Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Horrori në Elbasan/ Flet sociologia: Sjellja e policisë larg standardit, familja pësoi ngarkesë të lartë psiko-emocionale

Horrori në Elbasan/ Flet sociologia: Sjellja e policisë larg

Ngjarja e rëndë e një dite më parë në Elbasan ku pas 5 orësh rezistencë u ekzekutua nga policia një 71-vjeçar, ka tronditur mbarë opinionin publik. Por si në çdo rast të njëjtë tragjedie të këtyre përmasave, shoqëria është e dyzuar sa i takon ndarjes së fajit dhe përgjegjësisë. E ndërsa një palë fajëson policinë pse nuk ndërmori hapa për të evituar ekzekutimin, pala tjetër brohoret duke respektuar aktin e djeshëm të forcave speciale të RENEA-s.

Por në optikën e sociologëve, kjo vrasje ka dëmtuar rëndë së pari anëtarët e familjes së të ndjerit Lefter Zhidro. Gazeta “Shqip” pyeti sociologen Entela Binjaku e cila iu përgjigj interesit në lidhje me ngjarjen e rëndë, pasojat e saj në familje e shoqëri.

A duhej shmangur vrasja e djeshme në Elbasan?

Vrasja sipas raporteve ndërkombëtare, është një veprim vdekjeprurës që ngrihet mbi një diskriminim dhe abuzim të vazhdueshëm me bazë gjinor. Vrasja e djeshme ishte një veprim i ngritur mbi një arsyetim të caktuar. Ata që e ndërmorën duhet të vlerësohen për këtë.

A i qëndruan ata drejt kodit të tyre deontologjik të profesionit? Fakti që një qytetar nuk jeton më, nuk më gëzon. Pasojat e këtij veprimi janë të pakthyeshme. Prej këtij rasti duhet të nxirren mësime. Ka shumë aktorë që do të duhet të tregojnë vëmendje ndaj si mund të ishte parandaluar një situatë e kësaj natyre.  Në ngjarjen e fundit, vetë komuniteti shprehej se sjellja në komunitet me sjelljen brenda mureve të shtëpisë nuk ka qenë dhe aq e ndryshme.

Ne në sociologji flasim për “anën e errët të jetës familjare”, sepse vetë situata brenda atyre mureve i tregoi opinionit një përmasë që nuk mund të imagjinohej.

Horrori në Elbasan/ Flet sociologia: Sjellja e policisë larg

Çfarë dëmi i ka shkaktuar familjes?

Familja ka pasur një realitet të përditshmërisë së saj të cilit ju mbivendos edhe fluksi i madh i informacioneve mediatike, presioni psikologjik i një sage disaorëshe që nuk i dihej fundi, më tej trauma për humbjen e të afërmit, shpejtësia e madhe e ndryshimit të situatës nga një ditë tek tjetra, dhe e gjitha kjo edhe në qendër të një aksioni policor që i përcjell opinionit përmes të gjitha kanaleve që njeh sot komunikimi masiv: tv. radio,media sociale, shtyp i shkruar tradicional dhe alternativ. 

Në këto kushte e vendosur familja ka përjetuar një ngarkesë të madhe psiko-emocionale e cila vetëm sa ju mbivendos të mëparshmes, që po ashtu nuk ka qenë e qetë, e lehtë apo më keq akoma, ka qenë mjaft e vështirë.

 

Po impakti në shoqëri?

Në shoqëri ndikimi sigurisht është i madh. Të gjithë që e kanë ndjekur ngjarjen kanë pasur një mendim apo qëndrim ndaj saj.  Ngjarje me ngarkesë të madhe kureshtjeje nuk kanë munguar, por shoqëria do të duhet të nxjerrë mësime ndaj saj.

Të gjithë aktorët: institucionalë dhe të lidhur me komunitetin. Sesi mund të shmanget një histori e këtillë dhe çfarë do të duhet shoqëria të bëjë që realiteti të jetë i qetë, paqësor dhe sa më i shëndetshëm për një cilësi jete të mirë.

A është e trajnuar policia jonë për këto raste?

Policia ka ende shumë punë për të bërë që të mund të afrohet me standardet e një policie evropiane që njeh mirë rregullat e punës, që njeh mirë kodin e këtij profesioni, që vepron në respekt të uniformës dhe të simboleve policore, që di të jetë e një niveli profesional që të të ngjallë siguri dhe respekt dhe jo përçmim, mëshirë apo të jetë objekt talljeje.

Nuk mendoj se ka qytetar që nuk do ta donte policinë e vendit të vetë sa më dinjitoze dhe frymëzuese të vlerave të sigurisë dhe demokracisë. A është kjo jona e tillë? A jemi ende aty...për këtë le të testojmë opinionin dhe do të shohim se ku jemi. Në rrjetet sociale opinionet janë ndarë në mes.

Një pjesë i jep të drejtë policisë e një pjese thonë duhej shmangur, si mendoni?

Fakti që një qytetar nuk jeton më, nuk duhet të na gëzojë. Pasojat e veprimit policor  janë të pakthyeshme. Si mund të jesh i kënaqur me vrasjen për shembull kur një e mitur mbeti pa prindin, të cilin përderisa negocioi dëshironte ta kishte gjallë?!

Sa i takon ndarjes në mes të opinionit virtual...është e  pritshme. Ka shumë ngjarje apo fakte që i bëjnë njerëzit të zënë skajet. Qëndrimet nisen nga disa tipe arsyetimesh që kanë në themel prioritetin. Çfarë është prioritet për disa nuk është për disa të tjerë. Nivelet e formimit, përvojat e jetës, ngritja apo ndërgjegjësimi qytetar, perspektivat apo këndvështrimet për jetën janë të ndryshme. Edhe këto e ndikojnë qëndrimin ndaj një situate të caktuar. 

Një i mitur në këto kushte është po ai i mitur që ka përjetuar dhunë psikologjik, vuajtje psikologjike, dhunë sociale që ka ardhur , dhunë ekonomike,  dhunën shpirtërore. Ai përjeton frikë, ankth, pasiguri për të ardhmen, vetmi, dhimbje, një tronditje të madhe psikike.

Një grua pa bashkëshortin- në raste të tilla vështirësitë janë të ndryshme, varfëria kushtet ekonomike i detyrojnë të jetojnë edhe nën një çati pavarësisht marrëdhënieve konfliktuale që kanë, frikën nga stigma prej të tjerëve, mungesën e mbështetjes tek solidariteti i komunitetit, pamundësia për të gjetur një strehë të sigurtë për veten dhe fëmijën dhe vështirësitë e mëdha që ka jeta pas divorc.

A reflektojnë këto ngjarje disa tipare të shoqërisë sonë, sic është dhuna?

Shoqëria jonë më shumë sesa e dhunshme është indeferente ndaj më të dobëtëve, institucionet që ka ngritur për  të ndihmuar në mëkëmbjen e kategorive të brishta shoqërore ku përfshihen edhe gratë e divorcuara, thuajse janë anemike dhe pa forcë, ndaj dhe efektiviteti thuajse nuk ndjehet.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore