Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

“Kartoni i Kuq” i PD, për Bashën, apo për 25 prillin?

“Kartoni i Kuq” i PD, për Bashën, apo për 25 prillin?

Populli thotë se hekuri rrihet sa është i nxehtë, e thirrja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike nga ana e Lulzim Bashës më 16 maj pritet që të prodhojë debate të forta brenda radhëve të demokratëve, duke pasur parasysh se brenda këtij këshilli ka anëtarë që kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e kryedemokratit.

Një prej emrave më të zëshëm që kërkon largimin e Bashës është vetë kryetari i këtij Këshilli, Bujar Nishani. Ky i fundit ka dalë me deklarata të forta duke cilësuar pretendimet e Bashës për “masakër elektorale” dhe ankimimet në KQZ si alibi të kryetarit të Partisë Demokratike për të mos dhënë dorëheqjen.

Nishani fajëson Bashën për paaftësi dhe pazotësi në tërheqjen e qytetarëve që janë kundër Edi Ramës që të dalin në votime.

“Qindra-mijëra njerëz nuk kanë shkuar për të votuar, edhe pse nuk e duan këtë qeveri dhe qeverisje, por nga ana tjetër nuk besojnë as te zoti Basha”, deklaronte ai disa ditë më parë në emisionin “Breaking” në Top News.

Nishani vetë thotë se nuk ka asnjë ambicie për të marrë drejtimin e PD. Ambicia e vetme që ka, thotë se është largimi i Edi Ramës. Publikisht kërkesën për largimin e Bashës nuk e ka shoqëruar me kandidimin për postin e kryetarit të PD-së.

Megjithatë, nëse Nishani nuk e ka ndërmarrë këtë hap një tjetër emër, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së Partisë Demokratike e ka bërë. Fatbardh Kadilli kërkesën për largimin e Bashës e ka shoqëruar me ambicien për t’i zënë vendin.

“I kërkoj Lulzim Bashës dorëheqjen. Projekti i tij u provua i paaftë. E kam mbështetur, nuk ia doli, nuk fitoi, nuk qe i zoti, dështoi! Kush thërret Rama ik, nuk mund të thotë Basha rri!”, tha Kadilli.

Emra të tjerë të atyre që kanë shprehur publikisht kërkesën për largimin e Bashës dhe që janë anëtarë të Këshillit Kombëtar nuk mungojnë, por në mbledhjen e Këshillit Kombëtar lista mund të shtohet më të tjera figura që ose u lanë jashtë kandidimit në zgjedhjet e 25 prillit, ose u vendosën në zonat jofituese në 12 qarqet e vendit.

Pikërisht frika e përshkallëzimit të revoltës brenda organit më të lartë drejtues të Partisë Demokratike, siç është Këshilli Kombëtar duket se e ka shtyrë Lulzim Bashën që të ndërmarrë një tur takimesh me bazën.

Publikisht qëllimi i këtyre takimeve thuhet se është ndërgjegjësimi i qytetarëve për atë që Basha dhe PD e quan “masakër elektorale”, ndërsa jopublikisht gazeta “Shqip” mëson se këto takime po shfrytëzohen edhe për fushatë brenda partisë nga ana e Bashës. Pra, kreu i PD po kërkon që të sigurojë mbështetjen e bazës para nisjes së diskutimeve në strukturat drejtuese për analizimin e rezultatit të 25 prillit dhe zgjedhjeve për kryetar partie që pasojnë në korrik.

Nga takimi me strukturat në Lezhë, ku PD doli fituese dhe duke folur më gjuhën e futbollit, ashtu siç Edi Rama foli gjatë fushatës elektorale, Basha e quajti 25 prillin një “faull për karton të kuq” për Edi Ramën. Ai paralajmëroi se ndeshja do të vazhdojë. Por si? Basha dhe besnikët e tij kanë deklaruar se betejën do ta vazhdojë me të gjithë format dhe rrugët, përfshirë këtu edhe Parlamentin në shtator, që do të thotë njohje të 25 prillit.

Zyrtarisht PD e Bashës nuk ka dalë me një qëndrim të qartë sa u takon zgjedhjeve të fundit. Për të mësuar një të tillë ndoshta duhet pritur Këshilli Kombëtar më 16 maj, ku dy janë rrugët; ose 25 prilli do të cilësohet si faull për karton të kuq nga ana e PD, ose Basha vetë do të marrë kartonin e kuq nga PD.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore