Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nga vrasja e shqiptarit në burgun francez dhe arrestimi në Serbi, 4 rastet kur ministrat heshtin

Nga vrasja e shqiptarit në burgun francez dhe arrestimi në Serbi, 4

Shqipëria ka detyrimin kushtetues sipas nenit 8, pika 2 që të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. Kaq mjafton që organet ligjzbatuese të vihen në lëvizje. Por a ka ndodhur?

Institucioni i Avokatit të Popullit në raportin vjetor të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë rendit katër rastet më të rëndat, e për të cilat nuk ka pasur veprime konkrete nga dikasteret shqiptare.

Madje, për këtë në datën 14 tetor të vitit 2019 në shkresën me numër protokolli 442, Avokati i Popullit u është drejtuar katër ministrive konkretisht Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Diasporës dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme me objekt organizimin e një takimi për çështjet e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së shtetasve shqiptarë të privuar nga liria në shtete të tjera.

Në këtë shkresë shprehej nisma e institucionit të Avokatit të Popullit për krijimin e një rrjeti mes këtyre institucioneve për adresimin, diskutimin dhe zgjidhjen e çështjeve të të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së shtetasve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit tonë.

Kjo nisur edhe nga fakti se lëvizja e lirë si dhe kërkimi i mundësive të ligjshme për një jetë më të mirë i shtetasve shqiptarë në shtete të tjera, kanë qenë shpesh histori suksesi që i kanë shërbyer njohjes apo konsolidimit të marrëdhënieve mes shteteve të tjera dhe vendit tonë por për fat të keq ka pasur edhe raste të shtetasve shqiptarë që kanë kryer vepra penale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe ndodhen në burgje jashtë vendit.

Me përjashtim të Ministrit të Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, mungoi reagimi i tre ministrive të tjera (nga Ministria e Brendshme pas shumë telefonatash nga ana jonë, u kthye një përgjigje ku në vend të përcaktimit të datës së takimit me titullarët e institucioneve Avokati i Popullit u informua se për këtë çështje duhet të merrnim kontakt me një specialiste, ndërkohë që nga dy Ministritë e tjera (për Europën dhe Punët e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë) nuk ka pasur fare përgjigje.

Katër ankesat te Avokati i Popullit

Po kush janë 4 ankesat që kanë vënë në lëvizje Avokatin e Popullit. Pranë institucionit të Avokatit të Popullit është paraqitur rasti i shtetases me iniciale M.V., e cila shkruante për rastin e vajzës së saj A. V., e cila ndodhej në një institucion të Ekzekutimit të Vuajtjes së Dënimit në Serbi.

Gjatë qëndrimit në burg ajo ishte diagnostikuar me “Kancer malinj të nyjeve limfatike”. Për shkak të sëmundjes por edhe të sjelljes së mirë të saj gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, ajo kërkonte ndihmën e institucionit të Avokatit të Popullit për të ndërmjetësuar me Mbrojtësin e Qytetarëve të Republikës së Serbisë me qëllim bërjen prej tij të kërkesës institucioneve kompetente serbe për të mundësuar faljen e 1/3 së dënimit të vajzës.

Me marrjen në dijeni të kësaj situate Avokati i Popullit iu drejtua zyrtarisht Mbrojtësit të Qytetarëve të Republikës së Serbisë, i cili informoi në lidhje me mundësitë që ekzistonin për të adresuar këtë çështje.

Rasti i dytë ka qenë vdekja e shtetasit shqiptar Florenc Beqiraj në kushtet e mbajtjes në qendrën e mbyllur të emigrantëve në Canet të Marsejës në Francë, lajm i cili ngjalli një reagim të madh publik në Shqipëri.

Avokati i Popullit e regjistroi këtë rast me iniciativë dhe i dërgoi zyrtarisht një letër Ombudsmanit francez duke i kërkuar interesimin e tij për ndjekjen e kësaj çështjeje. Në përgjigje të kësaj letre, Ombudsmani francez u përgjigj se rasti është në hetim nga Prokuroria e shtetit francez dhe përfundimi i hetimeve dhe vendimmarrja e prokurorisë do vihej në dispozicion.

Rasti i tretë

Në institucionin e Avokatit të Popullit është paraqitur ankesa e shtetases L.T, ku referon se djali i saj I.T. ka qenë në Zvicër dhe ka kërkuar azil në këtë shtet. Pretendohet se atij i janë cenuar disa të drejta nga organet ligjzbatuese të këtij shteti si e drejta e jetës dhe e drejta e lirisë si dhe që nuk ka pasur asnjë interesim nga ambasada jonë në Zvicër.

Rasti i katërt

Në prill 2019, pranë institucionit të Avokatit të Popullit është paraqitur ankesa e shtetasit E.N., i cili ankohej ndaj autoriteteve të drejtësisë greke, pasi prej tre vitesh ndodhet në burg për një akuzë të padrejtë që lidhet me vrasjen e shtetasit shqiptar B. T., ngjarje e ndodhur në Igumenicë të Greqisë.

Ankuesi pretendonte se shtetasi K.T., kushëri i viktimës i cili ndodhet në burg në IEVP Penale Kosovë Lushnje ka dijeni për ngjarjen dhe për këtë kërkonte ndërhyrjen e institucionit të Avokatit të Popullit për të marrë deklarimet e tij dhe më pas informacioni t’i dërgohej atij në vendin e vuajtjes së dënimit.

Pas regjistrimit të kësaj ankese/kërkese, institucioni i Avokatit të Popullit ndërmori të gjithë veprimet e nevojshme administrative përmes komunikimeve zyrtare me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku nga verifikimet e kryera nga ky institucion rezultonte se në IEVP-të e Shqipërisë nuk kishte person të dënuar sipas gjeneraliteteve të dhëna.

Po ashtu nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit u kryen verifikime dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë nga ku u informua se ky institucion nuk ka pasur në hetim çështje penale për personin e pretenduar.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore