Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kush duhet të japë llogari për krimin e organizuar?! Qeveria fut në “sherr” kryeprokurorin me kreun e SPAK

 

Kush duhet të japë llogari për krimin e organizuar?! Qeveria fut

Rekomandimet e Qeverisë në luftën kundër kriminalitetit kanë shkaktuar një debat mes Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreut të SPAK, Arben Kraja. Kjo për arsye, se rekomandimet i janë nisur për zbatim Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, dhe jo SPAK-ut që ka prioritet të punës dhe qëllimin për të cilin është ngritur pikërisht luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, bllokimin e aseteve të krimit e të tjera.

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme e ka konsideruar anomali të ekzekutivit kërkesën për “dhënien llogari” dhe përpilimin e strategjive për krimin e organizuar, teksa shton se nuk ka asnjë kompetencë për të qenë në vijën e parë të luftës së krimit të organizuar, të konsideruar prioritet të Qeverisë për vitin 2020.

“Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe faktin se tashmë brenda sistemit të prokurorisë veprojnë të pavarura nga njëra tjetra dy degëzime të institucionit, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm që kanë si organ më të lartë Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokuroria e Posaçme SPAK. Ndonëse në ligjin nr.97/2016, parashikohet se rekomandimet e Këshillit të Ministrave i drejtohen Prokurorit të Përgjithshëm, nuk ka asnjë instrument ligjor me të cilin ky i fundit t’ja përcjellë ato Prokurorisë së Posaçme.

Ekzekutivi duhet të gjejë mekanizmat e duhur për të rregulluar këtë anomali, pasi struktura kompetente për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është Prokuroria e Posaçme, drejtuesi i së cilës raporton në Kuvend sipas parashikimeve të nenit 104 të ligjit nr.97/2016” – deklaroi Çela, gjatë një takimi që u zhvillua online, në të cilin ishte i pranishëm edhe ministrja Etilda Gjonaj dhe kreu i SPAK, Kraja.

“Pavarësia është mjeti që duhet të garantojë funksionimin efiçent të institucionit. Për këtë qëllim, institucioni ka nevojë për një panoramë të qartë të realitetit si dhe për një vizion, të cilat nuk mund t’i ketë të plota në asnjë rast, pa integrimin e një sërë kontributesh dhe qasjesh institucionale të cilat e ndihmojnë në veprimtarinë e tij.

Nisur nga ky këndvështrim, këto rekomandime marrin një rol të veçantë, pasi shërbejnë për një rivlerësim të përdorimit të burimeve njerëzore, teknike e financiare në drejtim të mirëpërcaktimit të prioriteteve që kërkon lufta ndaj krimit, ndërkohë që duhet të integrohen sistematikisht në punën e çdo prokurori, përmes angazhimit profesional dhe qëndrimeve ligjore në çdo çështje që heton apo përfaqëson në gjykim”-  tha Çela.

Momenti i paraqitjes së rekomandimeve nga Këshilli i Ministrave është thelbësor për ndërveprimin institucional mes ekzekutivit dhe prokurorisë si organ i pavarur. Pavarësia funksionale e prokurorëve si dhe e prokurorisë si institucion në raport me pushtetet e tjera nuk janë qëllim në vetvete. 

Pavarësia është mjeti që duhet të garantojë funksionimin efiçent të institucionit. Për këtë qëllim, institucioni ka nevojë për një panoramë të qartë të realitetit si dhe për një vizion, të cilat nuk mund t’i ketë të plota në asnjë rast, pa integrimin e një sërë kontributesh dhe qasjesh institucionale të cilat e ndihmojnë në veprimtarinë e tij.

Angazhimi institucional në respektimin e këtyre rekomandimeve nuk mund të shihet si i shkëputur nga konteksti i ri në të cilën funksionon sistemi i drejtësisë dhe prokuroria në veçanti. 

Duhet pranuar se kuadri i ri kushtetues dhe ligjor në të cilin vepron prokuroria, e bën jo pak të vështirë koordinimin mes atyre që vlerësohen si priorite nga qeveria dhe mundësive reale që ato të shndërrohen në veprime konkrete nga prokurorët.

“Nuk do të ishim objektivë nëse do të mendonim se udhëzimet e natyrës së përgjithshme do të realizojnë të gjitha pritshmëritë e ekzekutivit në raport me atë çfarë mund dhe duhet të bëjnë prokurorët në përditshmërinë e tyre. Udhëzimet e kësaj natyre synojnë të strukturojnë marrëdhënie ndërinstitucionale apo çështje të brendshme organizative, por nuk mundet kurrsesi të imponojnë vullnete mbi zgjidhjen e çështjeve konkrete, pasi do të cenonin pavarësinë e prokurorëve – deklaron Çela si përgjigje që një “mision” të ri që kërkon t’ia veshë Qeveria, përmes rekomandimeve antikrim të vitit 2020 .

Ndërkohë, kodi i ri i procedurës penale ka ndryshuar raportet tradicionale të hetimit, duke i dhënë gjyqtarit të seancës parapake kompetenca jo vetëm në vendimmarrjen në fund të hetimit paraprak, por edhe mbi ecurinë e hetimit, pikërisht atë rol që prokuroria e ka pasur deri më sot në mënyrë ekskluzive në raport edhe me policinë gjyqësore, funksionin e kontrollit dhe drejtimit të hetimit në fazën përfundimtare të hetimit.

Ky ndryshim i rëndësishëm që erdhi pas decentralizimit të prokurorisë, në fakt ka krijuar një dualitet mes prokurorit dhe gjyqtarit në hetim. Gjyqtari, përveç kontrollit të ligjshmërisë në fazën e hetimit, i ushtruar përgjithësisht në mënyrë pasive, tashmë ka marrë rolin e kontrollit mbi organin e prokurorisë gjatë kësaj faze, madje edhe drejton hetimet dhe vendos afate për kryerjen e tyre, ndërkohë që nuk ka një përgjegjësi institucionale për efikasitetin e veprimtarisë e tij në fazën hetimore dhe as bën vlerësime të natyrës organizative mbi kapacitetet njerëzore apo teknike të nevojshme në kryerjen e një hetimi.

Prokurori i pavarur dhe gjyqtari i seancës paraprake në veprimtarinë e tyre nuk e kanë mundësinë të veprojnë si një strukturë e mirëdefinuar vendimmarrëse, me kapacitete që i lejojnë asimilimin e prioriteteve, përcaktimin e objektivave të qarta në funksion të tyre dhe shfrytëzimin e kapaciteve në përputhje me to. Për më tepër, decentralizimi për vetë natyrën e tij, përçon impulse centrifugale, për shkak të mos njësimit të praktikave, mungesës së koherencës në qëndrime dhe mungesës së aftësisë për t’ju përshtatur ritmeve që imponon ndryshimi i rrethanave apo edhe mungesa e një përgjegjësie të mirëpërcaktuar në raport me ndërveprimin institucional.

Mbetet një sfidë përballja me këto probleme jetike, me qëllim gjetjen e instrumenteve të duhur për arritjen e kohezionit ndërinstitucional, përmes përçimit dhe konkretizimit të prioriteteve dhe rekomandimeve pikërisht atje ku prodhohet rezultati konkret i hetimit dhe gjykimit.  Për këtë arsye vlerësoj se ka ardhur koha që të rikonceptohet modeli i bashkëveprimit ndërinstitucional, me qëllim identifikimin e prioriteteve dhe rekomandimeve që marrin në konsideratë kuadrin kushtetues dhe ligjor, duke mos përjashtuar mundësinë e identifikimit të paqartësive apo mangësive ligjore në këtë drejtim.

Për t’ju rikthyer rekomandimeve, koha në të cilën ato mbërritën në prokurori e bën të vështirë përpunimin dhe marrjen e masave për ndjekjen e tyre. Është shumë e rëndësishme që ky proces të kryhet në nisje të çdo viti, për t’i mundësuar prokurorisë hartimin e planeve dhe strategjive për vlerësimin dhe përçimin e tyre në mënyrë efikase.

Prokuroria e Përgjithshme do t’i analizojë me vëmendje të veçantë të gjitha rekomandimet prioritare dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për marrjen e masave që do të vlerësohen të përshtatshme në një kohë sa më të shkurtër.

Rekomandimet duhet të vlerësohen me seriozitet maksimal edhe nga të gjithë drejtuesit dhe prokurorët, të cilët duhet t’i mbajnë në konsideratë në organizimin e punës dhe aktivitetin hetimor. Drejtuesit duhet t’i ndjekin në vazhdimësi rekomandimet dhe të identifikojnë me kujdes edhe treguesit të cilët do të shërbejnë për vlerësimin e realizimit të tyre në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Por, ndërkaq, Kraja ka hedhur për diskutim sërish problematikat e zbatimit të ligjit lidhur me rrogat. Kreu i Prokurorisë Speciale SPAK tha se i ka dërguar dy shkresa Komisionit të Ligjeve lidhur me pagesat e prokurorëve të SPAK dhe përcaktimit të rrogës së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Këtë fakt, gazeta Shqip e bërë publik pak ditë më parë, ndërsa ende nuk ka një përgjigje nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve.

Gjithsesi, debati lidhet me faktin se kush është në vijën e parë të luftës ndaj krimit të organizuar SPAK, apo Prokuroria e Përgjithshme. Dy drejtuesit e kanë të qartë ligjërisht, por Ekzekutivi vijon ende me metodën klasike, duke lënë disi në hije strukturën SPAK për ngritjen e së cilës është investuar jo pak Ambasada Amerikane në Tiranë.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore