Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një kopësht të Vorës

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

Që prej goditjes nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, procesi i Rindërtimit ka qenë një prej kauzave kryesore të qeverisë shqiptare.

Me dhjetëra aktivitete, konferenca, projekte, inaugurime dhe inspektime në kantierët e punës janë mbajtur nga shefi i qeverisë Rama dhe nga ministrat e tij. Gjithsesi, procesi, që duhet thenë se u godit fort nga pandemia e koronavirusit, ka mbetur ende i papërfundur dhe dhjetëra familje po e kalojnë dimrin në çadra.

Shembulli më flagrant që tregon disbalancën e madhe mes punës së kryer dhe “reklamës” që i bëhet nga qeveria është rasti i një kopshti në një fshat të Vorës.

Për të njëjtin objekt, janë bërë plot 7 postime në rrjetet sociale,  4 nga Kryeministri dhe 3 nga një ministre e qeverisë e deleguar në Vorë, Elisa Spiropali.

Por pavarësisht intensitetit të postimeve dhe inaugurimeve bajate, ndërtimi i kopshtit nuk u përmbyll në afatin që vetë shefi i qeverisë reklamonte në Facebook, pra më 26 nëntor.

Në fakt, kopshti ishte gati të hapte dyert vetëm në fillim të këtij viti, pra rreth dy muaj më vonë sesa afati i punimeve.

Ndjekësit e kryeministrit do të njiheshin me investimin e qeverisë për kopshtin “Muçaj” për herë të parë më 29 gusht të vitit të kaluar.

Ishte vetë kreu i qeverisë, që njoftonte nisjen e punimeve, ndërsa paralajmëronte se kopshti me kushte optimale do të hapte dyert më 26 nëntor.

“Kopshti “Muçaj” në Vorë, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por në 26 nëntorin që po vjen do të hapë dyert, i rilindur për 200 fëmijë, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane”, shkruante kryeministri më 29 gusht 2020.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

Rreth një muaj më vonë, kryeministri njoftoi ndjekësit e tij se kopshti “Muçaj” po rilind më i bukur, më i madh dhe më i fortë, ndërsa rikujtonte dhe njëherë se do hapte dyert për vogëlushët më 26 nëntor.

“Kopshti “Muçaj” në Vorë, po rilind më i bukur, më i madh dhe më i fortë natyrisht. 200 fëmijë të kopshtit do të rikthehen më 26 nëntor, në mjedise të reja të projektuara sipas standardeve më të mira europiane”, shkruante Rama më 26 shtator.    

    Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një       

Vetëm 4 ditë më vonë, në lojën e postimeve futet edhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, që është edhe e deleguara e PS në Vorë.

“Vorë – Shkolla “Ahmetaq” dhe kopshti “Muçaj” janë ringritur nga themelet. Në kantierët e Rindërtimit vazhdon puna vazhdon puna për përfundimin në kohë rekord të këtyre dy hapësirave moderne të infrastrukturës arsimore”, shkruan Spiropali më 30 shtator.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

Pas rreth tre javësh pushim, në profilin Edi Ramës do të shfaqej sërish kopshti i famshëm “Muçaj”. Kësaj radhe, kryeministri do të njoftonte se është realizuar infrastruktura nëntokësore për rindërtimin e kopshtit.

“Në kantierin e rindërtimit të lagjës së re qëndrore të Vorës, ku tanimë është realizuar infrastruktura nëntokësore edhe në kopshtin “Muçaj”, që do të hapë dyert për fëmijët në 26 nëntor”, shkruante Rama më 19 tetor.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

Çuditësisht, kopshti nuk u shfaq në asnjë profil zyrtar më 26 nëntor, ditën kur duhej të bëhej futja e vogëlushëve në të. Fakti ishte se kopshti nuk kishte përfunduar ende dhe fëmijët duhet të prisnin edhe disa javë.

Por më 11 dhjetor, do ishte sërish Elisa Spiropali që do shkruante për kopshtin. Edhe pse asnjë rresht për shkeljen e premtimit për hapjen e tij më 26 nëntor, Spiropali njoftonte ndjekësit e saj se kopshti do hapte dyert shumë shpejt.

“Kopshti “Muçaj” është rindërtuar nga e para pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. Shumë shpejt do të hapë dyert për 200 fëmijë, të cilët do të mësojnë dhe argëtohen në ambientet e reja, me asnjë dallim nga kopshtet dhe shkollat europiane”, shkruante Spiropali.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

Më në fund kopshti duket se ishte gati në fillim të vitit të ri. Ishte sërish ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin që njoftonte më 4 janar, lajmin e shumëpritur se më në fund, kopshti ishte gati për të mirëpritur 200 vogëlushë.

“Kopshti “Muçaj” është rindërtuar nga e para pas goditjes fatale që i shkaktoi tërmeti. Sot ky kopësht me kushte optimal është gati të mirëpresë 200 vogëlushë në hapësirat ku është punuar deri në më të voglin detaj”, shkruante Spiropali.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

I ndodhur në Greqi, ku po zhvillon takime me homologun grek, pasi vizitës që zhvilloi në Turqi, kryeministri Edi Rama vendosi ta niste ditën e sotme, pikërisht me të njëjtin kopësht.

Kreu i qeverisë publikoi sot një video ku tregon strehën e re për fëmijët e Vorës.

“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër kopësht fantastik për fëmijët e Vorës, të cilët humbën strehën e vjetër e të degraduar një vit më parë, e sot do të rikthehen më të shumtë nën një strehë të denjë për fëmijërinë e tyre, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama, sot më 8 janar, duke mbyllur kështu sagën e postimeve që nisën më 29 gusht të vitit të kaluar. Edhe pse nuk mund të themi me siguri se ky është postimi i fundit për kopshtin që pushtoi rrjetet sociale.

Inaugurimet e qeverisë bëhen bajate, 7 postime për një

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore