Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Hetimet në 10 vjet/ Zbulohet se ku janë investuar paratë e 3 grupeve kriminale shqiptare

Hetimet në 10 vjet/ Zbulohet se ku janë investuar paratë e 3

Tre banda kriminale në Shqipëri janë nën hetim prej 10 vjetësh dhe vetëm pas kaq kohësh, Policia është në gjendje të pohojë zyrtarisht se ku janë investuar paratë e tyre, të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.

Krimi i organizuar shqiptar i investon të ardhurat e paligjshme në fusha të larmishme të ekonomisë së ligjshme, si industri ndërtimi, turizëm, apo fabrika të ndryshme përpunimi. Rritja dhe përhapja e shpejtë e ndërtimeve shërben si tregues i injektimit të shumave të konsiderueshme të “parave të pista” në ekonomi.

Shqipëria përbën një terren të favorshëm për transplantimin e rrjeteve kriminale shqipfolëse nga jashtë për në Shqipëri. Grupet kriminale shqiptare, aktive në territorin e Republikës së Shqipërisë janë të përbëra prej të paktën 3-4 anëtarësh dhe janë të përfshira më së shumti në trafikun e narkotikëve, kryesisht kanabis. Ato gjithashtu trafikojnë drogë, si heroina dhe kokaina, drejt vendeve fqinje me destinacion shtetet e Bashkimit Evropian.

Grupe sporadike janë të përfshira në trafikimin e armëve me Malin e Zi dhe Kosovën. Shqetësuese konsiderohen gjobëvëniet e pa denoncuara dhe përdorimi i eksplozivëve, vrasjeve me pagesë apo “pa autor” për asgjësim të kundërshtarëve, “ribalancim të tregut”, apo qëllime terrori.

Ka një rritje konflikti midis bizneseve, gjë që ka sjellë shtimin e vrasjeve me pagesë të mbetura pa autorë. Vërehet gjithashtu se ka një rritje të përdorimit të minave me telekomandë dhe tritol. Këto vrasje mendohet që, në shumicën e rasteve, kryhen për vendosje kontrolli dhe çështje që lidhen me konkurrencën në biznes.

Gjobëvëniet ndaj bizneseve konsiderohen mjaft shqetësuese. Burimet pohojnë se gjobat ndaj bizneseve të mëdha nuk kallëzohen në prokurori. Kjo shpjegohet me mungesën e besimit në organet e drejtësisë nga biznesmenët dhe frikën e tyre ndaj hakmarrjes. Nga ana tjetër mendohet se krimi i organizuar investon për të korruptuar policinë dhe prokurorinë.

Ekziston rreziku i hakmarrjes ndaj prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve prej anëtarëve të grupeve kriminale të dënuar në periudhën 1997-2005 fillimisht me 25 vjet heqje lirie, por që kanë përfituar reduktim në 1/3 e masës nga gjykimi i shkurtuar, të cilët priten të fitojnë lirinë rreth vitit 2017.

Vihet re se shumë nga çështjet e paraqitura në gjykatë për krimin e organizuar, këto vitet e fundit, shfaqen si bashkëpunim i thjeshtë, apo edhe të kryera nga individë të veçuar. Ky shërben si tregues i qartë i nivelit të ulët të hetimeve. Shtimi i pagesave kryesisht nga bizneset, por dhe nga organizatat e fuqishme kriminale, për vrasjet me pagesë ka sjellë sofistikimin e tyre.

Ekspertët paralajmërojnë se midis këtyre grupeve mund të rikthehen përplasjet e ashpra për kontroll territori dhe kapje biznesesh. Në raste të veçanta, kjo është dëshmuar nga përplasje të dhunshme publike nga organizime kriminale, sidomos në rrethin e Tiranës. Në këtë kontekst shihet një ribalancim i tregjeve dhe i rivalitetit në botën kriminale.

Bashkëpunimi me grupet e vendeve fqinje, por sidomos me grupet shqiptare në BE, i ka fuqizuar ato ekonomikisht dhe i ka bërë më të rrezikshme. Puna e organeve të zbatimit të ligjit vështirësohet shpesh nga aplikimi prej tyre i të ashtuquajturit ‘kodi i heshtjes’ dhe përdorimi i dhunës psikologjike në vend të asaj fizike apo formave të “partneritetit me viktimën”.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore