Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nga dështimi i modelit "Biden", tek beteja e audiencës/ Çelja e fushatës, detajet e përballjes së parë Rama-Basha

Nga dështimi i modelit "Biden", tek beteja e audiencës/

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë çelur të enjten zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Dy takimet i ndante vetëm një bulevard i shkurtër, por kishte një hendek të madh në mënyrën e organizimit.

Modeli Biden i PD rezulton katastrofë, PS i bindet Komitetit

Partia Demokratike tentoi të importonte modelin Biden në SHBA, ku simpatizantët do ta ndiqnin çeljen e fushatës brenda qindra makinave që ishin parkuar në sheshin “Nënë Tereza”, për t'u mbrojtur kështu nga koronavirusi. Por e gjitha rezultoi një dështim, pasi qytetarët dolën nga automjetet dhe u grumbulluan para podiumit në shkelje flagrante të rregullave kundër covid.  Duket e habitshme sesi Lulzim Basha, i cili duhet thënë se është ndër të paktët politikanë që mban rregullisht maskë edhe kur flet për mediat, lejoi një organizim të tillë, që nga shumë u komentua si "test forcë".

Krejt e kundërta ndodhi në kampin rozë. Socialistët kishin zgjedhur sheshin “Skënderbej”, ku karrigët ku do të uleshin vetëm kandidatët, ishin vendosur shumë larg njëra tjetrës. Asnjë militant nuk ishte i pranishëm në shesh, të cilët siç duket ishin futur masivisht online për të ndjekur takimin.

Nga dështimi i modelit "Biden", tek beteja e audiencës/

Shkelja e rregullave anticovid nga PD, nuk kishte sesi t’i shpëtonte Ramës, i cili tha se opozita nuk ka respekt për ligjin, rregullat dhe shëndetin e qytetarëve.

“Edhe sonte po e bëjmë dallimin e madh. Ne dhe ata u vumë sot përpara syve njerëzve dy kartolina. Mjafton t’i shohësh për të kuptuar ndryshimin e madh dhe hendekun që ndan ne dhe ata në marrëdhënien tonë me njerëzit dhe shtetin. Këtu ka respekt për shtetin, për ligjin, për rregullat që i kemi vënë të gjithë bashkë dhe i kemi pranuar të gjithë bashkë. Ndërkohë, atje nuk ka respekt për shtetin, për ligjin, rregullat dhe njerëzit. Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore dhe familjare, ndërsa atje sundon papërgjegjshmëria”, deklaroi Rama.

Basha “zhduket” mbi 1 orë, Rama i përpiktë

Edhe pse kishte 1 orë distancë mes takimeve, të paktën kështu ishte njoftuar zyrtarisht, fushata u çel paralelisht.

E gjitha ndodhi për shkak të Lulzim Bashës, i cili i la në mënyrë të pakuptueshme simpatizantët e tij për më shumë se një orë duke pritur në shesh. Takimi ishte planikifuar të niste në orën 17:00, por Basha u shfaq në 18:10. Gjatë fjalës së tij kryedemokrati nuk tha asnjë fjalë për vonesën, e cila me siguri do ketë kosto tek elektorati gri, i cili analizon me detaje sjelljen e kandidatëve për kryeministër. Vonesa e Bashës u përdor me ironi edhe nga Rama, i cili tha se demokrati po flinte gjumë.

“Makina dhe dasmorë vunë përpara një dhëndërr që u vonua një orë. Çfarë mund të presësh nga dikush që la një orë në të ftohtë njerëzit që mblodhi vetë? Natyrisht që po flinte gjumë sepse e la takimin në orën 17:00, nuk është orë për Lulin. Atje, në mungesë të dhëndrrit, dasmorët dëgjonin britma, klithma e pasthirrma. Si mund të pretendohet në shekullin XXI, në vitin 2021, që të merret në dorë Shqipëria e të qeveriset me britma. Atyre që shohin këto dy kartolina u them se nëse doni të dini se çfarë e pret këtë vend, nëse ata do të vinin përsëri në krye, shikoni sheshin “Nënë Tereza”, që është bllokuar totalisht dhe është ngatërruar me këmbët e veta”, tha kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, takimi i PS nisi fiks në orar dhe madje para atij të PD-së, edhe pse ishte planifikuar të niste një orë më vonë.

Rama-Basha, strategjia e komunikimit

Edhe pse dy takimet nisen më këndimin e himnit Kombëtar, krejt e ndryshme ishte mënyra sesi Basha dhe Rama iu qasen qytetarëve.

Lideri i PD, zgjodhi t’u drejtohet qytetarëve më së shumti me mesazhe elektrizuese, pa folur në thelb, me detaje për programin e tij. Ai foli për misionin e tij për të futur Shqipërinë në BE, për të shmangur emigrimin dhe për të hapur vende të reja pune.

Nga ana tjetër, në një fjalim të tejzgjatur, kryeministri u përpoq të argumentonte se pse kërkon edhe një mandat të tretë tek qytetarët, duke u fokusuar shpesh edhe tek gabimet e PD dhe sulmet ndaj Berishës, Metës, Kryemadhit, Agron Dukës dhe Nard Ndokës. Rama tha se PS-së i duhet mandati i 3-të, që t’mos i japë shans Metës, Berishës dhe Monikës që ta tërheqin Shqipërinë zvarrë për interesat e tyre.

Kryeministri tha se mandati i 3-të bën të pakthyeshme Reformën në Drejtësi dhe bën të mundur ardhjen e një drejtësie të re

Në çeljen e fushatës së PS folën gjithë kryesuesit në qarqe, ndërsa selia Blu e hapi fushatën me një shkrimtare, për të vazhduar me një aktor, një sportist dhe për ta mbyllur me Lulzim Bashën.

Beteja e audiencës online

Një tjetër detaj i rëndësishëm që duhet analizuar në nisje të kësaj fushate ishte edhe beteja e audiencës online.

Edhe pse Basha tentoi të tregonte forcën duke nxjerrë qytetarët në shesh, një autogol nëse iu referohemi rregullave të covid, opozita e humbi ndjeshëm betejën e ndjekësve përmes Facebook.

Sipas të dhënave të marra nga faqet zyrtare në Facebook të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, rezulton se ky i fundit kishte të paktën tre herë më pak ndjekës.

Kandidati për kryeministër, e humbi betejën edhe  pensionisten Luljeta Bozo. Teksa flisnin paralelisht, Bozo po ndiqej nga 21 mije qytetarë, ndërsa Basha nga vetëm 6 .6 mijë.

Nga dështimi i modelit "Biden", tek beteja e audiencës/

Basha e mbyll me familjen, Rama e mbyll me “jemi më të mirët”

Edhe mbyllja e takimit kishte diferenca të mëdha mes dy kampeve. Lulzim Basha mbajti një fjalim kryesisht të shkurtër, ndërsa u përpoq të elektrizonte vazhdimisht turmën. Në mbyllje të fjalimit të tij, Basha u suprizua nga familja, pasi bashkëshortja Aurela dhe dy vajzat u ngjiten në skenë dhe iu hodhën në qafë.

Nga ana tjetër, kryeministri, ashtu siç bën gjithmonë, foli gjatë dhe e pranoi se do të bëhej i padurueshëm për kandidatët e PS, pasi u detyruan të rrinë në të ftohtë në mes të sheshit, të ulur në karrige.

“Duke e pasur të qartë se çfarë përballje me temperaturën e ulët po kaloni të gjithë, e marr me mend se ça po mendoni këtë moment. Kush duron tani, edhe sa të mbarojë ky që kur fillon flet nuk dihet kur mbaron.”, tha kryeministri në nisje të fjalës së tij.

Kjo ishte një ekspoze e shkurtër e asaj sesi nisi fushata e 25 prillit, një fushatë e cili pritet të jetë e egër.

“Sdo iu them natën e mirë. Paçi të bardhë natën e parë të këtyre 30 netëve të bardha”, e mbylli Rama fjalën e tij.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore