Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Çfarë po na fsheh Sali Berisha nga dosja “non grata” amerikane?

Çfarë po na fsheh Sali Berisha nga dosja “non grata”

Në “Foltoren” e dytë të mbajtur me mbështetësit e tij në qytetin e Fierit, Sali Berisha përsëriti akuzat për shpifje drejtuar Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken se vendimin që e shpalli “non grata” në SHBA e mori mbi bazën e shpifjeve.

Duke përsëritur shpesh “Unë ju garantoj ju se...” Berisha shpalli veten viktime të një padrejtësie, por gjatë fjalës së mbajtur përmendi edhe disa episode të ndodhura vitet e fundit, për të cilat kurrë më parë nuk ka folur.

Ai përmendi ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, që tha se është personi i kapur në përgjimet e prokurorisë në dhjetor të 2019-s, duke biseduar me një person publik në Shqipëri për të nxjerrë nga burgu vëllezërit Aliko kundrejt një shume prej 750 mijë eurove.

Berisha është i pari që bën publik një emër në lidhje me lajmin që qarkulloi në atë kohë më shumë në formë thashethemesh se sa të vërtetash. Në atë kohë u tha se në përgjime ishte kapur “një zyrtar i lartë i sistemit të drejtësisë”. Problemi është se Xhezair Zaganjori është shkarkuar nga vettingu në korrik të 2019, pesë muaj para periudhës për të cilën foli ish-Kryeministri.

Deklarata tjetër e ish-Kryeministrit ngjason më shumë me një shashkë mediatike. Ai akuzoi se ish-ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, njëri prej personave që loboi më fort për reformën në drejtësi ka blerë me 10 mln euro ryshfet vendin e punës si ambasador në Kirgistan, pasi DASH kishte planifikuar ta nxirrte në pension.

Tani, tre janë mundësitë: Ose Berisha ka siguruar kohët e fundit një “informator” brenda DASH-it që i ka dhënë informacionin se Donald Lu korruptoi këtë institucion për t’u emëruar ambasador në Kirgistan, pas përfundimit të mandatit në Shqipëri dhe e plasi këtë deklaratë tani? Ose ish-Kryeministri e kishte këtë informacion prej tre vitesh, aq sa ka Donald Lu që është larguar dhe e ruante për ta përdorur në momente të vështira, si këto ku gjendet aktualisht? Ose e gjitha është një sajesë? Mes të trejave, dy të parat kanë më pak shanse për t’u besuar.

Deklarata tjetër e Berishës lidhej me “armikun” e tij George Soros. Berisha foli për një plan të tij për ta larguar nga politika për shkak të kundërshtimit të ndarjes së Kosovës. Edhe te këto deklarata ka cedim të madh logjik. Berisha vetë e thotë se Soros ka lidhje të shumëfishta me politikën në SHBA e Europë. Kjo do të thotë se nëse ndarja e Kosovës do të varej vetëm nga qëndrimi i Berishës, zor se do ta pyeste njeri.

Gjithsesi, Berisha i jep merita vetes duke deklaruar se ndërhyrja publike e tij bëri që “plani i hartuar në Beograd nga Soros të mos zbatohej”. Ky është shkaku, sipas Berishës, se përse Sorosi po kërkon largimin e tij nga politika. Edhe këtu ngrihet pyetja? Pse të investohet ka shumë në DASH dhe Kongresin amerikan George Soros për të larguar nga politika një politikan të moshës së Berishës?

Berisha sulmoi edhe Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, ndërsa Lulzim Basha deklaroi në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD-së se kërkesa për largimin e Berishës nuk kishte ardhur vetëm nga Ambasada, por edhe nga zyrtarët më të lartë të DASH në Uashington.

“Kërkesa për Doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë, apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë, siç i di shumë mirë edhe doktori dhe që ju s’keni për t’i marrë vesh kurrë! Vendimi nuk ka me kthim pas”, ka thënë Basha.

Pra, sipas kësaj deklarate të Bashës, Berisha po fsheh informacione që i di, kështu i tha edhe Yuri Kim në intervistën e dhënë për Zërin e Amerikës, kështu ka deklaruar edhe Sekretari Blinken kur mbrojti vendimin e shpalljes së Berishës “non grata” para kongresistëve republikanë.

Do të thotë, se nga Basha e deri te maja më e lartë e DASh flasin për informacione që “nuk i dinë të gjithë” dhe këta përballë kanë vetëm “unë ju garantoj ju...” të Sali Berishës. Tani, ose të gjithë këta po gënjejnë dhe Berisha po thotë të vërtetën, ose Berisha nuk po na i tregon të gjitha mbi dosjen e tij amerikane. Akuzat që bëri për Zaganjorin e Donald Lu, vite pas në kohë nga “Foltorja” e Fierit tregojnë se Berisha nuk po i thotë të gjitha.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore