Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

"Morava Resort"/ Gjyqtari milioner që mori "copy paste" mbrojtjen e bandës për të shpëtuar noteren

"Morava Resort"/ Gjyqtari milioner që mori "copy paste"

Morava Resort- Bedri Qori, gjyqtari milioner, jo nga rrogat por nga ryshfetet e dyshuara, krahas kriterit të pasurisë, cedon rëndë edhe në aftësinë profesionale. Qori, me origjinë nga Tepelena, qytet i cili nxjerr me bollëk policë, u katapultua gjyqtar, duke dhënë drejtësi në fillim në Lushnje dhe aktualisht në Tiranë. Por, pavarësisht se ka ardhur në kryeqytet ai vijon të ketë mendësi nga qytetet provinciale, pasi edhe vendimet gjyqësore janë tepër të diskutuara. Por, nëse në Tepelenë dhe Lushnje këto vendime nuk anatemoheshin, në Tiranë juristët e "tregojnë me gisht", pasi në rreshtat e vendimeve dallohet qartë kur e ka bërë qokën.

Në investigimet e mëparshme, gazeta Shqip ka zbuluar grupin kriminal që mbron Arben Relin, i akuzuar për mashtrim, falsifikim, etj., madje edhe anëtarët e tij, duke filluar nga Sollaku, Metalla, Sevdari, Çela. Këta të fundit një grusht burokratësh të sistemit të drejtësisë, disa prej të cilëve të flakur tutje nga Vetingu. Por, në një rast ia dolën t'ia hidhnin sistemit ku deri dje ngrinin akuza dhe jepnin vendime "në Emër të Republikës". Por, të dashur burokratë, jo kaq trashë! Jo kaq shabllon, kur çdokush që ka dy pare mënd mund të zbulojë se çfarë fshihet pas.

Vitin e kaluar, gjyqtari Bedri Qori, dha vendimin me numër 1250, me të pandehur notere Margena Çela, e cila akuzohej për falsifikim dokumentesh. Kishte fabrikuar disa dokumente në favor të Arben Relit, me qëllim që ky i fundit të shtinte në dorë pasurinë e tjetërkujt. Tentoi t'i marrë ortakut S.B kompleksin "Morava Resort", duke i ndryshuar emrin në "Montrelux". Dosja e prokurorisë ishte e kopsitur, me akte ekspertimi të Policisë Shkencore, me dëshmi dhe gjithçka tjetër. Por, ccfarë bëri Qori i Relit?! Rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për dërgimin e dosjes në gjykatë. Arsyetimi, ishte e paplotë. Por, këto radhë të shkruara në vendimin prej 19 faqesh, ishin fjalët e Qorit apo të ish gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu, tashmë që enden në dyert e prokurorive dhe gjykatave që i kanë bërë pis? Metalla dhe Sevdari janë rikthyer në "vendin e krimit", duke korruptuar apo duke u shkruar vendime kriminale gjyqtarëve ende të pavetinguar.

Gazeta Shqip ka siguruar në mënyrë ekskluzive vendimin e plotë të Bedri Qorit, që s'pranoi dosjen e prokurorisë për noteren Margena Çela. Gjithashtu, Shqip ka siguruar edhe parashtrimet e mbrojtjes së Çelës, pikërisht të Metallës dhe Sevdarit, tashmë në rolin e "avokatëve të djallit". Dhe, dyshimet u faktuan: gjyqtari Bedri Qori "kopjoi" paturpësisht të gjithë paccavuren e mbrojtjes.

Pikë e presje, madje edhe gabimet trashanike që shkruanin Metalla dhe Sevdari. Nga një krahasim që bëri redaksia jonë, rezulton se Qori dyshohet se nuk e ka shkruar vendimin, por këto radhë i kanë shkruar anëtarët e bandës së Relit, të kryesuar nga ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Shikojini kë vëmendje: mbrojtja radhit 6 pika. Të njëjta pika ka edhe vendimi i Qorit.

Ndërkohë, rendit edhe disa akte ekspertimi, të cilat nuk egzistojnë në dosjen e prokurorisë. Por, Qori i fut në vendim se "ashtu i shkruan mbrojtja". Pra, janë akte ekspertimi private të disa Hajdarëve që veprojnë në favor të bandës, akte për të cilat kemi denoncuar më herët se është paguar një ryshfet prej 10 mijë eurosh. Madje, aktet e këtyre Hajdarëve nuk janë prezantuar ende në Prokurorinë e Korccës, që i ka kërkuar.

Por, pavarësisht se nuk ia kërkoi kurrkush, Qori i Relit i fut në vendim. Arsyeja?! Ashtu ia kërkoi mbrojtja. Ashtu thuhet në parashtrimet e Sevdarit dhe Metallës. Por, Qori duket si një "kopjac" i keq, pasi merr shabllon radhët e bandës dhe harron me dashje provat e prokurorisë. Një vendim tepër i dyshimtë, i cili tashmë ka shkuar në organet e drejtësisë, në KLGJ, KPK e madje në Apel.

Gjyqtari milioner tashmë është në lupën e organeve të reja të drejtësisë, të cilat do e vlerësojnë 360 gradë, nga vendimet e dyshimta e deri te pasuria marramëndëse e tij. Shqip raportoi se Qori kishte krijuar miliona lekë, qindra mijëra euro dhe USD vetëm me rrogën e tij dhe të bashkëshortes. Krijoi fiktivisht të ardhura nga një lokal, duke blerë shtëpi, garazhe, automjete luksoze, madje duke shkolluar vajzat në SHBA, duke paguar nga 20 mijë USD në vit.

Por, transaksioni më i dyshimtë ishte dhurimi i një trualli dhe një banese në Sarandë, ku me hetime penale dhe administrative mund të zbulohet një aferë akoma me e rëndë. Por, nëse në rastin e fundit mbrojti Arben Relin, një person me dhjetëra precedentë penalë, cilët kriminelë ka mbrojtur më herët, duke arritur të ngrejë këtë pasuri?

Provat dhe faktet janë në SPAK apo në KPK, të cilat mund të zbulojnë se kush e pasuroi gjyqtarin Bedri Qori. Për aferën e fundit, Shqip denoncoi se dyshohet se është paguar një ryshfet prej 100 mijë eurosh, ndërsa këtë precedent Qori e ka pasur edhe më herët. Por, tani "laku" po i ngushtohet dhe hetimet e mëvonshme do të zbulojnë të gjitha mitëdhëniet dhe mitëmarrjet. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore