Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Homazhi/ Ben Blushi: Bashkim Fino njeriu më i përpiktë që kam njohur, na mundi të gjithëve si mik i përpiktë dhe prandaj iku si fitimtar

Homazhi/ Ben Blushi: Bashkim Fino njeriu më i përpiktë që

Bashkim Fino ishte socialisti më i dashur që mund të njohësh, Kryeministri më optimist që mund të takosh dhe miku më i ndershëm që mund të kesh.

Bashkim Fino ishte politikani i vetëm që e dinte gjithnjë vendin e vet, që nuk kërkonte kurrë vendin e dikujt dhe askush nuk merrte dot vendin e tij.

Me Bashkimin çdo fitore ishte e sigurt dhe çdo humbje ishte një fitore, qofte ajo një domino, një ndeshje apo një palë zgjedhje kombëtare.

Aftësia më e rrallë e Bashkimit ishte ekuilibri që gjente mes gjërave, që në vendin tonë quhen të medha, si politika, ligjëvënia, influenca dhe shteti dhe gjërave që bëjnë jetën e përditshme të njeriut dhe qe prandaj duken të vogla, si nderet ndaj miqve, një telefon, një ngushëllim, një gol, një kollaro apo një puro.

Bashkim Fino i kushtohej me të njëjtin pasion dhe frymëzim si rishikimit të një ligji ashtu edhe një kampionati futbolli, si një fjalimi në Parlament, ashtu edhe lidhjes së një kollareje, si ndryshimit të një qeverie edhe ndryshimit të një rregulloreje futbolli.

Nëse ka fjale që e sintetizon Bashkim Finon është përpikmëria. Bashkimi ishte njeriu më i përpiktë që kam njohur.

Ishte i përpiktë si mik, si shok, si burrë, si fëmijë, si politikan, si tifoz, si kundërshtar, si duhanxhi, si tekanjoz, si kokëfortë, si mbështetës, si kandidat, si pacient dhe jam i bindur si baba dhe si bashkëshort.

Përpikmëria e tij ishte ngjitëse, dominuese dhe e pakonkurrueshme. Bashkim Fino na mundi të gjithë si një mik i përpiktë dhe prandaj iku si fitimtar.

Duke nxituar për të qenë i përpiktë si çdo herë, dje u nis më herët dhe arriti më shpejt se ç’duhej.

Arriti gjithë hir sapo u thirr si bir!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore