Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Fjeti 3 netë në shtëpinë e mafiozit italian të 'Camorra-s', KLGJ shkarkon gjyqtarin që shikoi "El classico"

Fjeti 3 netë në shtëpinë e mafiozit italian të

Këshilli i Lartë Gjyqësor shkarkon nga detyra gjyqtarin  Kliton Spahiu, i shpallur fajtor për korrupsion. Një vendim i tillë u mor pas kërkesës së paraqitur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. 

Kliton Spahiu është një emër i njohur pasi bëri bujë për faktin se së bashku me dy kolegët e tij udhëtuan për të parë ndeshjen e mes Realit dhe Barcelonës, e njohur ndryshe si El Classico, ku biletat ishin të paguar nga një person që ishte në proces gjyqësor.

Gjyqtarët e Apelit në Durrës, Kliton Spahiun, Petraq Dhimitri dhe Petrit Çeno, u dënuan me burg për korrupsion, që u konvertua në shërbim prove, për një udhëtim të tetorit 2014 drejt Spanjës, për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës me shpenzimet e një biznesmeni shqiptar, Namik Sadikut, për të marrë një vendim gjyqësor në favor të tij.

Sipas Report TV, dy nga tre gjyqtarët, Kliton Spahiu dhe Petraq Dhimitri, fjetën tre netë në shtëpinë e italianit të Camorras, Ferdinando Muollo, të dënuar si porositës i vrasjes së ish-ortakut të tij në shtetin fqinj, dhe që ditën e sotme në Shqipëri, autoritetet ligjzbatuese i sekuestruan 750 mijë euro pasuri.

Vendimi i dënimit, nga 2 vjet burg gjyqtarëve për 'El Classico"

Historia gjyqësore nisi pas kallëzimit nga ana e Oliver Ushinës, i cili pretendonte se tre gjyqtarët  me anë të vendimi të dhënë prej tyre më datë 18 shkurt 2015, kishin favorizuar biznesmenin Namik Sadiku kundrejt përfitimeve të parregullta, në një çështje civile që kishin pasur ndërmjet tyre

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda caktoi për secilin nga gjyqtarët 3 vite burg, por ky dënim u reduktohet për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sadiku ishte palë në një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Biznesmeni u dënua me 1 vit heqje lire në të njëjtën proces që u mbajt në Gjykatën e Shkallës së Parë për tre Gjyqtarët e Apelit të Durrësit. Mbi ta rëndojnë akuzat e  “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve apo punonjësve të tjerë të Drejtësisë”.

Argumenti i ILD-së

Inspektorit të Lartë të Drejtësisë me datë 24.02.2021 ka vendosur ndryshimin e objektit të hetimit disiplinor për magjistratin K.S., hetim i nisur nga KLD më 17.01.2018. Në hetimin e tij ILD ka identifikuar shkelje disiplinore për shkak të kryerjes së një krimi, parashikuar nga neni 140 pika 2 shkronja “b” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 104, pika 3 e ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.

Në analizë të dokumentacionit të administruar në kuadër të këtij procesi disiplinor, rezultoi se gjyqtari K.S., me vendimin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë (nr. 69, datë 29.10.2019), lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë (nr. 19, datë 21.09.2020) është deklaruar fajtor për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuar nga neni 319/ç të K.Penal.

Magjistrati aktualisht është i pezulluar nga detyra me vendimin nr. 23, datë 09.02.2018 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të marrjes si i pandehur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Ndërkohë gjyqtari K.S. me kërkesën me objekt “Heqjen dorë nga detyra e gjyqtarit dhe mbarimi i statusit të magjistratit”, drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe për dijeni Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kërkesë e regjistruar pranë I.L.D me nr. 104., datë 18.01.2021, ka kërkuar miratimin e dorëheqjes nga detyra e gjyqtarit si të bazuar në nenet 64, pika 1, shkronja “a” dhe 65 të ligjit nr. 96/2016, si dhe duke konstatuar edhe mbarimin e statusit të magjistratit.

Bazuar në nenin 134, pika 1, shkronja “ç” të ligjit nr. 96/2016, paraqitja e dorëheqjes se magjistratit nuk përbën shkak për mbylljen e hetimit disiplinor nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimin nr. 69, datë 01.03.2021 ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e dorëheqjes së magjistratit K.S. deri në përfundimin e hetimit disiplinor të inicuar ndaj tij nga ILD. Për rrjedhojë rezulton se ai gëzon statusin e magjistratit dhe është subjekt i hetimit disiplinor.

Në raport me faktet e provuara në këtë proces hetimi disiplinor  si dhe të pranuara nga gjykata rezulton se nga ana e magjistratit K.S.  janë ndërmarrë veprime aktive me anë të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, veprime të cilat janë vlerësuar se përmbajnë elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 319/ç i K.Penal, të kryera gjatë ushtrimit të detyrës, me dashje direkte dhe me qëllim përfitim të parregullt prej tyre, duke favorizuar njërën palë ndërgjyqëse nëpërmjet dhënies së vendimi gjyqësor civil në favor të tij.

Veprimet e magjistratit K.S. kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm por edhe nga veprimet e vetë atyre si funksionarë të drejtësisë.

Këto veprime kanë cenuar besimin e palëve ndërgjyqëse dhe të publikut në organet e drejtësisë dhe respektimin e ligjit nga ana tyre, si dhe kanë diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e magjistratit.

Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit K.S. ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskretituar rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, si dhe ka cenuar besimin e publikut te drejtësia.

Kur shkelja disiplinore identifikohet me kryerjen e një krimi, për të cilin magjistrati është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, pas sjell shkarkimin nga detyra të magjistratit, si një masë me natyrë përjashtuese nga sistemi gjyqësor, me karakter të përhershëm, e cila nuk shuhet.

Për pasojë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë kërkon nga KLGJ administrimin e provave të paraqitura prej tij në këtë procedim disiplinor, pranimin e kërkesës së ILD për fillimin e procedimit disiplinor dhe caktimin ndaj magjistratit K.S. të masës disiplinore “shkarkim nga detyra”.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore