Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Një vit nga 5 qershori / Kush humbi e kush fitoi

Një vit nga 5 qershori / Kush humbi e kush fitoi

Si sot e një vit më parë, Yuri Kim “mbylli” në rezidencën e Ambasadës Amerikane Oerd Bylykbashin, Petrit Vasilin, Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin duke u kërkuar që t’i jepej fund zvarritjes dhe të gjehej gjuha e përbashkët për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

E pas shumë vajtje-ardhjesh së palëve mes Rrugës së Elbasanit, selisë së PD-së dhe asaj të LSI-së marrëveshja u arrit dhe kopja e parë e dakordësisë u shpërnda në anglisht, që nënkupton se sa e fortë ka qenë ndërhyrja e Ambasadores Amerikane.

Ajo përmbante 12 pika, pjesa më e madhe e të cilave si kërkesë e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, që nga identifikimi elektronik në të gjithë vendin, riformatimin e KQZ-së dhe dhënien e postit të zv.Komisionerit për Partinë Demokratike, me detyrën ekskluzive për të mbikëqyrur mbarëvajtjen implementimit të teknologjisë në zgjedhje.

PS këmbënguli te depolitizimi i administratës zgjedhore, një rekomandim i OSBE/ODIHR, por kërkesa u refuzua nga ana e Partisë Demokratike. Sa i takon ndryshimit të sistemit zgjedhor dhe hapjen e listave, që kërkohej nga Rudina Hajdari, që në Këshillin Politik përfaqësonte atë që quhej opozita parlamentare, ai nuk u prek.

Opozita e cilësoi si fitore të saj, PS u tregua e matur duke mos iu gëzuar shumë marrëveshjes e duke shprehur keqardhje se nuk u reflektuan rekomandimet e OSBE/ODIHR, sidomos ai për depolitizimin e administratës zgjedhore, ndërsa ndërkombëtarët e përshëndetën dakordësinë.

Por, sistemi do të modifikohej pak ditë më vonë, kur PS mbështeti nismën e një grupi deputetësh të opozitës parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën dhe hapjen e listave. Kushtetuta u ndryshua dhe në vjeshtë u ndryshua sërish Kodi Zgjedhor për të reflektuar këtë ndryshim të Kushtetutës.

U ndryshua edhe formula e koalicioneve parazgjedhore, që në letër më 25 prill mund të favorizonte PD dhe LSI. Opozita akuzoi se 5 qershori u shkel, ndërsa PS tha se i kishte qëndruar një për një asaj marrëveshjeje.

Pavarësisht përplasjeve për këtë pjesë, zgjedhjet e 25 prillit u mbajtën. Ato nuk u bojkotuan nga asnjë palë dhe rezultati i tyre dihet tashmë. Sot, një vit nga 5 qershori, PD e LSI flasin për masakër zgjedhore dhe kanë apeluar rezultatin e zgjedhjeve në 9 qarqe dhe në të gjitha ankimimet e bëra pretendojnë se ka pasur votim të shumëfishtë, pavarësisht votimit elektronik. Praktikisht, opozita po sulmon pjesën e procesit zgjedhor që e pati në dorë vetë e që shqiptarëve iu kushtoi të paktën 20 mln euro.

Megjithatë, pavarësisht këtyre ankimimeve, që deri më tani nuk kanë ndryshuar rezultatin, bilanci i 5 qershorit është i qartë. PD u rrit, por mbeti në opozitë, LSI u tkurr nga 20 mandate në vetëm 4 dhe Edi Rama mori mandatin e tretë.
Ky përvjetor e gjen PD-në gjithashtu edhe në një proces zgjedhor të brendshëm me katër kandidatura për kryetarë, Lulzim Bashën, Agron Shehajn, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore