Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Në shkelje të ligjit/Zyrtarë dhe drejtorë në 30 institucione nuk publikojnë CV dhe pagat

Në shkelje të ligjit/Zyrtarë dhe drejtorë në 30

Zyra e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përzgjodhi 30 autoritete publike (kryesisht ministri dhe institucione të pavarura) për të kryer një monitorim më të thelluar, në lidhje me kategoritë e informacionit që duhet të jenë pjesë e programit të transparencës.

Nga monitorimi u konstatua se nuk është publikuar informacioni i detyrueshëm në përputhje me pikën 1, të nenit 7, të ligjit për të drejtën e informimit. Bëhet fjalë për CV-të e plota për ata që drejtojnë institucionet në vend, që nga arsimimi, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit.

Sipas këtij institucioni, mungojnë gjithashtu të dhënat për strukturat, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime.

Një tjetër vërejtje për institucionet publike lidhet me mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit; të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit.

Në ato raste kur autoriteti publik vetëfinancohet nga tarifat e licencave ose çdo formë tjetër e financimit të drejtpërdrejtë nga subjektet e rregulluara prej tij, bëhen publike edhe dokumentet që tregojnë gjendjen e shlyerjes së detyrimeve nga subjektet e licencuara.

Në shkelje të ligjit/Zyrtarë dhe drejtorë në 30

Zyra e Komisionerit ka dalë me 30 Rekomandime për ministritë dhe institucionet e pavarura, të cilat do të jenë objekt monitorimi i vazhdueshëm.

Misioni i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale është garantimi i zbatimit të legjislacionit për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Në përmbushje të tij, Zyra funksionon si mekanizëm për vendosjen e ekuilibrit mes këtyre dy të drejtave kushtetuese. Parimet dhe tiparet thelbësore të saj janë pavarësia, paanësia, besueshmëria dhe transparenca ndaj publikut.

Gjatë këtij viti, Zyra e Komisionerit nuk e ka shkëputur fokusin nga ajo që konsiderohet bërthama e veprimtarisë, shërbimi për qytetarët. U regjistruan 1087 ankesa dhe u ndërmorën 227 hetime administrative, mbi bazë ankese dhe kryesisht. Shifrat janë në rritje dhe kjo vjen si rrjedhojë e një pune sistematike në zbatim të kuadrit ligjor kombëtar, rekomandimeve të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe detyrimeve ndërkombëtare.

Tema më aktuale sot është garantimi i privatësisë dhe mbrojtja e të dhënave personale, interesave dhe të drejtave të tjera të individit, në një ekuilibër të plotë me zhvillimin ekonomik.

Forcimi i masave për sigurinë e të dhënave është detyrim themelor për të gjitha organizatat me qëllim rritjen e besimit të publikut. Përfundimi i këtij viti kulminant, nuk mund të ishte i tillë pa angazhimin e çmueshëm të stafit të autoritetit, partneritetin e të gjithë aktorëve publik dhe privat, vendas e ndërkombëtar.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore