Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kleçkat e letrës së Gjiknurin për PD-LSI: Pse PS nuk e pranon koalicionin-tren

Kleçkat e letrës së Gjiknurin për PD-LSI: Pse PS nuk e

Damian Gjiknuri, në letrën drejtuar anëtarëve të opozitës në Këshillin Politik: Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, ku dhe propozon mbledhjen e këshillit për nesër, bën të ditur se çështja e koalicioneve siç e kërkon opozita, pra koalicionet e përbëra, nuk është se bie ndryshim me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut, por mazhoranca nuk e pranon, pasi ka përqafuar çështjen e listave të hapura.

Sipas Gjiknurit, në rastin e listave të mbyllura, zgjedhësit bëjnë një votim preferencial edhe për partinë që është pjesë e koalicionit, por me listat e hapura, zgjedhësit bëjnë votim preferiencial për kandidatët, kështu që bie varianti i parë.

E në këtë logjikë, Gjiknuri i bën të ditur PD-së dhe LSI-së se mazhoranca nuk do të pranojë një kthim të koalicioneve të vjetra, pasi ka pranuar listat e hapura. Gjiknuri thekson, se çështja padyshim që do të shkojë në vlerësimin e OSBE-ODIHR-it, por pasi të miratohet nga Kuvendi.

“Amendamentet do t’i nënshtrohen vlerësimit ekspert dhe kompetent të OSBE/ODIHR-it jashtë çdo lloj dyshimi. Koha do t’i çmojë ato si arritje e mirëfilltë për zhvillimin politik. Që kjo gjë të ndodhë duhet që Kuvendi të bëhet zot i punëve të veta, të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë dhe të mos zhgënjejë shqiptarët”, shkruan Gjiknuri në letrën drejtuar opozitës.

Por, përfaqësuesi i PS-së, i mbyll derën përfundimisht për t’u kthyer tek koalicionet tren duke “shantazhuar” PD e LSI se mazhoranca po shikon edhe shqyrtimin e draftit të opozitës parlamentare.

“Natyrshëm do të bëjmë edhe një përpjekje të fundit për një kompromis me opozitën jashtëparlamentare, pa vënë në rrezik arritjet dhe filozofinë e re që përcakton fryma e ndryshimeve kushtetuese për çështjen e koalicioneve, duke u fokusuar në çështjet e tjera të projektligjit siç janë pragu apo mënyra e ri-renditjes së kandidatëve bazuar në votën preferenciale të zgjedhësve”, shkruan Gjiknuri.

Është interesant fakti, se në këtë letër, logjikën e përjashtimit të koalicionit siç ishte në zgjedhjet e kaluara, Gjiknuri ia adreson si ide kolegut të tij të PD-së, Oerd Bylykbashi.

“Sa herë bëhet fjalë për ‘koalicionin me listë të përbërë” çështja paraqitet sikur kemi të bëjmë me një formë e posaçme të organizimit të koalicioneve, kur në fakt çështja ka të bëjë vetëm me mënyrën e formatimit të listës, mënyrën e votimit dhe mënyrën përllogaritjes së rezultatit, e cila dallon për këto koalicione nga të gjitha subjektet e tjera që marrin pjesë në zgjedhje. Në thelb ‘Koalicioni me listë të përbërë’ nuk është gjë tjetër veçse ‘votim preferencial për partitë pjeswtare të tij’ (citim nga prononcimi i zotit Bylykbashi në një nga mbledhjet e Këshillit Politik) “, shkruan Gjiknuri, duke elaboruar në letrën e tij me 9 faqe argumentin e braktisjes së koalicionit-tren.

“Nga data 30 Korrik 2020 Shqipëria ka adoptuar sistemin zgjedhor me konkurrim me lista të hapura kandidatësh. Shqipëria zgjodhi të hyjë në një epokë të re elektoralo-kushtetuese, në atë të votimit preferencial për kandidatët dhe të lerë pas epokën e votimit preferencial për partitë. Kjo zgjedhje nuk ka qenë sekret, nuk ka qenë rastësore, nuk është bërë pa dashje dhe as nga paqartësia. Ajo ka qenë një zgjedhje e vendosur dhe e qartë që në fillim. Votimin preferencial për kandidatët, listat e hapura, i kërkuan qytetarët shqiptarë dhe i imponuan po ata. Kuvendi vetëm iu bind atyre”, vulos Gjiknuri, i cili i kërkon opozitës jashtëparlamentare të sjellin një model ndërkombëtar të koalicionit të përbërë me lista të hapura.

Në këtë rast zbulohet se realisht PD e LSI e kanë dhënë një model, siç është ai italian, e që publikisht nuk është folur, por Gjiknuri në letrën e tij e konteston, duke e cilësuar një argument që rrëzon logjikën e opozitës jashtëparlamentare.

Deri më sot, në Këshillin Politik PD & LSI kanë referuar me gjysmë zëri vetëm tek sistemi zgjedhor i Republikës së Italisë, i cili në fakt, nëse studiohet me paanësi dhe qetësi, rrëzon plotësisht kërkesën e PD & LSI. Sistemi italian, nga viti 1994 e këtej, është zhvilluar si një sistem miks, me lista të mbyllura për kandidatët dhe votim preferencial për partitë e koalicioneve. Përpara vitit 1994 sistemi italian ka qenë sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, me votim me 4 preferenca për kandidatët dhe pa koalicione. Në Itali, epokat elektoralo-kushtetuese janë ndarë qartësisht në vitin 1994. Amendamentet kushtetuese e bënë këtë ndarje në Shqipëri, po aq qartësisht, më 30 Korrik 2020.

“PD & LSI pretendojnë se ‘koalicioni me listë të përbashkët’ është hequr me konsensus nga Kodi që në vitin 2003 dhe se ky konsensus nuk ka arsye që të prishet tani. Për fat të keq, ky pretendim zhvishet nga konteksti historik i kohës, atëherw dhe tani. Atëherw, sepse në atë kohë lëvizja motivohej nga nevoja për të reduktuar opsionet në formimin e koalicioneve, për të rritur fuqinë negociuese të partive të mëdha, për të vënë partitë e vogla përpara ofertave ‘detyruese’, si dhe për të reduktuar konkurimin politik.

Tani, sepse tani lëvizja motivohet nga nevoja për të implementuar sistemin me lista të hapura, për të reduktuar pozitën dominuese të partive të mëdha në skenën politike, për të nxitur rigjallërimin e partive dhe koalicioneve alternative. Epoka e re ka tiparet e veta të reja. Epokë të re me tipare të vjetra nuk mund të ketë. Kështu që, arsye, pas 17 vjetësh, për t’u larguar nga e vjetra ka shumë. Ky largim nga e vjetra është bërë gjithashtu me konsensus, sepse ka pasur konsensus të plotë parlamentar dhe të opinionit publik, ditën që Kuvendi miratoi amendamentete kushtetuese”, thekson Gjiknuri në letër.

Këtu duket se ka qartë një vullnet të fortë të PS-së për të mos u kthyer te koalicioni tren, e këtë letër ka shumë gjasa që Gjiknuri ta ketë përkthyer edhe në anglisht dhe ta  ketë dërguar tek ndërkombëtarët.

Po a do të pranojë PD e LSI që t’i hyjnë diskutimit me një minus që i ofron PS, me një ofertë “merre ose lëre”; o listat e hapura, o koalicionet-tren? Kjo padyshim që do të mësohet nesër, natyrisht nëse opozita do të marrë pjesë në Këshillin Politik.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore