Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Nga burrë shteti te non grata – Shkëlqimi dhe rënia e Sali Berishës

Nga burrë shteti te non grata – Shkëlqimi dhe rënia e Sali

Sali Berisha u dorëhoq si kryetar i Partisë Demokratike në vitin 2013-të, por mbeti aktiv në politikë, fillimisht në Kuvend dhe më vonë përmes rrjeteve sociale. Pavarësisht kësaj tërheqjeje, për shumë ai konsiderohej si drejtuesi real i opozitës, dora e gjatë e të cilit shtrihej në çdo vendimmarrje të rëndësishme të Lulzim Bashës.

Përfshirja në listën e zezë amerikane është pika më e ulët e karrierës politike të Berishës. Në këtë nivel ai nuk arriti as në vitin 1996-1997, kur sfidonte haptazi Ambasadoren e SHBA në Shqipëri, Mariza Lino. Përplasja e parë e tij me DASH nuk ishte rastësi. Përgjatë qeverisjes së tij të parë, nga 1992 deri në 1997 u akuzua për shkelje të përsëritura të të drejtave të njeriut, dhunim të kundërshtarëve politikë, aktivistëve e gazetarëve.

Skandalet morën të tjera përmasa me shpërthimin e skemave piramidale, që deri në atë kohë lulëzuan në Shqipëri edhe me bekimin e tij. Pikërisht nga këto skema, me mijëra familje shqiptare humbën paratë dhe nga trazirat që pasuan, me qindra të tjerë edhe jetën.

Një vit pasi ishte larguar nga pushteti udhëheq trazirat e shtatorit 1998-të, pas vrasjes së Azem Hajdarit. Kryeministrinë ja doli mbanë që të merrte dhe sipas dëshmive të mëvonshme u tërhoq falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, që ja bënë të qartë se për ta ky ishte një grusht shteti. Sa për vrasjen e Azem Hajdarit ka pasur akuza e dyshime publike për rolin e tij, rol që nuk është zbardhur asnjëherë.

Pas këtij episodi, Berisha nisi të ndërtojë gradualisht profilin e një politikani të ashpër e të dhunshëm, por që përballë korrupsioni të Qeverisë Nano të shihej si “i ndershëm”. U rikthye në pushtet në 2005 me sloganin “Me duar të pastra” dhe premtime për të çrrënjosur korrupsionin nga administrata shtetërore.

Fillimisht politikat e  tij njohën disa progrese dhe raportet personale të Berishës me SHBA ishin të shkëlqyera, aq sa në 2007 Shqipërinë e viziton Presidenti George Ë. Bush. Një vit më vonë, Shqipëria anëtarësohet në NATO, ironikisht pak ditë pas shpërthimit të Gërdecit.

Duket se ky shpërthim nuk hodhi në erë vetëm fabrikën famëkeqe të demontimit të armëve në këtë fshat pak kilometra larg Tiranës, por edhe marrëdhënien e Shqipërisë me SHBA. Përpjekjet për të minuar hetimin e këtij skandali ishin të larmishme, që nga ato përmes ndikimit të drejtpërdrejtë e shantazheve përmes deklaratave publike, e deri te dyshimet e përdorimit të nismave ligjore, si ligji i lustracionit për të larguar prokurorët që kishin në duar dosjen “Gërdeci”.

Pas Gërdecit dhe në përpjekje për t’iu pranuar aplikimi për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE te Presidenca çeke, Sali Berisha i jep kompanisë çeke “CEZ” Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Koncesioni rezultoi një dështim. Qeveria largoi CEZ, që hodhi në gjyq palën shqiptare, proces që u mbyll nga qeveria socialiste përmes një marrëveshjeje.

Për këtë koncesion ka pasur akuza, që kanë mbetur të tilla, për përfshirje korruptive të vetë Sali Berishës dhe të familjarëve të tij, si ndërmjetësues duke përfituar miliona euro në këmbim.

Pas 21 janarit 2011, duke sikur Berisha i rregulloi sërish raportet me SHBA, ose të paktën me përfaqësuesin e saj në Tiranë, që në atë kohë ishte Alexander Arvizu. Ky i fundit e cilësoi “Burrë shteti” pas vendimit të Berishës për t’u tërhequr nga një anti-miting të thirrur një javë pas tragjedisë, po në të njëjtën ditë që socialistët kishin thirrur një marshim heshtjeje në bulevard në nderim të viktimave.

Në 2013-ën largohet dhe dy vite më vonë i rikthehet gjuhës së ashpër ndaj ambasadorëve. Në shënjestrën e tij këtë herë ishte Donald Lu i SHBA dhe Romana Vlahutin e BE për rolin e tyre në miratimin e reformës në drejtësi.

Berisha akuzohet edhe si personi që qëndron pas vendimit të të Partisë Demokratike në shkurt 2019 për të djegur në bllok mandatet e deputetëve me qëllim shkaktimin e një krizë politike, që do të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme. Djegia e mandateve u la vendin protestave shpesh të dhunshme, që Ambasada e SHBA i cilësoi si jodemokratike.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore