Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

"Morava Resort"/ KÇK para Vettingut, gjyqtari Bedri Qori pushon gjyqin për noteren Margena Çela që fabrikoi dokumente false

"Morava Resort"/ KÇK para Vettingut, gjyqtari Bedri Qori pushon

Gjyqtarët kanë hapur "thesin" para Vetingut. Nëse para një viti hapnin grushtet apo xhepat, në këtë kohë po veprojnë hapur. Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nuk japin llogari për pasuritë e padeklaruara.

Kjo ka sjellë që, të marrin vendime të dyshimta për të mbushur vendet bosh! Gazeta Shqip ka siguruar në mënyrë ekskluzive një vendim gjykate, tepër skandaloz, ku gjyqtari Bedri Qori ka pushuar akuzën ndaj noteres Margena Çela.

Në mënyrë arbitrare, gjyqtari ka mbyllur sytë para provave të organit të prokurorisë, i cili e kishte marrë të pandehur noteren me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Një vepër penale që parashikon një dënim deri në 7 vite burg, por për Qorin një vepër e tillë ka një dënim "0 ditë".

Natyrisht, pas këtij vendimi fshihet një skemë e mirëfilltë kriminale, të cilën do e kishin zili edhe organizatat mafioze italiane. Por, në këto radhë do të ndalemi te vendimi i Bedri Qorit, që ka mbrojtur me fanatizëm noteren që fabrikonte dokumente.

Sipas dokumenteve që disponon gazeta Shqip, në datën 3 dhjetor 2021, gjyqtari Bedri Qori ka marrë një vendim me numër 1250. Çështja ka shkuar në muajin prill 2021, ndërsa akuzën e ka ngritur prokurorja Anisa Qilimi, e cila ka dërguar çështjen në gjykim. Prokurorja Qilimi e ka akuzuar noteren Margena Çela, e vitlindjes 1974, me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

"Nga shqyrtimi i akteve të hetimeve paraprake të procedimit penal, nr.5077/1, të vitit 2020 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, rezulton se nuk egziston dokument i falsifikuar dhe për këtë arsye dhe në interpretim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penal, gjykata çmon se duhet vendosur pushimi i procedimit penal" shkruan gjyqtari Bedri Qori. Në fund, me emër dhe firmë, gjyqtari i pa vetinguar, shkruan se rrëzon kërkesën e prokurorisë, pushon procedimin penal dhe shpenzimet ashtu siç janë bërë.

Por, për kujtesë të Bedriut dhe bedrinjve të tjerë, që janë rreshtuar në krah të Arben Relit, po hedhim dritë mbi abuzimet e noteres Margena Çela. Disa javë më parë, gazeta Shqip publikoi detaje nga dosja me numër 5077 të Prokurorisë së Tiranës për noteren Margena Çela, e cila akuzohet për falsifikim dokumentesh.

Në muajin korrik të vitit 2020, Prokuroria e Tiranës regjistroi një procedim penal për disa persona, me në krye biznesmenin Arben Reli. Bashkëpunëtorja më e afërt e tij, sipas dokumenteve zyrtare, është noterja Margena Çela.

Në muajon tetor 2020, Prokuroria e Tiranës, ka bërë edhe ndryshimin e cilësimit juridik për këta të akuzuar, ku në "rol" kryesor ka qenë pikërisht noterja. "Arben Reli ka përfituar nga një deklaratë noteriale, me numër 2639, të datës 03.08.2011 e përpiluar nga notere Margena Çela" thuhej në dosje.

Së pari, "nënshkrimi në këtë deklaratë nuk është i z.S.F. Së dyti, pasaporta që është bashkëngjitur kësaj deklarate, ka qenë jashtë qarkullimi. Pra, dy shkelje tepër të rënda, që janë faktuar nga prokuroria. Në dokumentet e prokurorisë shkruhet se është sekuestruar regjistri dhe kjo deklaratë origjinale.

Dhe, për çudi rezulton se "kërkues të këtij shërbimi është shtetasi Arben Reli, dhe jo S.B, i cili në fakt duhej të ishte kërkuesi, pasi ai është i vetmi nënshkrues i deklaratës". Prokuroria ka sekuestruar edhe kopjet e kësaj deklarate në Kadastër dhe në Bashkinë Korçë, të cilat në të dyja rastet kanë qenë fotokopje dhe jo origjinale.

Këto akte janë dërguar për kryerjen e ekspertimit tekniko – grafik. Ekspertët kriminalistë, Vjolxhin Kuka dhe Durim Çako, kanë dalë në konkluzionin se "deklarata është e falsifikuar".

"Shkrimi emër mbiemër S.B dhe nënshkrimi poshtë tij, të përpiluar pranë notere Margena Çela, nuk është shkruar dhe nënshkruar nga shtetasi S.B. D" shkruajnë ekspertët.

Prokuroria kishte analizuar në detaje të gjitha veprimet e noteres Çela, biznesmenit Reli dhe zyrtarëve shtetërorë. Në datën 22 tetor 2020, në orën 11.45 është marrë në pyetje vetë noterja Margena Çela. "Këtë deklaratë ma ka sjellë në zyrë shtetasi Arben Reli dhe ajo ishte e gatshme" ka thënë noterja.

Pra, e ka pranuar me gojën e saj që ia ka sjellë z.Reli. Më tej, pohon se në zyrë i ka shkuar Reli dhe z.S.B., "dhe sa më kujtohet deklarata ishte e punuar nga Arbeni!".

Po si ka mundësi që një deklaratë e gatshme ti shkojë në zyrë noteres?! Fakti tjetër që ka dhënë deklarime noterja ishte pasaporta e z.S.B., por ajo ngatërrohet dhe thotë se S.B. ka qenë në zyrën e saj.

Sipas një dokumenti tjetër të prokurorisë, të datës 20 tetor 2020, u vendos që noterja të hetohej në Tiranë. Zonja Çela u hetua për falsifikim dokumentesh, akuzë e cila parashikon një dënim deri në 7 vite burg.

Por, ajo u hetua në gjendje të lirë, me asnjë masë shtrënguese. Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve nuk morën asnjë masë ndaj.

Dhe, për më tepër, pas gjithë këtij skandali, Qori i vuri "vulën" duke pushuar çështjen. Por, kush u investua në këtë pafajësi?! Gazeta Shqip do të hedhë dritë mbi personat e përfshirë në këtë skandal!

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore