Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kriza e Rinasit/ Balluku firmos vendimin, i hap rrugë kontrollorëve të huaj me licencë

Kriza e Rinasit/ Balluku firmos vendimin, i hap rrugë kontrollorëve

Qeveria iu mbyll gojën kontrollorëve shqiptarë të aeroportit të Rinasit, duke i hapur rrugë pranimit në rrugë ligjore të ekspertëve të huaj që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka firmosur urdhrin që i jep dritën jeshile kontrollorëve të huaj, duke bërë ndryshimet përkatëse në dokumentin “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”.

Vendimi është marrë pas krizës dhe kaosit të shkaktuar nga kontrollorët shqiptarë, të cilët iniciuan një grevë, duke paralizuar shërbimet dhe fluturimet në të vetmin aeroport ndërkombëtar që ka Shqipëria.

“Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje”, thuhet në vendimin e Ballukut, të siguruar nga Gazeta Shqip.

Ky vendim është nxjerrë menjëherë pasi Komiteti i Mbrojtjes Civile e ngarkoi Ballukut që t’i jepte zgjidhjes situatës së krijuar. Ditën e djeshme Shqipëria ndërmori vendimin për të pranuar kontrollorë të huaj nga Turqia, Greqia dhe Italia, duke e zgjidhur krizën e ndodhur dhe rikthyer fluturimet ajrore në hapësirën shqiptare.

Sipas këtij vendimi, Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos, duke mos pranuar kontrollorë të huaj nga vendet e treta.

Vendimi i plotë

1. Përjashtimisht për situatën emergjente të krijuar në shërbimet e lundrimit ajror, në kushtet e mungesës së personelit rezervë të licencuar për ofrimin e këtij shërbimi, deri në një urdhër të dytë, pika 4, e nenit 2, të urdhrit të ministrit nr. 91, datë 21.2.2019, “Për miratimin e rregullores për përcaktimin e kërkesave teknike dhe të procedurave administrative, në lidhje me licencat dhe certifikatat e kontrollorëve të trafikut ajror”, ndryshohet si më poshtë:

4. Për kontrollorët e trafikut ajror, që synojnë të ofrojnë shërbime të trafikut ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, pranë ofruesit të shërbimit të lundrimit ajror të Republikës së Shqipërisë, por që vendi kryesor i operimit dhe zyra e tyre e regjistrimit (nëse kanë), ndodhet jashtë territorit ku aplikohet kjo rregullore (ose ekuivalentja e saj në BE), do të njihet licenca e tyre, kur ata mbajnë një licencë të kontrollorit të trafikut ajror të lëshuar nga një vend anëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), në përputhje me aneksin 1 të Konventës së Çikagos. Me njohjen e licencës, këta kontrollorë konsiderohen të licencuar, në përputhje me paragrafin 1 të kësaj rregulloreje.

Detyrat dhe funksionet e caktuara për kontrollorët e trafikut ajror të referuar në nënparagrafin e parë nuk do të tejkalojnë privilegjet e licencës së lëshuar nga vendi i tretë, jashtë ZPEA-së, sipas përcaktimeve të marrëveshjes shumëpalëshe.

2. Autoriteti i Aviacionit Civil të realizojë njohjen e licencave, sipas aneksit 1 të Konventës së Çikagos,.

3. Ngarkohet Autoriteti i Aviacionit Civil për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare.

MINISTËR I INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË

Belinda Balluku

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore