Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

Katër viktimat e 21 Janarit dhe fati i tyre i orvatur, a janë harruar pas 11 vitesh? Saga e një (pa)drejtësie pa fund

Katër viktimat e 21 Janarit dhe fati i tyre i orvatur, a janë harruar

Demostrues, flakë, përleshje, gjakderdhje, viktima…

Kjo ishte tabloja e 21 Janarit të vitit 2011 ku në një protestë të thirrur nga opozita e asja kohe, Partia Socialiste, mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Teksa nisi si një ditë si gjithë të tjerat, protesta e 21 Janrit të 11 viteve më parë, vijon të jetë një plagë e hapur për familjarët të cilët pretendojnë se e vërteta nuk është zbardhur ende.

Protesta e cila ishte lajmëruar në orën 14:00 bëri që të vërshonin një lum njerëzish në shesh, kundër korrupsionit  pas skandalit të publikuar në "Fiks- Fare" me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion. Por këtë herë protesta përfundoi e përgjakur. Demostruesit atë ditë përshkuan rrugën nga Sheshi "Skënderbej" deri para Kryeministrisë.

E gjithë protesta transmetohej direkt në të gjitha televizionet, por tmerri dhe paniku ishte më i madh tek ata që ishin në shesh, tek demonstruesit. Në kohën kur njerëzit po largoheshin e mendohej se gjithçka mbaroi, të shtënat tmerruan demonstruesit. Pastaj, një njeri u shtri përtokë, pas tij një i dytë, ndërsa dikush nga mesi i turmës thirri me zë të lartë: "Na vranë". Trupi i një 40-vjeçari u mor në krahë nga disa burra, ndërkohë që në gjoks i dukej një vrimë plumbi, pasi këmishën e kishte gjysmë të zbërthyer. "Po na qëllojnë me plumba të vërtetë", tha një tjetër. 

Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nën drejtimin e ish-komandantit Ndrea Prendi.

Teksa ngjarja bëri bujë të madhe edhe tek ndërkombëtarët, Prokuroria hapi hetime dhe ngriti akuzë ndaj dy punonjësve të gardës së Republikës, forcës ushtarake përgjegjëse për mbrojtjen e institucioneve kryesore të shtetit. Agim Llupo dhe Ndrea Prendi u akuzuan për vrasje nga pakujdesia.

Të dy u dënuan nga gjykata e Apelit me përkatësisht 3 vjet dhe 1 vit burg për vrasje nga pakujdesia dhe dolën të lirë pasi u konsiderua se e kishin ezauruar këtë masë dënimi në arrest shtëpie.

Aso kohe Ilir Meta dha dorëheqjen ndërsa mori pafajësinë nga Gjykata e Lartë, e cila deklaroi se videoja e përgjimit nuk përbënte provë.

Por pas 11 vitesh a është vendosur drejtësia në vend për shpirtin e 4 viktimave dhe familjarët e tyre që përditë e përjetojnë dhe ripërjetojnë nga fillimi 21Janarin?

Teksa akuzat e ndërsjellta mes palëve politike hidhen shpesh edhe sot ende nuk është zbardhur autori i kësaj ngjarjeje të rëndë.

Nëse në qeverinë e Berishës nuk arriti që drejtësia të bënte punën e saj, pse tashmë në qeverinë Rama nuk u është drejtuar gishti autorëve të dyshuar pas më shumë se një dekade?

Kjo është saga e një (pa) drejtësie pa fund, fati i orvatur i 4 viktimave që ende kujtohen si para 11 vitesh por a nderohen vërtetë si “Dëshmorët e Kombit”?

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore