Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kanuni, si gjykatë para diktaturës! 10 maji i drejtësisë shqiptare

Kanuni, si gjykatë para diktaturës! 10 maji i drejtësisë

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë shënoi hapat e para në krijimin e institucioneve të shtetit të ri shqiptar, ku Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, krahas iniciativave të rëndësishme për krijimin e organeve kryesore të pushtetit legjislativ e ekzekutiv, u fokusuan dhe mbi riorganizimin e pushtetit gjyqësor.

Kështu, në 10 Maj 1913 u miratua “Kanuni i Zhurisë”, akti i parë dhe guri i themelit për organizimin dhe funksionimin e gjykatave në sistemin gjyqësor shqiptar.

Në “Kanunin e Zhurisë” u parashikua krijimi i Gjykatës së Diktimit, Gjykatave të shkallës së parë të nënprefekturave, të cilat ishin kompetente për gjykimin e çështjeve civile dhe kundërvajtjeve e delikteve, si dhe Gjyqi Popullor me zhuri, i cili do të gjykonte çështjet penale me përfaqësues të popullit.

Ky sistem që u zbatua të paktën në një çështje në Elbasan, nuk dha rezultatet e duhura dhe u shfuqizua me dekretin e datës 4 qershor 1914, ku u vu në zbatim ligji për gjykatat e drejtësisë në Shqipëri, sipas të cilit u krijuan Gjyqi Fillor i Apelit dhe Diktimit.

Por 6 vjet më vonë, në vitet 1920-1939 problemet kryesore në fushën e së drejtës, që paraqisnin rëndësi të madhe për shtetin tonë, ishin reforma ligjore, riorganizimi i organeve gjyqësore dhe aftësimi i kuadrove të tyre. Gjatë kësaj periudhe filloi të kristalizohej më mirë organizimi dhe funksionimi i sistemit gjyqësor.

Miratimi i Statutit Themeltar të Republikës së Shqipërisë, i vitit 1925, parashikoi në nenin 102 të tij se çdo gjyqtar e prokuror do të emërohej në detyrë nga kryetari i Republikës, mbi propozim të Ministrit të Drejtësisë.

Gjatë kësaj periudhe sistemi gjyqësor ishte i organizuar në Gjykata Fetare, të secilit prej tre besimeve. Vendimet e këtyre gjykatave ekzekutoheshin nga zyrat e përmbarimit pranë gjykatave të nënprefekturave, Gjykata Ushtarake e Posaçme e krijuar për herë të parë në Shkodër, përbëhej  nga tre oficerë, dy anëtarë civilë dhe një prokuror civil.

Kjo gjykatë hetonte e gjykonte të gjitha çështjet për krime të cilët kishin “shaktue prishjen e qetësisë së brendshme”, dënonte të pandehurit pavarësisht nga grada ose cilësia e tyre, dënonte jo vetëm oficerët që kishin luftuar kundër forcave zogiste, por edhe të gjithë shtetasit që i ishin kundërvënë nëpunësve të qeverisë.

Ndërsa Gjykata e Posaçme Politike kryesohej nga një oficer dhe përbëhej nga dy gjyqtarë dhe dy oficerë të zgjedhur nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Vendimet e kësaj gjykate ishin të formës së prerë dhe miratoheshin nga Ministri i Punëve të Brendshme, ndërsa në rastin e dënimit me vdekje kërkohej miratimi i Kryetarit të Parlamentit.

Gjykata e Lartë e Shtetit përbëhej nga pesë senatorë dhe nga kryetarët e degëve të Gjykatës së Diktimit. Krijohej si gjykatë “ad hoc” për të shqyrtuar dhe zgjidhur çështjet që kishin të bënin me krime të tradhtisë së lartë, krime të tjera politike ose krime në ushtrimin e detyrës të kryera nga ministrat ose funksionarë më të lartë të shtetit.

Ndryshimet e rëndësishme që ndodhën në vitin 1928, ku Shqipëria kaloi nga sistemi parlamentar i qeverisjes, në sistemin monarkik të qeverisjes, u pasqyruan edhe në mënyrën e funksionimit të pushtetit gjyqësor, veçanërisht miratimi më 1 Prill 1929 i ligjit “Mbi organizimin e drejtësisë”, sanksionoi ndarjen e gjykatave në Gjykatat e Paqit, vepronin në qendrat e çdo prefekture dhe nënprefekture, dhe sipas rëndësisë ndaheshin në tre klasa.

Gjykatat e Shkallës së Parë vepronin në çdo qendër prefekture, dhe si gjykatë kolegjiale e shtrinin veprimtarinë në të gjithë juridiksionin administrativ të prefekturës. Këto gjykata ndaheshin në Gjykatat Fillore dhe Gjykatat Kolegjiale.

Gjykata Fillore gjykonin në shkallë të parë të gjitha çështjet penale të kompetencës së Gjykatës së Paqit, por me kusht që ato vepra të kishin ndodhur brenda kufijve të prefekturës.

Gjykata Kolegjiale përbëhej nga një kryetar dhe dy anëtarë dhe kishte në kompetencë gjykimin e të gjitha çështjeve penale për krime (delikte), të cilat dënoheshin me burg mbi tre vjet.

Gjykata e Diktimit, që sot quhet Gjykata e Lartë ndahej në dy degë Dega e çështjeve Civile dhe Dega e çështjeve Penale. Çdo degë e saj përbëhej prej një Kryetar, katër Anëtarë, një Ndihmës-Anëtar, një Kryesekretar dhe numri i nevojshëm i sekretarëve, ftuesve dhe shërbëtoreve.

Pranë Gjykatës së Diktimit ndodhej një Kryeprokuror, një Nënkryeprokuror, një sekretar, një protokollist-arshivist dhe një shërbëtor. Gjykata e Diktimit mund të mblidhej dhe në Mbledhjen e Përgjithshme, ku detyra e Kryetarit ushtrohej prej Kryetarit të Degës Civile Karakteristikë e vendimeve të Gjykatës së Diktimit ishte garantimi i procesit të rregullt ligjor, paanshmëria dhe pavarësia e gjyqtarëve.

Gjatë periudhës së monarkisë funksioni i gjykatës së lartë administrative ushtrohej nga Këshilli i Shtetit, që ndahej në Seksionin e drejtësisë, të administratës dhe financës, ekonomisë e komunikacioneve.

Ndërsa nga viti 1944 e deri në vitin 1990 me ligjin për organizimin gjyqësor dhe konkretisht në vitin 1951, Gjykata e Lartë ndahej në këto kolegje gjyqësore: Kolegji penal, Kolegji civil, Kolegji ushtarak dhe Kolegji disiplinor.

Secili prej Kolegjeve shqyrtonte çështjet e veta të kompetencës lëndore me trup gjykues të përbërë nga Kryetari, një Anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe dy ndihmës.

Interesant është fakti se kolegji disiplinor shqyrtonte shkeljet disiplinore të gjyqtarëve popullorë, të kryetarëve dhe anëtarëve të gjykatave ushtarake dhe të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues të përbërë nga Kryetari ose zëvendësi i tij dhe dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, të caktuar nga Kryetari.

Gjykata e Lartë gjykonte gjithashtu në Plenumin e saj, i cili përbëhej nga Kryetari, nën-kryetarët dhe gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë. Udhëzimet e Plenumit të Gjykatës së Lartë, ashtu si mendimi juridik në tërësi, ishin të udhëhequra nga politika dhe ideologjia e regjimit komunist.

Përgjithësimet e praktikës gjyqësore, të bëra nga Gjykata e Lartë, kanë shërbyer për t’i orientuar gjykatat e shkallëve me të ulëta për gjykimin e çështjeve sipas kërkesave politike, ideologjisë dhe legjislacionit të kohës.

Përmbysja e sistemit totalitar komunist u shoqërua me nevojën e ndryshimeve të mëdha në të gjitha fushat e jetës dhe përshtatje me sistemet demokratike bashkëkohore. Në fushën e drejtësisë u ndje nevoja e ndryshimeve rrënjësore për të vendosur një sistem gjyqësor të pavarur, në mënyrë që drejtësia ti përmbahej parimeve të ligjshmërisë dhe barazisë së personave para ligjit, mbi bazën e respektimit të së drejtës.

Me Ligjin nr.7491, datë 29.04.1991 “Për Dispozitat Kryesore Kushtetuese”, Kuvendi Popullor vendosi që sistemi gjyqësor në Shqipëri të përbëhej nga Gjykata e Kasacionit, Gjykata e Apelit, gjykatat e shkallës së parë dhe gjykatat ushtarake.

Me ketë ligj Kryetari dhe zv.kryetarët e Gjykatës së Kasacionit zgjidheshin nga Kuvendi Popullor me propozim të Presidentit të Republikës. Gjyqtarët zgjidheshin nga Kuvendi Popullor. Ata zgjidheshin në detyrë një herë në 7 vjet më të drejtë rizgjedhjeje.

Gjykata e Kasacionit nuk mund të shqyrtonte asnjë çështje në shkallë të parë, kurse në shkallë të dytë gjykonte vetëm çështjet e parashikuara me ligj.

Miratimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sanksionoi një sistem prej tre shkallë gjykimi, duke parashikuar se  “Pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykata e Lartë, si dhe nga gjykatat e apelit e gjykatat e shkallës së parë, të cilat krijohen me ligj...”.

Gjykata e Lartë, përbëhet prej 19 anëtarësh, të emëruar në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, me një mandate 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi. Gjykata e Lartë, në bazë të Kushtetutës, ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Kështu, ajo gjykon si shkallë e parë akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, shqyrton në juridiksion rishikues të gjitha rekurset e paraqitura kundër vendimeve të gjykatave më të ulëta. Gjithashtu, për njehsimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.

Mënyra e organizimit dhe funksionimit të këtij institucioni të pavarur kushtetues, është parashikuar ne ligjin organik te tij nr. 8588, date 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. (ndryshuar me Ligjin 151/2013). Ky ligj parashikon se Gjykata e Lartë gjykon çështjet në dy Kolegje Civile, një Kolegj Penal, një Kolegj Administrativ, si dhe në Kolegjet të Bashkuara për unifikimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, nga radhët e anëtarëve ekzistues, dhe e ushtron këtë detyrë brenda mandati të anëtarit të gjykatës. Ky i fundit, krahas funksioneve gjyqësore, ka në kompetencë përfaqësimin e institucionit, emërimin dhe shkarkimin e ndihmësve ligjor e personelit ndihmës, si dhe administrimin e fondeve buxhetore të vëna në dispozicion./ Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore