Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kosova drejt së ardhmes, Shqipëria drejt së shkuarës dhe me të shkuarën?

Kosova drejt së ardhmes, Shqipëria drejt së shkuarës dhe me

KOSOVË – Zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan se Kosova ka bërë hapa të mëdhënj në konsolidimin e demokracisë.

Dalja e shpejtë e rezultatit dhe njohja nga palët politike, si dhe urimi i kundërshtarit për fitoren, tashmë janë kthyer në një traditë të çimentuar, praktikë që nuk ndeshet në Shqipërinë që ka mbi 100 vjet shtet i pavarur.

Por më shumë sesa ana teknike e procesit, ajo që bën përshtypje në shtetin e dytë shqiptar, është sjellja shembullore e votuesve. Qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar edhe një herë se nuk janë militantë “të paarësyeshëm” të politikës, por qytetarë që shohin interesin e tyre dhe të shtetit, ndërsa ndodhën para kutive të votimit.

Goditja ndaj pushtetit, ende të pa konsumuar

Albin Kurti u zgjodh kryeministër i Kosovës, falë një fitoreje spektakolare. Me mbështetjen e Vjosa Osmanit, politikani ende i papërfolur për korrupsion, mposhti të gjithë klasën politike të Kosovës, ndërsa duhet thënë se kundërshtarët më të fortë të tij, u dërguan padrejtësisht në Hagë.

Por edhe pse pushteti i tij nuk është konsumuar ende, shqiptarët e Kosovës e ndëshkuan shumë shpejt Albin Kurtin.

Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve, por edhe të vlerësimit të kandidatëve në mënyrë individuale.

Duket se fituesi i këtyre zgjedhjeve në Kosovë ishte  Partia Demokratike e Kosovës me 9 komuna të fituara, por edhe LDK rënditet krah fituesve, me 7 komuna të fituara.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar në pesë komuna. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka pushtetin në nivelin qendror, ka arritur fitoren në katër komuna.

Lista Serbe ka fituar në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Novobërdë, Shtërpcë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot.

Paradoksi në shtetin mëmë

Krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Në kohë zgjedhjesh, rezultatet përfundimtare duan kohë të dalin. Nuk mungojnë rastet e blerjes së votës. Fushatat janë kryesisht të tensionuara, ndërsa përfundojnë deri edhe në vrasje, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit parlamentare në Elbasan.

Kultura e pranimit të rezultatit nuk njihet. Sloganet “hap kutitë”, “zgjdhjet u vodhën” dhe “masakër zgjedhore”, janë kthyer në një refren të vazhdueshëm.

Kosova drejt së ardhmes, Shqipëria drejt së shkuarës dhe me të shkuarën

Qytetarët e Kosovës, jo vetëm që i ndëshkojnë partitë, por edhe i qarkullojnë elitat politike. Dy partitë kryesore, aktualisht në opozitë, tashmë janë të riformatuara plotësisht, ndërsa skena politike dominohet nga disa figura të rëndësishme.

Krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Prej 30 vitesh, skena politike dominohet nga 3-4 emra, të cilët shpesh kanë bërë edhe rokada postesh. Kemi parë president që zgjidhen kryeministra, kryeministra që zgjidhen president, si dhe kryebashkiakë që zgjidhen kreministra, apo ish-kryebashkiakë që synojnë kryeministrinë.

Njëriu që kërcënon të shpallë gjithë vendin “non grata”

Ndërsa Kosova hedh hapa të guximshëm drejt së ardhmes, në Shqipëri, hapa kërcënues po hidhen drejt së shkuarës.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur “non grata” nga SHBA “për korrupsion madhor”, ndërsa lufton për marrjen e drejtimit të Partisë Demokratike, ka shprehur hapur ambicien e tij për rikthimin si kryeministër i vendit.

Plotësisht në të drejtën e tij për t’u rizgjedhur, por paradoksal është fakti kur mendon se ai që dominoi skenën politike që prej viteve 1990, kërkon të rikthehet, ndërsa ka kundër shtetin më të fuqishëm të botës dhe miken më të madhe të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndoshta ka ardhur koha që edhe shqiptarët e Shqipërisë të marrin shembull nga vëllezërit e tyre, që padrejtësisht u lanë jashtë kufirit./Gazeta SHQIP

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore