Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Mbështetja për Dvoranin/ A është kjo një goditje e SHBA për Ilir Metën?

Mbështetja për Dvoranin/ A është kjo një goditje e SHBA

Shqipëria mori një vlerësim të lartë sa i përket procesit të reformës në drejtësi. Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi gjykatësin Adrian Dvorani si kampioni i luftës kundër korrupsionit. Ai është në mesin e 12 personaliteteve në mbarë botën që morën një vlerësim nga sekretari amerikan i shtetit si kampioni ndaj Antikorrupsionit.

“Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit në vlerësimin e tij.

Po ashtu në motivacion thuhet se zoti Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016.

Natyrshëm shtrohet pyetja: Kujt i drejtohet ky mesazh i rëndësishëm i lëshuar nga administrata e re Joe Biden nëpërmjet DASH?

Ky mesazh nga Uashingtoni nënkupton se Dvorani gjatë detyrës së tij në krye të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, institucioni që kishte si detyrë përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese ka pasur jo pak presione dhe ato "silure" lëshoheshin nga politika.

Përplasjet më të forta të tij kanë qenë ato me kreun e shtetit, presidentin Ilir Meta. Nuk është e largët periudha e konfliktit të ashpër mes Metës dhe Dvoranit, ku presidenti nuk linte ditë pa dalë në media duke sulmuar kreun e KED-së dhe akuzuar për procesin e emërimeve të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Madje Meta bëri edhe një kallëzim penal ndaj Dvoranit.

Në gjuhën diplomatike ky vlerësim dhe motivacioni i këtij çmimi ndaj Dvoranit të bën të mendosh se është një mesazh indirekt dhe mbase një goditje ndaj presidentit Meta. Njëherësh SHBA, edhe me administratën e re të presidentit amerikan Joe Biden po jep mesazhin se mbështet fuqishëm reformën në drejtësi, si e vetmja mënyrë për të ndëshkuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.  

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore