Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

"Morava Resort"/ Kush ia dhuroi gjyqtarit Qori truallin dhe godinën në Sarandë? Mijëra USD për shkollat e vajzave në SHBA!

"Morava Resort"/ Kush ia dhuroi gjyqtarit Qori truallin dhe

Morava Resort- Gjyqtari i kapur nga banda e ish-zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, apo atyre të shkarkuar nga Vetingu, që veprojnë për llogari të biznesmenit Arben Reli, ka ngritur një pasuri të frikshme, vetëm me rrogën e tij dhe të bashkëshortes. Bedri Qori, ende i pavetinguar, vazhdon të japë vendime tepër të dyshimta në Dhomën Penale në Gjykatën e Tiranës, teksa Gazeta Shqip ka raportuar për një vendim të tij, për të cilin dyshohet se është paguar një shumë prej 100 mijë eurosh.

Banda ka një "kokë", që është ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili duke përdorur gjyqtarin dhe prokuroren e shkarkuar, Ervin Metalla dhe Antoneta Sevdari, po synon që të kapë edhe "llumin" e mbetur në sistemin e drejtësisë. Gjyqtari Bedri Çobo Qori ishte i pari në listë, teksa zeroi provat e Prokurorisë së Tiranës për noteren Margena Çela, e cila falsifikoi në favor të Arben Relit dokumente, me qellim që biznesmeni të shtinte në dorë pasurinë e tjetërkujt.

Gazeta Shqip synon që të hedhë dritë mbi këta personazhe, por në investigimet e saj është ndalur më së shumti te njerëzit që bëjnë "pis" drejtësinë. Dhe, investigimet janë për këta emra, të përmendur më sipër, por jo të vetëm, që kanë krijuar këtë grup, që më së shumti i ngjan organizatave mafioze italiane, ku krimi depërtonte deri në nivelet më të larta të sistemit të drejtësise, apo pushteteve të tjera legjislative si dhe pushtetit qendror dhe lokal. Dhe, në vijimësi Shqip ka raportuar për këtë bandë në Shqipëri, që ka arritur të rekrutojë ministra, kryetarë bashkish, deputetë, prokurorë dhe gjyqtarë.

I tillë ishte gjyqtari Bedri Qori, për të cilin në redaksinë e gazetës Shqip kanë mbërritur informacione se ka marrë vendime tepër të dyshimta, ku janë paguar dhjetëra mijëra euro. Pas këtyre informacioneve, gazeta hulumtoi deklaratat e pasurisë të këtij gjyqtari, ku rezultoi se vetëm me pagën e tij dhe të bashkëshortes, gjyqtari ka blerë apartamente, lokale, garazhe, automjete luksoze, madje ka mijëra USD në shtëpi. Por, me paga gjyqtari ka paguar dhjetëra mijëra USD për shkollimin e vajzave në SHBA!

Në pjesën e parë të investigimit, analizuam pasurinë e Bedri Çobo Qorit nga viti 2003 deri në vitin 2010. Ndërkohë, në këtë pjesë do të ndalemi te deklarimet pas këtij viti, deri në ditët e sotme. Sipas dokumenteve që në disponojmë, në vitet pasardhëse, Qori dhe familja e tij shtuan llogaritë bankare, në rreth 40 mijë USD. Por, deklarimi më i dyshimtë mbetet deklarimi i vitit 2011. Këtu fillojnë transaksionet e dyshimta dhe dhuratat që ka marrë familja. Në 2011-ën shpenzoi 9500 USD për shkollimin e vajzës në SHBA, ndërsa shiti Benz-in.

Por, në këtë vit ka bërë një transaksion të dyshimtë, pasi i është dhuruar një pasuri e paluajtshme, truall 500 m2 dhe një ndërtesë karabina 110 m2 në Sarandë. Në deklarimet periodike në ILDKPKI nuk jepen të dhëna të tjera se kush ia dhuroi këtë pronë. Dhe, me çfarë merite? A ishte kjo kontratë dhurimi "shpërblim" për një aferë kriminale? Kush mund të të dhurojë një pronë të tillë, përveccse kur jep vendime në favor të bandave! Padyshim, ky transaksion, por edhe pasuri të tjera, do të analizohen nga KPK, por me këto deklarata gjyqtari është për ndjekje penale.

Ndërkohë, duke u ndalur te pasuria, rezulton se në vitin 2012 ka deklaruar të ardhura nga lokali, pagën e tij dhe të bashkëshortes, shpenzime për shkollën e vajzës në SHBA me 7500 USD, ka tërhequr 15 mijë USD, por ka hapur disa llogari të tjera. Ka bërë disa transaksione, vajzës në SHBA, 1500 USD një personi të panjohur. Po në këtë vit, Qori ka blerë një Benz luksoz, në vlerën e 15 milionë lekëve të vjetra. Por, pavarësisht të gjithë shpenzimeve, ai vijonte të kishte kesh në shtëpi 18 mijë euro. Ku i gjeti?!

Në vitet 2013 dhe 2014 ka deklaruar pagën e tij dhe të bashkëshortes, të ardhura nga lokali, ndërsa vijon që të paguajë mijëra USD për shkollimin e vajzës në SHBA. Në këto dy vite ka paguar rreth 20 mijë USD për shkollimin e vajzës, ndërsa në llogari kishte dhjetëra mijëra euro dhe USD, ndërsa në shtëpi kishte mbi 10 mijë USD. Në vitin 2015 deklaron pagën si gjyqtar në Tiranë, pas viteve të tëra në Lushnje, ndërsa në këtë vit kishte shtuar pasurinë me 18.200 USD. Në këtë vit paguan edhe shkollën e vajzës tjetër në SHBA, teksa deklaron 18.100 USD. Në vitin 2016 deklaron disa llogari bankare të vajzave Denisa dhe Egla Qori, me vlerë dhjetëra mijëra USD. Ndërkohë që në vitin 2017 deklaron se ka shtuar pasurinë me 9 mijë USD, por po kaq ka shpenzuar për vajzën në SHBA. Dhe, në vitin 2018, pasi bëri dhjetëra deklarime fitimprurëse të lokalit, ai mbyll aktivitetin. Në këto vite, gjyqtari me origjinë nga Tepelena vijon të paguajë mijëra euro për shkollimin e vajzës në SHBA, ku në vitet 2017 dhe 2018 ka deklaruar se ka paguar rreth 15 mijë USD.

Ndërkohë, në vitet e fundit, Qori i Relit ka vijuar të deklarojë të ardhura të frikshme për kushtet e Shqipërisë, ku vetëm me paga arriti që të ngrejë nje pasuri për tu pasur zili edhe nga biznesmenët më të mëdhenj që operojnë në vendin tons. Të jenë vallë paratë e rrogave? Natyrisht, Qori ende s'ka dalë para Vetingut, teksa një trupë profesionale mund t'i zbulojë të gjithë të ardhurat. Shqip do të vijojë të publikojë prova dhe dokumente të tjera që implikojnë pjesëtarët e kësaj bande, e cila tashmë po synon që të kapë edhe gjyqtatët ende të pavetinguar të Apelit. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore