Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12 orë në Linzë në ’97-ën, në mbrojtje të Thesarit

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Memorie.al publikon historinë e panjohur të ndodhur në muajin mars të vitit 1997, kur grupe të armatosura sulmuan me armë objektin e rëndësisë së veçantë në fshatin Linzë në periferi të Tiranës, ku ruhej ‘Thesari i Shtetit’, i cili mbrohej nga dy repartet speciale të Ministrisë së Rendit të asaj kohe, që ishin dislokuar afër tij.

Rrëfimi i rrallë nënkolonelit në pension, Shik Stërmasit, ish-i burgosur politik për 15 vite me radhë në regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili në vitin 1997, në detyrën e komandantit të Repartit Special të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, (Reparti 711), së bashku me efektivin dhe dy vartësit e tij, kolonel Skënder Doda dhe major Pëllumb Kovashica, luftoi për 12 orë me radhë kundra grupeve të armatosura që tentuan të futen në tunelet e objektit ku ruheshin rezervat valutore, i njohur ndryshe se Thesari i Shtetit…

Shpëtimi apo Shiku siç është njohur ndryshe para viteve “90, rrjedh nga një familje e vjetër autoktonase tiranase të cilët kanë banuar prej disa shekujsh në afërsi të Pazarit të Ri të kryeqytetit pranë sheshit “Avni Rustemi”. Shiku u lind në vitin 1949 dhe ishte fëmija i fundit nga tre djemtë dhe dy vajzat që kishte Ramazan Stërmasi, i cili ishte diplomuar për Inxhineri Elektrike në Vienë të Austrisë në periudhën e Monarkisë së Zogut.

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Gjatë viteve të Mbretërisë dhe në periudhën e Luftës, Zani punoi si nëndrejtor i “SITA”-s, ndërmarrjes private që furnizonte me energji elektrike kryeqytetin. Në ’46-ën Zon Stërmasi u arrestua së bashku me një grup intelektualësh, të cilat u akuzuan si agjent të Harry Fultz-it dhe si fillim u dënua me vdekje, e më pas me 14 vjet burg, por u lirua pas katër vjetësh duke u konsideruar si “viktimë e Koci Xoxes”, Ministrit të Punëve të Brendëshme të asaj kohe, që Enveri e akuzoi si armik të popullit dhe e pushkatoi.

Pas burgut, Ramazoni punoi për një kohë të gjatë në Hidrocentralet e Ulzës e Shkopetit dhe më pas u kthye në Tiranë, duke e mbyllur karrierën e inxhinerit elektrik në Ndërmarrjen Elektro-Mekanike. Për shkak të burgut politik që kishte bërë Ramazoni, (ashtu dhe prej vjehrrit të tij, Isuf Çelës që vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1954) asnjë nga fëmijët e tij nuk pati fatin të vazhdonte shkollën e lartë. Edhe Shiku pasi mbaroi gjimnazin “Çajupi” në Tiranë, u fut në punë në Ndërmarjen Elektro-Mekanike, duke vazhduar edhe shkollën pa shkëputje nga puna në degën Elektrike.

Në fundin e viteve ’60-të, Shik Stërmasi u bë një nga djemtë më të njohur të Tiranës, si për shkak të portretit e fizikut të tij, ashtu dhe prej aventurave të moshës. Të gjithë ata që e kanë njohur Shikun në ato vite, e mbajnë mënd atë si djalë simpatik që vishej mirë e ndiqte modën (i vinin rroba nga jashtë) dhe si një njeri tepër paqësor që e kalonte pjesën më të madhe të kohës, duke u marrë me pëllumba. Por po ashtu ai mbahet mënd edhe si një djalë trim, që s’ia përtonte as dhe më të fortëve të Tiranës, kur binte fjala për t’i dalë zot ndonjë shoku apo vajze të pambrojtur!

Teksa Shiku ishte në kulmin e “aventurave”, në vitin 1976, ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u dënuar me 9 vjet burg, i akuzuar për “agjitacion e propaganda” dhe shkak për arrestimin e tij, u bë i vëllai më i madh, Luani, i cili që në vitin 1960-të, ishte arratisur nga Shqipëria dhe ndodhej në Perëndim. Gjatë vuajtjes së dënimit, Shiku u rridënua edhe me 10 vjet të tjera, duke dalë nga burgu vetëm në janarin e vitit 1991, kur sapo kishin filluar proceset demokratike.

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Pas viteve ’90-të, apo më saktë në fundin e vitit 1992 kur sapo kishte ardhur në pushtet Partia Demokratike, së bashku me një grup të vogël ish-të burgosurish politik, Shik Stërmasi u thirr për të punuar në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, si oficer në rradhët e Policisë së Shtetit, duke shërbyer fillimisht si Shef Komisariati në Tiranë, Kurbin, Elbasan, etj., e deri si Komandant i Repartit Special të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Tiranë, me gradën e nënkolonelit, ku ai dha kontributin e tij, deri në vitin 1998.

Ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997, apo të asaj periudhe kohe tejet të trazuar që një poeti i ri e ka përkufizuar: “Koha kur 3 milion shqiptarë i shpallën luftë qiellit”, vazhdojnë të tregohen edhe sot si legjenda që kanë ndodhur shekuj më parë dhe jo pak më shumë se dy dekada të shkuara. Një nga ato ngjarje e cila ka mbetur e panjohur edhe sot e kësaj dite, (për të cilën nuk është shkruar asnjë resht) është dhe ajo e sulmit të armatosur ndaj tuneleve të Thesarit të Shtetit, që asokohe ndodheshin në periferi të kryeqytetit në fshatin Linzë.

Po çfarë kishte në ato tunele, kush i sulmoi dhe kush i mbrojti ato? Për të gjitha këto na njeh me intervistën e tij ekskluzive për Memorie.al, nënkoloneli në pension, 73-vjeçari Shpëtim Stërmasi, ish-komandanti i Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë, që mbrojti atë objekt të rëndësisë tepër të veçantë, nga një grabitje e mundshme e tij, që po të kishte ndodhur, do sillte dhe falimentimin financiar të shtetit shqiptar…!?

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Zoti Stërmasi, si e kujtoni ngjarjen kur u sulmua Thesari i Shtetit në Linzë?

Diku nga fundi i muajt mars 1997, pak ditë pasi kishin plasur trazirat që morrën shkas nga falimentimi i firmave piramidale, bashkë me depot e armatimeve që ndodheshin nëpër reparte ushtarake, u tentua të thyhej dhe plaçkitej edhe objekti i rëndësisë së veçantë, i Thesarit të Shtetit. Në këtë kohë, duke pasur informacione se do sulmohej për t’u grabitur edhe reparti ku ndodheshin tunelet e Thesari të Shtetit, (objekti ku mbahen kartmonedhat e Bankës së Shtetit) i cili mbulohej me shërbim nga forcat e Repartit 324 (Batalioni i Sigurimit i Ministrisë së Rendit) që ndodhej fare pranë ‘Repartit 711’ (Ndërhyrja e Shpejtë) që komandoja unë, vendosa që ta ruaja me çdo kusht atë objekt të rëndësisë së veçantë, pasi ‘Reparti 324’, nuk mund ta siguronte dot atë.

Pra atë gjë e bëtë me nisiativën tuaj dhe jo se u’a kërkoi njeri nga eprorët tuaj në Ministrinë e Punëve të Brendëshme?

Në një farë mënyre po, kjo është e vërteta.

Dhe si vepruat pasi vendosët që ta mbronit atë objekt të veçantë?

Një ditë para se të ndodhte ajo ngjarje, unë mora masat paraprake, duke vendosur nga tre policë të armatosur mirë në të gjitha lartësitë dhe pikat nevralgjike rreth e rreth repartit tonë dhe atij të Thesarit. Atë ditë rreth orës 2 të drekës, unë me 10-15 oficerë polcie vartës të mi, dola në terren rreth e rreth repartit, për të bërë rikonicionin, pasi kisha sinjale se sapo të errej do të sulmoheshin tunelet e mëdha të armatimeve të Repartit 324. Pasi kontrolluam të gjitha vend-rojet, ne u futëm edhe nëpër disa lokale afër repartit tonë, ku ndodheshin disa persona të armatosur, që njiheshin si kontigjent krimi dhe me precedentë penalë për Policinë e Shtetit.

Kur hytë në lokale a patët konfrontime me ata persona?

Në një lokal, unë i’u thashë: “Po tentuat të sulmoni, do t’ju mbjell të gjithëve tek oborri i repartit”. Pas kësaj ata u munduan të më merrnin me të mirë, duke më thënë: “Të gjithë e kanë lëshuar, po ti pse e mban…?!”

Unë reagova ashpër menjëherë, dhe i kërcënova duke u thënë: “Provojeni në darkë po u’a mbajti”, dhe u largova që andej për në repart.

Çfarë masash morët pasi shkuat në repart?

Atje mblodha menjëherë të gjithë efektivin, oficerë e policë dhe u’a bërë të ditur situatën në të cilën ndodheshim, duke ua thënë troç, se: nga momenti në moment reparti ynë mund të sulmohej. Në fund u thashë se kush nuk mund të rezistonte, ishte i lirë që të largohej nga reparti dhe kush të donte të qëndronte me mua, pasi ne do të luftonim deri në fund për ta mbrojtur.

Si reaguan efektivët tuaj pas asaj, pati ndonjë që kërkoi të largohej?

Me thënë të drejtën, disa edhe u larguan, pasi ishin plagosur më parë në disa ndërhyrje që kishte bërë reparti ynë në Lushnje, Fier, Vlorë, etj., por pjesa më e madhe e efektivit qëndruan të gatshëm të luftonim aty. Pas pak minutash sapo u err, në afërsi të repartit tonë filluan të vinin grupe kontigjentesh të armatosura, të cilët filluan të na qëllonin me armë automatike, për të na bërë presion që ta lëshonim repartin.

Si vepruat ju pas u qëlluat nga jashtë me armë?

Pas kësaj, oficeri i rojes, kolonel Skënder Doda, i’u kundërpërgjigj po me zjarr dhe që nga ai moment, aty filloj një luftë e vertetë me breshëri armësh automatike që qëllonin pa pushim nga të katër anët në drejtim të repartit tonë.

A njoftuat eprorët tuaj në Ministrinë e Punëve të Brendëshme se po i’u sulmonin dhe a kërkuat ndihmë?

Unë u lidha menjëherë me gjeneral Agim Shehun, (që në atë kohë ishte Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe njëkohësisht, zv/minister i Rendit Publik, duke i thënë që të dërgonte forca, për t’i goditur nga pas ata që na kishin rrethuar.

Si u përgjigj gjeneral Agim Shehu kërkesës suaj?

Ai m’u përgjigj: “Përballoje vetë situatën, se këtu në Ministri kam vetëm Nikolin Thanën, Çezar Toron e Lul Shalën”, të cilët ishin bashkëvuajtësit e mi, ish-të dënuar në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Çfarë bëtë pas kësaj, pra që i’u refuzua ndihma që kërkuat?

Pasi u sigurova se nuk do të na vinin përforcime, i shoqëruar vetëm nga oficerët Skënder Doda dhe Pëllumb Kovashica, dola nga reparti, duke lëvizur nga një vënd-roje në tjetrën. Ata dy oficerë tepër të përgatitur nga ana profesionale, u treguan vërtetë trima dhe nuk m’u larguan për asnjë çast edhe pse plumbat na vërshëllenin mbi kokat tona. Ne i përqëndruam forcat tona kryesisht tek tunelet ku ndodhej ‘Thesari i Shtetit’, ku ishte dhe synimi kryesor i atyre që na sulmuan dhe gjatë gjithë natës ne i mbajtëm ata rreth 250-300 metra larg. Dy tre herë ata u afruan rreth 150 metra afër, por ne i zbrapsëm.

Sa orë luftë bëtë për të mbrojtur repartin tuaj dhe tunelet e Thesarit të Shtetit?

Lufta vazhdoi gjithë natën pa pushim dhe ne kemi harxhuar me mijra fishekë për të mbrojtur objektet e rëndësisë së veçantë, siç ishte Thesari dhe tunelet e armatimeve. Lufta zgjati rreth 12 orë dhe mbaroi vetëm në të gdhirë aty rreth orës 6.00, kur ata u larguan nga frika, se mund të diktoheshin apo neve mund të na vinin përforcime.

Çfarë bëtë pasi u larguan ata që ju sulmuan?

Pasi pushuan breshëritë e armëve dhe ne pamë se ata që na sulmuan po largoheshin, unë me Skënderin e Pëllumbin, që nuk m’u ndanë për asnjë çast dhe me disa policë të tjerë, kontrolluam të gjitha kodrat rreth e rreth, duke parë se mos kishte të dëmtuar nga pala e tyre. Pasi u siguruam se nuk kishte gjë as nga ne dhe as nga ata, u kthyem në repart ku mblodha efektivin duke e falenderuar e përgëzuar për qëndresën që kishte bërë. Më pas duke u siguruar se situata ishte qetësuar, u nisa për në Ministrinë e Rendit, duke i raportuar gjithçka kishte ndodhur, gjeneral Agim Shehut.

A i’u përgëzoi ai për atë që kishit bërë?

Ajo ngjarje u konsiderua si diçka fare e zakontë dhe ai më tha: “Të lumtë, keni bërë detyrën”.

Po më pas kur u qetësua situata dhe u vendos rendi, a morët falenderime për atë që kishit bërë në mbrojtje të Thesarit të Shtetit?

Jo vetëm që nuk morëm falenderime, por socialistët që erdhën në pushtet, ne na shikonin si armiq dhe deri sa na detyruan të largoheshim na puna ata na quanin salistë.

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Foto/ Rrëfimi i ‘shefit të FNSH-së ’: Si luftuam 12

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore