Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Frika e atentateve/ Të “fortët” paguajnë dedektivë privatë për të zbuluar kush i ka në shënjestër

Frika e atentateve/ Të “fortët” paguajnë

Një metodë e re është zgjedhur nga shumë persona me precedentë të mëparshëm penalë. Shumë prej atyre që i kanë mbyllur hesapet me Drejtësinë, por jo me personat që kanë qenë, apo janë në konflikt, kanë zgjedhur të paguajnë dedektivë privatë, për të mësuar prej tyre se kush i ka në shënjestër.

Kush janë? Për cilin konflikt bëhet fjalë? Ku ndodhen personat që i kanë në listë, apo çfarë të kaluare kanë ata janë disa prej pyetjeve që përgjigja duhet të jepet nga dedektivët privatë, për të cilët paguhen shuma të majme.

Rasti më tipik është ai i Ardian Çapjajt nga Elbasani. Burime të Policisë Kriminale në Elbasan e pohojnë një fakt të tillë, teksa shprehen se janë vënë në dijeni nga vetë i dëmtuari që ka pajtuar dy dedektivë privatë. Ndaj Çapjajt u krye një atentat me snajper, nga i cili mbeti i plagosur. Autorët ende nuk janë identifikuar, pavarësisht shumë dyshimeve që mund të ketë edhe vetë Policia, apo i dëmtuari.

Por, ai ka pranuar edhe në Polici se ka pajtuar dy dedektivë privatë për të zbuluar, se kush e ka në shënjestër, fakte që do i përcillen më tej edhe vetë Policisë.

Sipas burimeve të Policisë së Shtetit janë edhe dy raste të ngjashme në Durrës dhe Fier, një për vrasje dhe tjetra për një zhdukje personi, por pa dhënë detaje të tjera.

Ekspertët e Policisë të pyetur për një gjë të tillë thonë se “janë në dijeni dhe se kanë bashkëpunim me dedektivët privatë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe rendit, por nga ana tjetër për të përmbushur misionin e parë policor, atë të parandalimit të krimit”.

Të pyetur se përse bëhet zgjidhje të tilla, kur vetë Policia duhet të hetojë dhe zbulojë autorët e krimit, shpjegimi merr karakter ligjor. Sepse, në rastet kur nuk ka vendngjarje, pra nuk ka një krim të shkaktuar atëherë Policia nuk mund të operojë me agjentët e saj.

Ndaj, vetë individë të përfshirë në konflikte të mëparshme e për të cilat kanë marrë një vendim gjykate, apo kanë shlyer dënim nuk mund të jenë të sigurt nga hakmarrja, duke bërë që të zgjedhin dedektivët privatë.

Këta të fundit të licensuar tashmë, sepse Shqipëria është një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor që e ka miratuar një ligj të tillë kanë edhe kapacitete teknike për të kryer të tilla hetime. Por, siç thotë Policia kanë detyrimin që përveçse të njoftojnë palët që e ka pajtuar, duhet të informojë me prova edhe autoritetet policore, me qëllimin e vetëm parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Investiguesi privat si profesion ka lindur para 150 vjetësh. Agjencia e parë është hapur në Francë në vitin 1833. Ndërsa në Shqipëri, në vitin 2015. Qendra Kombëtare e Licencimit e ka pranuar ngritjen e një Instituti të Detektivit Privat, i cili formon dhe licencon dedektivë.

Ndonëse ende nuk është miratuar një ligj që rregullon këtë profesion, aktualisht ai konsiderohet si profesion i lirë dhe mbështetet në ligjin që përfshin këto profesione. Në Shqipëri, periudha e gjatë e tranzicionit ka sjellë probleme të mëdha, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit. Ndryshe nga detektivët e policisë ose hetuesve të skenave të krimit, detektivët privatë në Shqipëri zakonisht punojnë për qytetarët apo bizneset, e jo për qeverinë.

Aksidentet rrugore, fshehjet dhe vjedhjet e makinave në rastet kur pronarët u shmangen zyrave të përmbarimit ose bankave - janë ato çështje me të cilat merret sot një dedektiv privat i liçensuar në Shqipëri.

Sipas ligjit, kjo kategori siguron të dhëna të plota dhe i paraqet ato pranë organeve të hetimit, apo gjykimit. Më të shumta janë rastet e personave që kanë marrë një kredi dhe nuk e paguajnë atë, në disa raste për mungesë të adresës së saktë.

Tek hetimet e tyre janë edhe tradhtitë bashkëshortore. Madje, më shumë çështje vijnë me kërkesa të tilla që bëhen nga gratë. Një detektiv apo hetues privat bashkëpunon me prokurorinë, bizneset, organet shtetërore dhe kompanitë private, për mbledhjen e provave dhe fakteve të hetimit, apo për të gjetur vendodhjen e personave, të cilët rezultojnë të zhdukur.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore