Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Krimi po trondit Shqipërinë/ Sociologu Tushi: “Bishat” me gjak të ftohtë po kriminalizojnë familjet shqiptare

Krimi po trondit Shqipërinë/ Sociologu Tushi: “Bishat” me

Shqipëria po tronditet kohët e fundit nga ekzekutimet mafioze te vrasjet brenda familjes për motive banale, përdhunime me të miturit, apo dhuna në familje.

Krime këto që kanë ndodhur më tepër pas çlirimit nga pandemia dhe lehtësimi i masave kufizuese. Gazeta Shqip intervistoi sociologun e njohur Gëzim Tushi për të mësuar më tej se çfarë po ndodh me familjet shqiptare dhe me të rinjtë.

Ai rendit disa shkaqe sociale dhe kulturore që po shkaktojnë këto ngjarje tragjike e makabre, që natyrisht vijnë jo si një rrufe në qiell të hapur. “Babai vret djalin, djali vret nënën, burri vret gruan për xhelozi, vëllai vret motrën për “çështje nderi”, nëna vajzën e vajza nënën, mbesa e nipi gjyshen, etj. Me armë, litar, me çdo mjet të mundshëm. Një numër i madh mostrash në familjet tona, që nuk janë njerëz, por të kthyer nga krimi në “bisha” me gjak të ftohtë, dominohen nga instikte shtazarake nga që nuk janë më qenie racionale. Arsyen dhe humanitetin i kanë nxjerrë “jashtë përdorimit” u shpreh Tushi.

Për rastet e përdhunimit Tushi ka shtuar se: përdhunimi kriminal i fëmijëve, abuzimi përmes formave të shumta të joshjes dhe mashtrimit është akti më i rëndë që ka pasoja të mëdha, shpesh të pariparueshme mbi jetën, zhvillimin harmonioz dhe personalitetin e fëmijëve.

Zoti Tushi çdo ditë kemi një rritje të vrasjeve në familje, çfarë po ndodh me familjet shqiptare?

Situata e krimit është agravuar në shoqëri, sepse ai është vazhdimisht duke u zgjeruar deri në kufijtë e banalitetit social. Jo vetëm kaq. Krimi tenton të bëhet intensiv dhe njerëzit gati po mësohen dhe po përshtaten me të keqen sociale, me këtë kundër kulturë agresive, kriminale. Dinamika e krimit kohët e fundit është agravuar, shumica e tyre janë me natyrë banale dhe shkaqe të sipërfaqshme e momentale. 

Koha tregon statistikisht shumica se e krimeve që ndodhin në shoqërinë tonë, janë të lidhura me familjen dhe shtëpinë si institucione të jetës private. Në të cilën krimi jo vetëm është “demokratizuar” e zgjeruar, por është banalizuar keq. Babai vret djalin, djali vret nënën, burri vret gruan për xhelozi, vëllai vret motrën për “çështje nderi”, nëna vajzën e vajza nënën, mbesa e nipi gjyshen, etj. Me armë, litar, me çdo mjet të mundshëm. Një numër i madh mostrash në familjet tona, që nuk janë njerëz por të kthyer nga krimi në “bisha” me gjak të ftohtë, dominohen nga instinkte shtazarake nga që nuk janë më qenie racionale. Arsyen dhe humanitetin i kanë nxjerrë “jashtë përdorimit”.

Krimi në familje është hapur tregues sintetik i dobësimit të “amortizatorëve socialë”, dobësimit të lidhjeve të gjakut, lidhjeve të tjera emocionale e shpirtërore që sjellin harmoni, paqe, tolerancë e mirëkuptim midis pjesëtarëve të saj. Ajo që është më shumë shqetësuese, është fakti që krimi në familje po na detyron të adoptohemi me të, dhe kjo është arsyeja e një lloj indiference, mungese të reagimit adekuat qytetar, e cila është një nga faktorët që ndikon në faktin, që ky lloj krimi jo vetëm po zgjerohet por po bëhet gjithnjë e më shumë agresiv. 

Krimi në familje nuk mund të konsiderohet me mendjelehtësi si “defekt kulturor” por ontologjik, nga që ka sjellë pasoja serioze dhe po shoqërohet me deformime thelbësore të njerëzve, që jetojnë në atmosferë dhune e klimë kriminale, duke humbur kështu shpesh herë “kufirin” ku fillon njerzillëku, ku mbaron kafshëria. Koha kërkon që natyrën e sjelljen e njeriut ta shikojmë realisht dhe jo utopikisht, sepse jemi përballë një procesi shqetësues të “kriminalizimit” të familjes, deformimit të shumë tipareve, vetive njerëzore deri në pikën kritike kur shpesh duhet të shtrojmë pyetjen ekzistenciale: A ka shpirt ky njeri që brenda familjes së vet reduktohet në kriminel ordiner?

A ka ndikuar izolimi në shtëpi nga masat anti-covid që ka sjell këto ngjarje?

Pandemia mund të ketë ndikime periferike në shfaqjen e një niveli të ri të agresivitetit individual dhe neurotizmit social, por ai nuk është i vetmi. Krimi, vrasjet dhe vetëvrasjet ka kohë që në shoqërinë shqiptare janë bërë si buka e përditshme. Sigurisht izolimi I gjatë ka sjellë një akselerim të shfaqjeve të bullizmit, agresivitetit, mungesës së komunikimit, grindje e konflikte bashkëshortore apo prind fëmijë. Me sa duket qëndrimi për një kohë të gjatë i izoluar në hapësirat e ngushta të shtëpisë na mbrojti nga virusi Covid-19, por na shtoi dozat e “virusit të agresivitetit.

Kemi pasur 3 vrasjet e fundit ku në Shkodër vëllai vrau motrën, në Tiranë vjehrri vret ish dhëndrin, në Librazhd burri vret gruan me sëpatë. Cilat janë shkaqet që shkaqet që çojnë këto individë deri në këto akte ekstreme?

Ka shumë arsye, por unë do të evidentoja si më kryesore: Së pari, shpërbërja e rolit dhe funksioneve edukative të familjes. Procesi i kalimit nga familja tradicionale etike në familjen postmoderne, liberale, të demokratizuar, me prirje individualiste dhe tendencë për mënyra të personalizuara të sjelljes, në vend që të forconte dhe përmirësonte natyrën, sjelljen individuale e komportimin social, i ka përkeqësuar ato. Sociologët janë të shqetësuar, ata flasin me të drejtë për një “edukim të lodhur” që zhvillohet aktualisht në familje dhe shkollë.

Së dyti, niveli i varfërisë edhe pse nuk duhet konsideruar si “shkak i vetëm”, është sidoqoftë nga faktorët që ka ndikim në këtë klimë kriminaliteti e asocialiteti. Megjithatë, këtu është e nevojshme të bëhet një sqarim, të shpërndahet një keqkuptim që ndeshet rëndom, lidhur me raportin midis varfërisë dhe sasisë, intensitetit të krimit në shoqëri. Sepse nuk mund të shpjegohet gjithçka me një faktor të vetëm, qoftë ky edhe aq shumë i rëndësishëm sikurse është ndikimi social i varfërisë.

Së treti, kohët e fundit shoqëria shqiptare është inonduar nga përdorimi i zgjeruar i drogës, alkoolit dhe lëndëve të tjera me natyrë psikotrope, që krijojnë kushte “ideale” për sjellje devijante, humbjen e vetëdijes humane, ekuilibrit ekzistencial. Studimet e sociologjisë së krimit kanë vërtetuar me fakte, se një pjesë e krimit në shoqëri buron nga zgjerimi i gamës së kënaqësive të deformuara, sikurse janë droga, alkooli, seksi, etj. Njeriu nuk është thjesht person biologjik që plotëson vetëm dëshira dhe kënaqësi, por është qenie sociale thelbësore.

Së katërti, njerëzit shpesh herë në vend të tolerancës, komunikimit dhe zgjidhjes me mirëkuptim të kontradiktave, konflikteve parapëlqejnë rrugën e dhunës, hakmarrjes së verbër. Në këto rrethana për të zbutur situatat kriminale nuk kërkohet të “ndryshojmë njerëzit” por të përmirësojmë, më saktë të transformojmë kulturën e tyre.

Së pesti, shumë shqetësues është deformimi konceptual për kuptimin e duhur të thelbit të lirisë individuale, në raport me shoqërinë e lirë. Në shumë raste përballemi me sjellje e qëndrime eksentrike, që tregojnë se akoma kemi keqkuptime e konfondime anarkiste të thelbit të lirisë së vërtetë. Kjo është arsyeja pse ndodh që tek njeriu me prirje kriminale kemi “çarje të personalitetit”, ose një situatë kur brenda natyrës së tij nuk është njeriu human por endet “kafsha e egër”, e cila e redukton njeriun në qenie të thjeshtë biologjike, duke mposhtur natyrën, thelbin human të tij.

Së gjashti, dobësimi i forcës së zbatimit pa lëshim të ligjit, forcimi i funksionit pedagogjik dhe edukues të shtetit, bashkë me një strategji më të saktë antikrim të Policisë së Shtetit, e cila akoma nuk e ka të konsoliduar thelbin dhe natyrën komunitare e bashkëpunuese me qytetarin, si aleat në luftën kundër krimit qoftë të organizuar apo ordiner.

Së shtati, analiza e shkaqeve të krimit tregon se krimineli “ka arsye” që duken apo dallohen, por edhe shkaqe të nëndheshme që e nxitin të kryejë krim. Në këtë rast një rol të veçantë ka arsimi, për të zbutur rrezikun që vjen nga kategoria e njerëzve injorantë, që shpesh shfaqen si egërsira të hutuara në shoqëri, nga që ju mungojnë njohuritë, parimet e jetës qytetare. Kjo do të thotë se për të zbutur krimin, duhet forcuar roli i dijes dhe shkollës për të përgatitur njerëz me “ndërgjegje të urbanizuar”. Edukimi është mjet kryesor në betejën tonë të përbashkët, për ta bërë shoqërinë jo habitat për “marshimin e kriminelit” por të njeriut të qytetëruar. Kjo do të thotë që duhet të afrohemi më shumë me fuqinë e edukimit. Kurrë nuk duhet të bëhemi “armiq” të saj.

Së teti, në shumë raste edhe media ka ndikime kontroversale në pasqyrimin jo adekuat, edukativ dhe me tendencë korrigjuese të situatave kriminale, të cilat duhen parë më thellë. Edhe pse media nuk është sociologji e analizës së thellë të shkaqeve, por një “sociologji e çastit”.

Media ka luajt një rol substancial në luftën kundër krimit, ndërgjegjësimin e përbashkët të shoqërisë për rrezikun e zgjeruar social të kriminalitetit në shoqëri. Në të gjitha rastet ndikimi i saj në pasqyrimin e kriminalitetit ka pasur ndikime të gjëra politike e sociale dhe me shumë peshë në “ndërgjegjësimin e përbashkët social”. Megjithatë edhe media ka “mëkatet” e veta në mënyrën si e pasqyron krimin, tipologjinë dhe fenomenologjinë e tij mediatikisht. 

Kemi edhe rastin e përdhunimit e një mitura, në moshën 15-vjeçare në Lezhë nga 5 burra, përse po ndodhin për sa i përket aspektit psikologjik?

Rasti aktit makabër të pedofilisë dhe abuzimit seksual me vajzën minorene nga Rrësheni është në përmasat e një akti të përbindshëm të kryer me gjak të ftohtë nga disa mostra. Me gjithë atë duhet të gjykojmë përtej këtij rasti dhe shumë rasteve të tjera të abuzimit me fëmijët duke e parë atë si fenomen social. Në këtë kontekst, përdhunimi kriminal i fëmijëve, abuzimi përmes formave të shumta të joshjes dhe mashtrimit është akti më i rëndë që ka pasoja të mëdha, shpesh të pariparueshme mbi jetën, zhvillimin harmonioz dhe personalitetin e fëmijëve. Sepse nga ky akt barbar  çnjerëzor, ata (fëmijët dhe adoleshentët) shfaqin pastaj çrregullime sistemike të sjelljes, depresion të vazhduar, makthe të forta, stres të zgjeruar postraumatik, kriza paniku, çrregullime të ushqyerjes, deri edhe në situata akoma më të vështira, kur në jo pak raste janë shoqëruar me tentativa për vetëvrasje.

Duhet pranuar se kjo situatë jo normale e shfaqjeve të larmishme të abuzimit me fëmijët, është rezultat i shumë faktorëve, midis të cilëve janë puna e pamjaftueshme që bëjnë familja, shkolla, media, etj, të cilët bëjnë pak për të formuar tek fëmijët dhe të rinjtë cilësi shoqërisht të vlefshme. 

Një nga rrugët e mbrojtjes së fëmijëve nga abuzimi seksual, është krijimi tek ata i kulturës së denoncimit të çdo lloji apo forme të joshjes, presionit, ngacmimit seksual verbal apo fizik qoftë. Në këtë kontekst është imperative puna për përmirësimin e treguesve të edukimit seksual, por mbi të gjitha të cilësive të punës për “edukimin human” të fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve në mënyrë që ata të kuptojnë raportet e drejta të sjelljes seksuale, lidhjes së ngushtë e të pandarë me shfaqjen dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. 

Na takon si shoqëri të luftojmë në të dy drejtimet: së pari, kundër pedofilisë, abuzimit seksual me fëmijët dhe adoleshentët, nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë, të tregojmë më shumë vëmendje edukative, vigjilencë sociale për të edukuar dhe krijuar tek fëmijët dhe adoleshentët, një kulturë seksuale që është në kundërshtim me kundërkulturën e shthurjes morale. Kjo kërkon t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet e seksualitetit, shndërrimit të tyre në viktima nga dëshirat e tepërta për konsum e modë konkurenciale, nga përdorimi i drogës apo konsumi i panevojshëm i alkoolit.

Si  t’i ndihmojnë prindërit fëmijët e tyre ose shteti duke pasur parasysh të gjitha organet kompetente për çdo ngjarje?

Në këtë situatë të gjithë organizimet e jetës politike, sociale, komunitare, fetare, të shoqërisë civile, etj kanë role, detyra dhe përgjegjësi për këtë situatë të agravuar të krimit në shoqëri. Pyetja që bëjnë njerëzit me të drejtë është : çfarë duhet bërë, cilat do të ishin disa nga rrugët që na çojnë në zbutjen e shkaqeve të krimit dhe vrasjeve në shoqërinë tonë? Janë disa faktorë që veprojnë të ndarë por njëkohësisht janë komplementarë, pjesë sinkretike e një strategjie të përbashkët në luftën kundër krimit.

Së pari, është e domosdoshme që institucionet e edukimit sidomos në familje, të mësojmë dhe kultivojmë tek të rinjtë (që janë pjesa kryesore e shoqërisë të përfshirë në veprime kriminale) që të aplikojnë frymën e tolerancës dhe ta kthejnë atë në mjet, për zgjidhjen në të gjitha rastet me mirëkuptim të konflikteve të natyrshme apo të panatyrshme qofshin.

Së dyti, është detyrë e ontologjisë së shkollës që të edukojë nxënësit për t’i bërë atë qytetarë, që së pari të komunikojnë si qenie humane.

Së treti, shoqëria civile të bëjë atë që duhet, të kultivojë tek njerëzit modele të reja kulturore të sjelljes së qytetarit.

Së katërti, media ka një rol të madh për sensibilizimin e opinionit publik, për të garantuar reagimin qytetar ndaj çdo sjellje antihumane e veprimi kriminal.

Së pesti, feja dhe institucionet e saj, të venë në funksion të humanizimit të sjelljes njerëzore të gjithë rolin social dhe kapacitetin e tyre shpirtëror.

Së gjashti, forcimi i shtetit, ligjit dhe ndëshkimi në çdo rast i kriminelëve sipas ligjit. Sepse “liria e skajshme” apo mungesa e çdo lloj shtrëngimi çon në shpërbërjen sociale të shoqërisë.  Në këtë kontekst, është i domosdoshëm “…një minimum aparati shtrëngues (drejtësia, policia), por, sidomos, ndjenja e përjetuar, e brendësuar te çdo individ, e solidaritetit dhe bashkësisë me anëtarët e shoqërisë së cilës i përket.”

Cilat janë shkaqet e sjelljeve negative te adoleshentët?

Adoleshenca është “mosha që nga pikëpamja sociologjike përfshin vitet mes fshikëzës mbrojtëse të fëmijërisë dhe hyrjes në botën profesionale të të rriturve. Ai përmban brenda vetes, në mënyrë të thelluar, problemet e qytetërimit tonë.

Pozita sociale e adoleshentëve sot pas kalimit të turbulencave të izolimit dhe bunkerizimit social, është agravuar në aspektet e shtimit të dhunës dhe krimit. Pozita e tyre është bërë më shumë se kurrë, është bërë më e lëkundur tejet e paqartë. Por nuk është Covid 19 determinant i këtyre sjelljeve të adoleshentëve. Janë disa faktorë që ndikojnë në këtë situatë të lëkundur, të paqartë të adoleshentëve sikurse janë ekspansioni dhe ndikimi përkeqësues i disa faktorëve socialë që çojnë në degradimin progresiv të sjelljes dhe personalitetit të tyre.

Përdorimi i zgjeruar i alkoolit, ulja e fashës moshore të fillimit të përdorimit nga adoleshentët dhe të rinjtë, është një problem shumë serioz. Madje statistikat tregojnë se është një problem social i përgjithshëm për shoqërinë shqiptare, por shumë eminent dhe veçanërisht i rrezikshëm për të rinjtë, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo vetëm në çrregullime evidente të sjelljes sociale por dhe në rreziqe të shumta për humbjen e jetës. 

Përdorimi në zgjerim i drogave të ndryshme, është një tjetër rrezik bashkëshoqërues i krimit në radhët e të rinjve dhe adoleshentëve. Sidomos i atyre të rinjve që kanë situatë ekonomikisht të favorshme familjare, por që nga mungesa e edukimit dhe vigjilencës prindërore bien në situata absurde, në të cilat sikurse thonë sociologët “kanë çdo gjë, por nuk dëshirojnë asgjë”. Që të ndihmojmë adoleshentët që ata të largohen nga rruga e krimit banal, është e domosdoshme të njihet mirë deri në detaje e “vërteta njerëzore”, të “fshehtat e adoleshencës”. Roli, vendi, kujdesi për adoleshentët duhet përcaktuar mirë në shoqëri, shkollë dhe familje sepse nga njëra anë adoleshenca është njëherazi hallka e dobët, për shkak të përfshirjes së dobët sociologjike dhe njëkohësisht “hallka e fortë” për shkak të energjive të saj në zinxhirin e shoqërisë tonë.

Një problem shumë i gjerë, i diskutueshëm është lidhur me qëndrimin dhe marrëdhëniet e shtetit dhe shoqërisë me “krimin minor”. Në këtë aspekt, ka pasur dhe vazhdon të ketë një përplasje të kornizës konceptuale, qëndrimit që duhet mbajtur ndaj delinkuencës së adoleshentëve.

Përballë njëra tjetrës janë qëndrimet konservatore, partizanë të ndëshkimit ligjor pa hezitim të adoleshentëve të përfshirë në rrugën e krimit, dhe nga ana tjetër, është qëndrimi liberal, krejt i kundërt. Përvoja ka treguar se dënimi në të gjitha rastet me burg i adoleshentëve, është edukativisht degradues, qytetarisht jo produktiv. Përvoja tregon se “burgu është një shkollë konsolidimi e delinkuencës dhe lindjes së krimit”.

Ideja është se për shkak të “natyrës plastike” të moshës, adoleshentët mund të ndryshojnë dhe reformojnë sjelljen e tyre në sajë të kujdesit shoqëror, shtetëror e familjar. Ky shikim është favorizues për politikat jo ndëshkuese, për dhënien prioritet masave parandaluese dhe punës edukuese. Ka mënyra e praktika të mira në këtë drejtim, për të shmangur dënimin, burgosjen e adoleshentëve të përfshirë në veprimtari kriminale. 

Në kohën e sotme ka bindje, qëndrime të reja lidhur me trajtimin e adoleshentëve që janë të devijuar nga sjellja normale, humane e sociale apo që bien në grackat e sjelljeve kriminale, ligjërisht të ndëshkueshme. Ky qëndrim buron nga qëndrimi optimist për natyrën dhe reflektimet e njeriut në “moshën plastike” të adoleshencës. Prandaj sociologët dhe psikologët janë në mënyrë të vendosur me qëndrimin pozitiv, në vlerësimin e kurbës delinkuente të tyre. 

Po cilat janë shkaqet dhe situatat që favorizojnë përfshirjen e adoleshentëve në veprimtari delikuente e kriminale? Janë shumë.  Me natyrë historike e sociale, të lidhura me tipologjinë e familjes dhe shoqërisë tonë, me mundësitë joadekuate dhe kapacitetet e kufizuara të institucioneve të edukimit, forcën jo aq sa duhet pozitivisht ndikuese të medias dhe shoqërisë civile. Në përgjithësi, janë rrethanat sociale dhe familjare ato që kanë përgjegjësinë për këtë nivel të lartë të përfshirjes së adoleshentëve në veprimtari asociale, të jashtëligjshme, delinkuente e kriminale. Por veç aspekteve dhe përgjegjësisë së institucioneve të edukimit familjar, arsimor dhe shoqëror, ndikim kanë edhe shumë aspekte materiale që ndikojnë në keq formimin e tyre.

Sikurse janë mungesa e kushteve materiale për edukim dhe argëtim, krijimi i zonave të vështira, lagjeve të vesit ku aplikohen veprime antisociale të drogës, alkoolit, shthurjes seksuale. Bashkë me to edhe papunësia, mungesa e të ardhurave familjare që vijnë nga një punë e rregullt dhe mirëpaguar, destabilizimi familjes, konfliktet e normave e sjelljes etike, etj.

Në këtë pistë të shkaqeve që determinojnë sjellet agresive shpesh të dhunshme e kriminale të adoleshentëve, një ndikim jo të vogël kanë shumë aspekte psikologjike, që kanë të bëjnë me hiper agresivitetin, ankthin, depresionin dhe shumë shqetësime moshore. Mbi të gjitha në këtë moshë thonë studiuesit, dhuna tek adoleshentët sjell “kënaqësi narcistike pushteti” ndaj tjetrit dhe kjo shpesh bëhet një mënyrë adiksioni (vartësie mekanike).

Për t’i larguar adoleshentët nga rruga e dhunës, krimit, vanitetit dhe sjelljet asociale është e nevojshme të punohet për të krijuar kushtet e duhura, që ata të mos robërohen nga veset të skllavërohen nga dhuna e krimi social. Përvoja e shoqërive të tjera, praktikat e mira të involvimit në jetën socialkulturore, sportive, artistike e argëtuese nuk mungojnë.

Krijimi i qendrave polivalente të kalimit të kohës së lirë, argëtimit dhe shtimit të aftësive të adoleshentëve, janë të dobishme dhe krijojnë mundësi që ata të fitojnë “dinjitet dhe qytetari” në vend të pëlqimit të dhunës, vjedhjes, drogës apo krimit ordiner. Në këto qendra sociale për adoleshentët,  ata mund të fitojnë dhe të edukojnë një lloj të veçantë “vetëdije komunitare”, “kulturë të sjelljes paqësore” duke u larguar natyrshëm nga rrugët e sjelljeve asociale e delinkuente. 

Një lidhje më e mirë e zhvillimit të adoleshentit me cilësinë e prindërimit, është një nga kushtet edukative të formimit qytetar dhe normal të tyre, duke marrë në konsideratë konstitucionin e tyre fizik, shpirtëror dhe seksual. Që të mbrojmë adoleshentët, në përgjithësi duhet t’i edukojmë dhe së dyti të forcojmë institucionet edukimit, sigurisë morale e sociale./ Gazeta Shqip

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore