Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kodi i Etikës/ Fjalori fyes në seancat plenare, ja kush janë deputetët me “njollë të kuqe”

Kodi i Etikës/ Fjalori fyes në seancat plenare, ja kush janë

Në seancat plenare në Kuvendin e Shqipërisë prej shumë vitesh fjalori fyes, banal e kërcënues është prezent. Madje, këtë nuk e kanë bërë vetëm deputetë të “vegjël”, por edhe liderët e partive politike.

Gjatë sesionit parlamentar janar-korrik, zyrtarisht deputeti Ralf Gjoni u penalizua për shkelje të Kodit të Etikës dhe një tjetër deputet u paralajmërua disa herë për shkelje të njëjta. Ai ishte Kujtim Gjuzi.

Në fakt ka pasur disa raste të tjera, të përsëritura nga këta deputetë dhe shumë deputetë të tjerë, të cilat kanë qenë më problematike dhe që mund e duhej të ishin konsideruar sipas praktikave disiplinore të Rregullores. Këtu mund të përmendin edhe përjashtimin e deputetit Ralf Gjoni, për shkak të shpërndarjes së lëpirëses në sallë si ironi ndaj socialistëve.

Një prej rasteve të debatuara në media dhe që vuri në dyshim transparencën e aktivitetit parlamentar online ishte mbledhja e Aleancës së Grave Deputete më 2 qershor gjatë të cilës deputetja Kodheli dha disa konsiderata kritike në raport me mësuesit, për të cilat pati reagime të shumta publike.

Disa orë më pas videoonline e Kuvendit mbi mbledhjen u hoq nga sistemi dhe më vonë u rifut, por duke hequr pjesën e fjalimit kritik të deputetes. Grupet e gazetarëve protestuan ashpër duke e konsideruar skandal, vetë Kuvendi nuk pati ndonjë sqarim publik mbi rastin. Aleanca e Grave Deputete nuk është strukturë direkt e Kuvendit dhe mbledhjet e saj nuk kanë qenë pjesë e detyrimit për publikim, megjithatë në rastin konkret Kuvendi vendosi ta publikojë online mbledhjen dhe më pas u përfshi në censurimin e saj, duke krijuar një rast të panevojshëm negativ në raport me transparencën publike.

Sipas Institutit të Studimeve Politike, në disa raste edhe kryeministri Rama përdori gjuhë fyese e denigruese ndaj deputetëve, përfshirë një deputeteje grua në parlament. Ndaj tij nuk pati as tërheqje të vëmendjes dhe as reagim kritik nga Kuvendi, ndërkohë që ndaj çdo deputeti që reagonte në raste të tilla nga salla në formë proteste, kishte paralajmërime për marrje masash disiplinore.

Në ligjërimin parlamentar ka pasur së paku 10 raste kur deputetët kanë përdorur fjalor denigrues, diskriminues dhe jashtë çdo norme etike komunikimi. Ka pasur edhe raste të fjalorit skandaloz në diskutime, që kanë bërë headline në media duke sjellë me të drejtë, reagime kritike masive nga publiku.

Edhe në raste të tilla reagimi i drejtuesve të seancave ka qenë paralajmërues, ndërkohë që nuk kemi pasur distancim nga grupet parlamentare ose vlerësim tjetër nga sekretariati përgjegjës. Kodi i Sjelljes pritej të kishte impakt pozitiv në ligjërimin parlamentar, pritej gjithashtu të ndikonte edhe në reagimin më etik dhe institucional të grupeve parlamentare ndaj rasteve të shkeljeve.

Në seancat plenare të debatit të ashpër politik ka ndodhur, sidomos në të kaluarën, të ketë pasur tejkalime të normave etike dhe ligjërim denigrues e të personalizuar, por në kushtet e parlamentit aktual, ku mungon përplasja reale politike, prania e gjuhës denigruese dhe fyese paraqet një nivel kritik të përfaqësimit dhe të raportit të politikanëve të caktuar me përgjegjësinë publike.

Një tjetër problem që vihet re dukshëm në raportin disa mujor të punës së Kuvendit të Shqipërisë, ka të bëjë me konfliktin e interesit në komisionet parlamentare. Në 24 korrik në Komisionin e Ligjeve pati një debat mbi konflikt të mundshëm interesi midis relatores së caktuar për një nismë ligjore dhe drejtuesit të institucionit përgjegjës për nismën.

Tre deputetë të opozitës pretenduan se bashkëshorti i relatores dhe bashkëshorti i drejtueses së institucionit të pavarur kanë biznese legale së bashku, ndaj referuar Kodit të Etikës relatori duhet të tërhiqet nga promovimi dhe prezantimi i një nisme ligjore që krijon konflikt interesi. Pas debateve të shumta, relatorja dha dorëheqje, kryetari i komisionit caktoi një relatore të re, e cila gjithashtu sapo iu citua emri dha dorëheqje duke thënë se nuk ndjehej e përgatitur dhe pas disa minutash u caktua një relatore e tretë, e cila e pranoi rolin dhe bëri relatimin e aktit ligjor në axhendë.

Detaje të tilla nxjerrin në pah së paku dy problematika : mungesën e mekanizmave parandalues të konfliktit të interesit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, si dhe faktin që shpeshherë caktimi i individit si relator nuk niset nga aftësia e tij/saj, njohuritë e tij/saj të thelluara profesionale për rastin në gjykim, etj, por si një rol formal që duhet luajtur për të qenë konform procedurës dhe Rregullores.

Të dy këto probleme meritojnë trajtim serioz nga komisionet dhe përmirësime procedurale dhe të organizimit të punës së tyre në të ardhmen.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore