Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Masat anti-Covid/ Flet eksperti: Për mësimin me turne 8 mijë arsimtarë aplikuan për punë, 94 shkolla nuk hapen se u dëmtuan nga tërmeti

Masat anti-Covid/ Flet eksperti: Për mësimin me turne 8 mijë

Rreth 8 mijë arsimtarë kanë aplikuar këtë vit shkollor bën të ditur ministria e Arsimit. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Fiqiri Çifliku thotë se kandidatë fitues aplikuan në portalin “Mësues për Shqipërinë” dhe janë në pritje për t’u punësuar në vendet e lira apo provizore që krijohen në çdo shkollë sipas profileve lëndore.

Sipas MAS, këtë vit kjo procedurë do të fillojë më shpejt dhe data 14 shtator do ta gjejë çdo shkollë të plotësuar me mësuesin përkatës në krye të klasës dhe gati për këtë sfidë aspak të lehtë.

Në intervistën për “Shqip”,  përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Shërbimeve dhe Statistikës, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, Fiqiri Çifliku thotë se 94 shkolla nuk do të hapen këtë vit shkollor dh  mësimi do të zhvillohet me turne, përfshi dhe ciklet e fillores.

Ndërsa më të vegjlit do ta kryejnë mësimin paradite. Gjatë vitit shkollor 2020-2021 në të gjithë vendin parashikohet të ulen për herë të parë në bankat e shkollës rreth 31 000 nxënës. Vetëm në Tiranë parashikohet të fillojnë klasën e parë rreth 6400 nxënës.

Cilat shkolla nuk do të hapen këtë vit në prag të sezonit shkollor, për shkak të infrastrukturës së tyre?

Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka ndjekur me shumë kujdes përgatitjet për rikthimin e nxënësve në shkollë këtë vit të veçantë për vetë karakteristikat e tij. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe infrastrukturës dhe me detaje është evidentuar çdo problematikë. Gjithçka kemi evidentuar është përcjellë në bashkitë përkatëse.

Nga informacionet e përditësuara çdo ditë konstatojmë se në çdo shkollë është punuar ose punohet me ritëm të lartë nga pushteti vendor, por edhe nga stafet e shkollave për t’i pasur gati më datë 14 shtator. Për shkak të tërmetit apo të rikostruksioneve të planifikuara, 94 objekte arsimore nuk do të hapin dyert për nxënësit këtë shtator.

Janë marrë masat që rreth 30 mijë nxënës dhe 1900 mësues të zhvillojnë mësimin në shkolla të tjera pritëse në kushte optimale.

Si do të bëhet shpërndarja e nxënësve, a do të ketë mësime me turne këtë vit?

Në qendër të vëmendjes sonë është shëndeti i fëmijëve dhe mësuesve, ndaj për vitin shkollor 2020-2021, në varësi të infrastrukturës së shkollave, numrit të nxënësve në klasë apo dhe situatës në zhvillim të përhapjes së virusit, nga MASR dhe ASCAP është hartuar udhëzuesi i cili parashikon disa skenarë të mundshëm për tu zbatuar në shkolla të ndryshme.

Këta skenarë parashikojnë që gjatë këtij viti në shkollat tona të zhvillohet: mësim në shkollë; mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë);mësim në kushtet e shtëpisë (online). Sigurisht në udhëzues janë parashikuar edhe turnet për secilin nga skenarët e mësipërm.

Sa do të jetë numri i nxënësve në klasa?

Në zbatim të “Udhëzimit të MSHMS”, mbi kujdesin dhe masat anti COVID-19, në strukturat arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2020-2021 janë marrë të gjitha masat që të ruhet distancimi fizik i nxënësve, gjë e cila do të shoqërohet me uljen e numrit të nxënësve në klasë.

Në varësi të infrastrukturës, të madhësisë së klasave do të caktohet edhe numri i nxënësve në klasë.Ky numër mund të variojë nga 10-15 nxënës për klasë, deri në 18 apo 20 nxënës në institucionet arsimore ku klasat janë të mëdha. E rëndësishme është që distancimi mes nxënësve në klasë të jetë 1.5 metër.

A ka prurje të reja në arsimin parauniversitar sa i takon trupës akademike?

Me kënaqësi them se portali “Mësues për Shqipërinë” ka qenë zgjidhja më efektive për të garantuar punësimin e mësuesve më të mirë në sistemin arsimor publik. Janë mbi 8 mijë mësues kandidatë që kanë konkurruar dhe janë renditur në pritje për t’u punësuar në vendet e lira apo provizore që krijohen në çdo shkollë sipas profileve lëndore.

Këtë vit kjo procedurë do të fillojë më shpejt dhe data 14 shtator do ta gjejë çdo shkollë të plotësuar me mësuesin përkatës në krye të klasës dhe gati për këtë sfidë aspak të lehtë. Janë marrë masa dhe në varësi të skenareve që do të zbatohen, do të shihet edhe mundësia e shtimit të mësuesve sipas nevojave që do të paraqiten në çdo institucion arsimor.

Masat anti-Covid/ Flet eksperti: Për mësimin me turne 8 mijë

Sa është numri i nxënësve që do të ulen në klasën e parë në Tiranë, edhe ata me turne do ta zhvillojnë mësimin?

Gjatë vitit shkollor 2020-2021 në të gjithë vendin parashikohet të ulen për herë të parë në bankat e shkollës rreth 31 000 nxënës. Vetëm në Tiranë parashikohet të fillojnë klasën e parë rreth 6400 nxënës. Siç e përmenda edhe më sipër, shkollat do të funksionojnë me turne për shkak të sigurimit të distancimit fizik. Për më të vegjlit është menduar që procesin mësimor ta kryejnë paradite dhe lëndët kryesore t’i zhvillojnë në klasë.

A ka përfunduar procesi i shpërndarjes së librave, ka mungesa në titujt?

Prej fillimit të shkollës vijon procesi i shpërndarjes së librave në pikat e autorizuara dhe në mjediset shkollore. Ju tashmë jeni në dijeni se për nxënësit e arsimit parauniversitar është mundësuar pajisja me libra falas. Librat aktualisht janë dërguar pranë çdo shkolle dhe mësuesit kanë përgatitur me to paketa duke i alternuar midis librave të rinj dhe të përdorur.

Kjo paketë i dorëzohet prindit. Edhe në këtë pikë kemi treguar kujdes që shpërndarja të bëhet e monitoruar. Në treg aktualisht janë të gjithë titujt që kanë porositur shkollat. Duke qenë se në disa raste nxënësit kanë ndryshuar shkollë për shkak të vendbanimit, ka lindur nevoja edhe e sistemimit të sasisë sipas shkollave. Është një proces që rregullohet rast pas rasti dhe mendojmë që ditën e parë të shkollës çdo nxënës do ketë paketën e tij të librave.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore