Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Listat e Hapura votohen të hënën, ku do t’i gjejë Rama 84 votat?

Listat e Hapura votohen të hënën, ku do t’i gjejë Rama

Mazhoranca mblidhet nesër në një betejë për të gjetur 84 vota që të miratojnë ndryshimet e Kodit Zgjedhor që i përshtaten hapjes së listave dhe heqjes së koalicionit tren.

Kryeministri Edi Rama, deklaroi se mazhoranca nuk mund të presë pafundësisht PD-në ndaj do e miratojë ndryshimin në Kod pa konsensusin e PD-së.

Para pak ditësh në Këshillin Politik nuk u arrit një dakordësi nga palët: pasi PD e LSI kërkonin ruajtjen e formës aktuale të koalicioneve, kurse PS nuk pranoi që të zbatohet formula e vjetër por vetëm lista e përbashkët.

Por përveç telashit e kundërshtimit të opozitës jashtëparlamentare, e cila sipas gjasave do të protestojë fuqishëm për ndryshimet në Kod, edhe opozita parlamentare ka bërë thirrje që të ndërmarrë një akt politik drastik.

Mazhoranca e vetme nuk ka 84 vota dhe me vështirësi mund të shkojë deri te 77 bashkë me Doshin e tre deputetët e zgjedhur nga PDIU në 2017-n.

Ndërkaq, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka publikuar rendin e ditës, ku përveç projektligjit të PS-së janë në axhendën e diskutimit edhe draftet e Myslim Murrizit, Ralf Gjonit dhe Halit Valterit, si dhe atë të Adnor Shametit, që janë përfshirë në një material nga Komisioni i Ligjeve.

Por sa unike është opozita në qëndrimin e saj dhe a do të ketë rrjedhë votash? Sinjalet e para janë dhënë për një përçarje të mundshme. Në fakt mazhoranca i ka 10 deputetë nga opozita, e cila votuar on bllok çdo nismë të qeverisë nga më të thjeshtat deri te ato të fortat që kërkojnë 84 vota.

Deputeti i Opozitës Parlamentare, Andi Përmeti i ka bërë thirrje të gjithë kolegëve të tij që të bojkotojnë seancën e nesërme.

“Sot m’u kujtua sesi Bamir Topi u zgjodh president. A i kujtohen ndokujt emrat e deputetëve socialist që votuan Bamir Topin? Jo. Sepse ata vdiqën politikisht në atë moment. Votimi ishte i fshehtë dhe përsëri vetëm se u dyshuan ata vdiqën politikisht. M’u kujtua kjo histori një ditë para votimit në Parlament në mënyrë të njëanshme të ndyshimeve në Kodin Zgjedhor, ato ndryshime që do të mbajnë të mbyllura listat në kundërshtim me Kushtetutën.

Nesër unë do të bojkotoj. Do të bojkotoj atë seance për t’i treguar shqiptarëve që Partia Socialiste është e vetme në këtë çmenduri. Dhe ftesën publike e kam për të gjithe opozitën parlamentare”, shkruan Përmeti.

Atij i është përgjigjur deputeti tjetër i opozitës Parlamentare Adriatik Alimadhi, i cili e konsideron këtë një thirrje të “tipit bolshevik”.

“Në një kohe kur deputetët e opozitës në përgjithsi nuk kane akoma asgjë të qartë se për çfarë kane votuar ndryshimet kushtetuese që ju i votuat, këtu qëndron problemi, i miratuat dhe i votuat pa bashkëpunimin tërësor të deputetëve opozitar dhe tani dilni dhe bëni thirrje për të gjithe aq më keq në fb për bojkot, nuk është e drejtë. Nuk bëhen thirrjet nëpërmjet fb, duhet bashkëpunim, takime dhe biseda, debat, diskutime të përbashkëta për t’u ndërgjegjësuar të gjithë deputetët dhe të kenë të qartë se për çfarë do bojkotojnë, dhe jo kur këtë e bëjnë loje politike disa individ”, shkruan Alimadhi.

Ndërkaq Myslim Murrizi dhe Rudina Hajdari si drejtues të opozitës parlamentare ende nuk kanë bërë të ditur se çfarë qëndrimi do të mbajnë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore