Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nga e para tek e radhës/ Si janë ndarë organizatat kriminale dhe kush ka përfituar prej tyre

Nga e para tek e radhës/ Si janë ndarë organizatat kriminale dhe

Për dekada me radhë, në Shqipëri edhe për shkak të një drejtësie shumë më të brishtë se vetë demokracia, por edhe për shkak të korrupsionit në gjyqësor e organe hetimi më shumë janë gjykuar korrierë sesa kapobandat.

Një tjetër vështirësi e fillimit të veprimtarive kriminale të organizatave kriminale lidhet edhe me faktin se vendimet e gjykatave mbështeten në datat në të cilat janë zbuluar aktet kriminale të tyre, dhe jo kur organizata ka filluar veprimtarinë.

Dhe data e kryerjes së një akti kriminal ndodh pasi organizata kriminale ka pasur një kohë të konsiderueshme në të cilën është formuar dhe vendosur për të zhvilluar veprimtarinë kriminale. Në këtë kontekst, fillimet e organizatave kriminale janë më të hershme se koha e dokumentimit të veprës së parë kriminale të tyre të provuar në gjykatë nga prokuroria.

Kështu, organizatat kriminale janë ndarë në dy kategori në organizata kriminale “afatgjata”, dhe ato me një “afat të shkurtër” kohor. Dhe në pjesën e fundit të këtij seksioni raporti fokusohet në analizën e tipologjisë së “rrjetit kriminal” i cili është dhe forma më e përhapur e grupeve kriminale pas vitit 2005.

Organizatat Kriminale “afatgjata“

Fillimet e organizatave kriminale “afatgjata” janë të lidhura shumë me kontekstin vendor, pasi e gjithë veprimtaria e tyre është më e përhapur në zonat ku ato kanë kontroll. Arsyet e formimit të organizatës janë të ndryshme. Ka pasur raste që strukturimi i një grupimi kriminal në formën e një organizate kriminale është bërë për vetëmbrojtje nga përplasjet me organizatat e tjera.

Ka gjithashtu raste kur disa grupime të vogla janë bashkuar në një organizatë të madhe për të luftuar grupin rival. Dhe kjo organizatë shpërbëhej përsëri pasi arrihej ky qëllim, pra eliminohej drejtuesi i bandës kundërshtare.

Për shembull, në rastin e të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”, kjo organizatë është krijuar nga bashkimi i dy grupeve të ndryshme që vepronin në qytetin e Durrësit në vitin 1998.

Një shkak tjetër tipik i cili kthehet në motivin kryesor të formimit të organizatës kriminale “afatgjatë” është hakmarrja. Në këto raste, zakonisht pikënisja e organizimit kriminal fillon me vrasjen e një të afërmi të kryetarit të ardhshëm të organizatës nga një grup tjetër, dhe ky “i dëmtuar” krijon një organizatë kriminale për të eliminuar grupin tjetër. Pra organizata kriminale vepron si strukturë sociale “protektore”.

Një rast tipik ilustrues është “Banda e Lushnjës” ose “Grupi i çunave të Alfred Shkurtit”. Qëllimi i krijimit të kësaj organizate mendohet t’i ketë fillimet në një përplasje midis dy ish-shokëve, Alfred Shkurtit dhe Artur Dajës në Greqi për vrasjen e një miku të tyre të përbashkët, Besnik Tahiri, në periudhën 1990-93.

Më pas kjo qejfmbetje u përshkallëzua në vrasje të njëpasnjëshme, duke filluar me vrasjen e vëllait të Alfred Shkurtit, Ramadan Shkurti, në korrik të vitit 1997. Menjëherë pas kësaj ngjarje, Alfred Shkurti organizon grupimin e tij për të vrarë Artur Dajën, i cili mendohej se ishte pas kësaj vrasjeje. Këto vrasje do të hidhnin bazat për formimin e një ndër organizatave kriminale më të rrezikshme në këto 25 vite. Ky grup kriminal është dënuar me 104 vjet burg nga gjykatat shqiptare dhe 108 vite burg nga gjykatat italiane.

Organizatat Kriminale “afatshkurtra”

Në dallim nga organizatat kriminale “afatgjata”, ato me një “afat të shkurtër” kohor, fillojnë të shfaqen pas vitit 2005, siç është rasti i të ashtuquajturës “Banda Blow” (trafik armësh) apo e “Vajit të Palmës” (trafk droge). Ndër ndryshimet thelbësore midis organizatave “afatgjata” nga ato “afatshkurtra” është se të parat karakterizohen nga një numër i madh anëtarësh, kanë strukturë vertikale në qytete të vogla, por strukturat e tyre në qytete të mëdha si Tirana dhe Durrësi marrin forma horizontale.

Në rastin e organizimeve kriminale “afatshkurtra” është e vështirë të përcaktosh një datë të saktë të pikënisjes së këtyre grupimeve, pasi kohëzgjatja e veprimtarisë së tyre kriminale është relativisht e shkurtër, nga disa muaj deri në 1- 3 vjet. Për shembull, në rastin e bandës “Go West”, një ndër anëtaret e kësaj bande provohet të ketë kryer veprimtari kriminale (pajisjen me dokumente të falsifikuara për udhëtim jashtë shtetit) për 3 muaj gusht-tetor 2005.

Duke u nisur nga përcaktimi, këto organizime i ngjajnë më shumë grupeve të strukturuara dhe janë pjesë e rrjeteve kriminale kombëtare dhe ndërkombëtare, sipas rastit dhe llojit të veprimtarisë kriminale.

Sidoqoftë, duhet cilësuar se organizatat kriminale kanë marrë një hov si nga pikëpamja strukturale por dhe organizative në momentin kur kanë pasur përplasje me grupet rivale dhe më pas, për çështje sigurie, janë strukturuar dhe janë përfshirë në veprimtari kriminale, siç është rasti i “Grupit të Dritan Dajtit”.

Në përgjithësi, shkatërrimi i organizatave ndodh kur kapen drejtuesit e tyre. Në organizatat hierarkike, arrestimi i drejtuesit të organizatës sjell automatikisht dhe shkatërrimin e saj. Sidoqoftë, kjo shpërndarje e organizatës nuk do të thotë që anëtarët e saj shkëputen nga bota e krimit, por ndodh që ata të “riciklohen” brenda ose jashtë vendit duke emigruar dhe duke u përfshirë në veprimtari kriminale atje.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore