Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Negociatat me Shqipërinë brenda vitit? Varhelyi: Në lojë është besueshmëria e BE

Negociatat me Shqipërinë brenda vitit? Varhelyi: Në lojë

Paketa e zgjerimit e prezantuar nga Oliver Varhelyi para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian përforcoi bindjen e Komisionit Europian se Shqipëria ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave dhe kërkon që nisja formale e tyre të mbahet brenda këtij viti.

“Shqipëria vazhdon të plotësojë kushtet e hapjes së negociatave. Është thelbësore tani që BE të bjerë dakord që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pa u mbyllur ky vit”, thuhet në paketën e zgjerimit të prezantuar nga Komisioneri Varhelyi.

Vetë Komisioneri i Zgjerimit tha para eurodeputetëve se ngurrimi i BE për të zhvilluar konferencat e para ndërqeveritare në kuadër të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka vënë në pikëpyetje të madhe besueshmërinë dhe seriozitetin e Brukselit në rajon.

“Është e domosdoshme që të garantojmë besueshmërinë dhe jetësojmë procesin e anëtarësimit. Nëse partnerët tanë kanë kryer reformat, BE duhet të ecë përpara me negociatat. Vonesat në nisjen e negociatave si për Shqipërinë, ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut kanë pasur një ndikim negativ në besueshmërinë e unionit. Të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë duhet të zgjidhen urgjentisht”, tha Varhelyi para eurodeputetëve.

Shqipëria, tha Komisioneri, ka përparuar në reformat kyçe, sidomos në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai vlerësoi edhe zgjedhjet si të mirëorganizuara, duke theksuar se vendi vijon të mbetet nën monitorim të kujdesshëm.

Megjithatë, kjo nuk ëshë hera e parë që Komisioni Europian bën thirrje për dhënien e një date për tryezën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së. Prej marsit të 2020, kur Këshilli dha dritën jeshile për to, KE procesi është shtyrë vazhdimisht. Fillimisht ishte Franca që e kushtëzoi hapjen e tyre me ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit dhe më pas Bullgaria me veton e vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut në lidhje me përplasjen për çështjet të gjuhës dhe kulturës.

Nëse këtë herë gjërat do të ndryshojnë, kjo do të mësohet brenda kësaj jave pas mbledhjes së Këshillit Europian të 21-22 tetorit. Në këtë mbledhje zgjerimi është një prej çështjeve të përfshira në agjendën e diskutimit, por nuk është më një çështje e preferuar e disa vendeve anëtare.

Dy dokumente të brendshme të BE-së nuk vënë në mëdyshje vetëm anëtarësimin e Shqipërisë e të Maqedonisë në union, por gjithë strategjinë e zgjerimit që ka Brukseli.
Dokumenti i parë i cituar nga Reuters thotë se vende si Holanda, Danimarka e madje edhe Franca kërkojnë që BE të mos zgjerohet më me Ballkanin Perëndimor, por t’i ofrojë rajonit një partneritet strategjik.

Dokumenti thotë se shqetësimi i këtyre vendeve lidhet me frikën se anëtarësimi do të pasojë një fluks emigrantësh, të ngjashme me valët e së shkuarës kur u anëtarësua Polonia, Rumania e Bullgaria.

Dokumenti tjetër për qarkullim të brendshëm në BE citon shqetësimet e Francës dhe të Gjermanisë për numrin e lartë të kërkesave për azil të pabazuara. Shqipëria përmendet nga të dyja vendet si burim i këtyre shtetasve dhe shkohet deri atje sa t’i propozohet Komisionit që të shohë mundësitë e aktivizimit të instrumentit të pezullimit të vizave.

Kërkesat e larta të pabazuara të azilit janë një prej kushteve të kërkuara nga ky instrument për t’u aktivizuar. Shqetësimet për këtë fenomen ndaj Shqipërisë Franca i ka që prej vitit 2015. Por, mundësitë që lëvizja e lirë të pezullohet janë minimale. Për këtë vendim kërkohet vota unanime e vendeve anëtare dhe në një përpjekje të tillë në 2019-n, por duke cituar “krimin shqiptar”, Holanda dështoi./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore