Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Kush është më i besueshëm, Basha apo Bellanica?

Kush është më i besueshëm, Basha apo Bellanica?

Ka një histeri të qarqeve mediatike pranë opozitës, që u vu re edhe në emisionet e mbrëmjes në sulmet ndaj dëshmitarit të masakrës së Krushës së Madhe, Melaim Bellanica i cili ka deklaruar se filmimet origjinale të masakrës ja ka dhënë në dorë Lulzim Bashës, sot kreu i PD-së dhe nuk ja ka kthyer.

Sulmi apo nxitimi për të shpallur Bellanicën “mashtrues”, përveçse është i njëanshëm, është edhe moralisht i dyshimtë, pasi thjesht nëse shikohen faktet, del se nuk është Bellanica që nuk thotë të vërtetën por pikërisht Lulzim Basha.

Kreu i PD-së, tha tek Sokol Balla në Real Story se ai nuk kishte punuar asnjëherë në Gjykatën e Hagës, por vetëm në UNMIK. Por siç u bë publik sot, vetë Lulzim Basha ka deklaruar në CV-në e tij që ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë, se në vitin 1999 ka qenë shef i zyrës së Gjykatës së Hagës në Tiranë.

Pra, fakt që përputhet fuqishëm me atë çka Melaim Bellanica ka deklaruar në të gjitha herët kur ka folur për këtë çështje; si në dokumentarin e Insider, si në intervistën e parë për Top Channel, si në intervistën e dytë, por edhe mbrëmë në emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Channel.

Faktet që thotë Bellanica, renditen në mënyrë të qartë edhe me rrëfimin e Dashamir Pezës, ish-përkthyesit të BBC-së, e cila ditën e djeshme u konsiderua si “fitore” nga qarqet mediatike të opozitës, por që në fakt, Peza thoshte qartë dhe shkoqur se pamjet e marra nga kaseta bruto e Bellanicës u konvertuan në televizionin e Kukësit dhe BBC mbajti ato pamje nga kaseta kopje e konvertuar, e që origjinalen e mbajti Melaim Bellanica.

Dëshmitari i Krushës që sulmohet me një agresivitet të madh nga njerëzit pranë opozitës, ka mbajtur që në fillim një qëndrim, e ka qenë Basha ai që ka ndryshuar versionin, që nga punësimi në Gjykatën e Hagës e deri tek karriera e tij politike.

I cilësuar nga një aleat i tij politik si një person që “gënjen kur tregon dhe orën”, Basha ka qenë në fakt njeriu që në politikën shqiptare ka si bazë të tij pikërisht trillimin.

Ai thotë se është sulmuar nga Rama me çështjen e qenies së tij si punonjës i Hagës që në vitin 2005, por që në fakt atëherë as Rama nuk ka qenë një rival politik i Lulzim Bashës dhe anasjelltas, e as Basha nuk ishte ndonjë njeri i rëndësishëm për t’u sulmuar politikisht nga Partia Socialiste.

Ka qenë në vitin 2010 kur kjo çështje është hapur publikisht nga antropologu peruan, José Pablo Baraybar, i cili në një intervistë në gazetën zvicerane “Le Temps” thoshte se “përkthyesi i tij ishte Lulzim Basha”.

Plus këtu Latif Gashin, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Llapit që përmend sërish Bashën si pjesëtar i grupit të punonjësve të prokurorisë së Gjykatës Ndërkombëtare. Shto këtu, edhe deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu, i cili deklaroi në Klan Kosova se Basha ka qenë pjesë e grupit që arrestoi Gashin.

Ka edhe më, avokati i njohur në Kosovë që mbron edhe disa prej krerëve të UÇK-së, Tom Gashi, tha se “Basha ka qenë një nga zyrtarët më të lartë që ka kryer dhe lëvizjet e dosjeve penale e civile”.

Kur ishte Basha ministër i Brendshëm e më 21 janar 2011 u vranë 4 protestues të opozitës me armë zjarri, pati gënjeshtra monstruoze deri sa doli e vërteta me figurë e më zë e plumbave që u gjuajtën nga garda.

2 mjekë të Spitalit ushtarak deklaruan se protestuesit janë qëlluar nga afër dhe vetëm pak kohë më pas ishte FBI nga SHBA që rrëzoi këto versione duke shpallur me ekspertizë që plumbat u qëlluan me armët e gardës.

Dhe pikërisht mjekun që gënjeu publikisht më 21 janar 2011 Lulzim Basha e ka vendosur në listat për deputetet të 25 prillit.

Ishte po Lulzim Basha që ditët që pasuan 21 janarin 2011 ndaloi krerët e Gardës të merren nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, gjithashtu u ndryshua procesverbali operativ i Gardës së Republikës, u prishën filmimet në kryeministri dhe një nga këto persona që kanë punuar në këtë çështje e ka pasur deputet etj, etj.

E pikërisht në këtë panoramën ku besueshmëria në vite e Lulzim Bashës është në kuota të ulëta, ndërkohë e dëshmitarit të Krushës, Melaim Bellanica është thuajse gjithmonë e vërtetuar se ka vetëm një linjë të rrëfimit të tij, duhet t’i kishte shtyrë ata analistë e aktivistë politikë në panelet televizive që edhe pse e duan shumë Lulzim Bashën, duhet të respektojnë të vërtetën; të vërtetën për të cilin Melaim Bellanica rrezikoi edhe jetën, duke mos pyetur se mund të vritej, por ka marrë kamerën dhe ka shtypur e regjistruar për 45 minuta me radhë. Ato 45 minuta që atij më pas ja ka marrë Lulzim Basha “për t’ia ruajtur më mirë”, por që nuk ja ktheu kurrë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore