin e Elbasanit. Aty matet çdo ditë sasi e mbetjeve që vijnë nga bashkitë e qarkut të Elbasanit. Sipas të dhënave, Bashkia Belsh depoziton rreth 150 ton mbetje në muaj, ose rreth 1800 ton/vit. Nëse llogarisim tenderin e shkuar, atë për 3 vite, Bashkia Belsh ka gjeneruar 5400 ton mbetje në total, por ndërkohë ka paguar për 17.864 ton mbetje, pra 3-fish më shumë para në tender.

Ky është një dëm ndaj buxhetit të shtetit, me mbi 8 milionë lekë të reja, ku vetë Bashkia Belsh e bën gabimisht publike. Në vitin 2020, tenderi bëhet 410 milionë lekë dhe është pothuajse 5 fishi i tenderit të mëparshëm. Për të justifikuar këtë fryrje të plehrave, zyrtarët e Bashkisë së Belshit kanë bërë një studim sikur qyteti i tyre gjeneron mbi 2700 ton plehra në vit.

Top Story i dërgoi një kërkesë zyrtare impiantit të Elbasanit, i cili vuri në dijeni se Bashkia e Belshit depozitonte aty rreth 150 ton plehra në muaj, ose rreth 1800 ton plehra në vit. Pra, Bashkia e Belshit ka rritur artificialisht shifrën prej 900 ton plehrash në vit, për të 5-fishuar shumën e tenderit.

I njëjti fenomen u vu re nga Top Story edhe në Bashkinë e Peqinit. Në dokumentet që ka siguruar Top Story nga prokurimet publike, në vitin 2016 për pastrimin e qytetit është bërë një tender prej 640 milionë lekësh për shërbim 3-vjeçar. Ndërkohë pas mbarimit të kësaj kontrate, në janar të vitit 2020 bëhet sërish i njëjti tender, dhe vlera e shpenzuar kësaj here është 1 miliard lekë për shërbim 3-vjecar. Pra, rreth 360 milionë lekë më tepër.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore