Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

“Listat e hapura”, modelet çorbë që po e fusin vendin në një krizë të re politike

“Listat e hapura”, modelet çorbë që po e fusin

Përplasja e fundit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, duket më shumë një luftë absurde si ajo dikur e superfuqive për dominimin e hapësirës kozmike.

Çështja e listave të hapura që po vjen si argument i fundit përplasës në Këshillin Politik, duket se është argumenti më i pakuptueshëm dhe më jo transparent për të siguruar një sistem sa më të qartë për votuesin.

Ligjërisht ka vetëm më pak se një muaj kohë për të zgjidhur një çështje aq të komplikuar siç është vendosja e sistemit, ku përveç partive, zgjedhësit mund të votojnë edhe për kandidatët që forcat politike kanë propozuar në listat elektorale.

Sistemi miks i propozuar nga PS, duket një çorbë mjaft e komplikuar, të cilin qarqe të opozitës e kanë refuzuar, duke e hedhur poshtë si një sistem që nuk propozon listat e hapura, por i mbyll ato edhe më keq.

Kjo për arsye se propozimi i PS-së, jep një variant të komplikuar të listave të hapura, ku zhvendosja e kandidatit në listë pas zgjedhjeve, bëhet vetëm në rast se një kandidat fiton një numër të madh votash, dhe jo numrin e duhur që sipas formulës duhet për t’u bërë deputet në një qark.

Ndërkaq, Rudina Hajdari, ka propozuar një variant tjetër, i cili ka një mundësi më të madhe, pasi i rendit kandidatët sipas alfabetit, e më pas deputetët zgjidhen në çdo qark sipas votave që kanë marrë nga zgjedhësit në rang qarku.

Edhe pse duket më demokratik, ky variant, ka gjasa që të ushqejë një garë të egër më shumë individuale sesa politike për të mbledhur sa më shumë vota. Përveç kësaj, sistemi më i komplikuar është mënyra e votimit, ngaqë do të duhen fletë e aksesorë shtesë në qendrat e votimit, e më pas një sistem shumë i komplikuar numërimi. E nëse futet numërimi elektronik, kjo çështja e kandidatëve, nuk do të mund të skanohet, e kështu sërish do t’i kthehemi numëruesve, që sipas ligjit aktual mbeten ato që janë pra kontrollohen vetëm nga PD e PS.

Me një fjalë, një lëmsh që vetëm komplikon dhe pritet të rrisë tensionin, e vonojë tabelimin e rezultatit, e për pasojë kontestimet e forta e të gjata, që mund të çojnë në kalenda shpalljen e rezultatit përfundimtar.

Hapja e listave si një zgjidhje, edhe pse u fut nga Edi Rama me argumentin se ka mbështetje popullore, është një manovër më shumë politike se teknike dhe këtu, duket se palët janë më të frustruara se kurrë, duke parë vetëm komplote nga pala tjetër.

Hyrja e ndërkombëtarëve në lojë, edhe pse me bezdi, duket e pashmangshme, dhe ka gjasa që një organizëm me ekspertizë si ODIHR të propozojë një zgjidhje të minutës së fundit. E cila ka shumë gjasa që të mos ndalë polemikat e të na fusë sërish në një proces zgjedhor që kontestimi është tek porta.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore