Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

E para femër që përfaqëson Shqipërinë në Bienalen e Venecias, kush është Lumturi Blloshmi dhe super-vepra e saj

E para femër që përfaqëson Shqipërinë në

Lumturi Blloshmi (1944–2020) është artistja e parë femër që përfaqëson Shqipërinë me një prezantim solo në Bienalen e Venecias, teksa shoqërohet nga Adela Demetja kuratorja e parë femër shqiptare.

Prezantimi me titullin "Nga e para", e artistes Lumturi Blloshmi është konceptuar si një ekspozitë që synon të hulumtojë, prezantojë dhe pozicionojë sërish veprën dhe jetën e Lumturi Blloshmit në historinë e artit kombëtar dhe ndërkombëtar. 

Blloshmi ishte një nga artistet më interesante shqiptare, por për shkak të kufizimeve (e shurdhër që në moshën 5-vjeçare, e shtypur nga regjimi komunist për arsye politike, si një grua në një fushë të dominuar nga meshkujt) puna dhe jeta e saj ende nuk janë hulumtuar plotësisht shfaqur dhe kontekstualizuar.

Zemra e ekspozitës përbëhet nga një përzgjedhje e veprave të Blloshmit nga vitet 1960 deri në vitet 2010, duke përfshirë autoportrete dhe kompozime në pikturë dhe fotografi, që flasin po aq për thelbin estetik dhe realitetin personal të Blloshmit, sa për kontekstin specifik politik dhe social në të cilën janë krijuar. Duke qëndruar besnike ndaj dëshirës së pafiltruar për të shprehur ndërgjegjësimin për përvojën, Blloshmi i shtyu vazhdimisht kufijtë e stileve mediatike dhe formale duke eksperimentuar me materiale dhe kombinime mediatike për të arritur atë që ajo e quajti "një univers i veçantë i prekshëm".

E vendosur formalisht brenda kufijve të figuracionit, krijimtaria e saj - e informuar fort nga imagjinata dhe transformimi - në thelbin e saj transmeton dhe rezonon një ndjenjë universaliteti dhe kohëzgjatjeje. Pavijoni është konceptuar në mënyrë të tillë që të pasqyrojë universin e prekshëm por njëkohësisht të pakapshëm të Blloshmit dhe hapjen e tij ndaj interpretimeve.

Arkitektura e ekspozitës është krijuar nga arkitektja gjermane Johanna Meyer-Grohbrügge. Regjisori meksikan Tin Dirdamal ka krijuar një film në formën e një dokumentari eksperimental, me synimin për të kapur historinë e jetës, qëndrimin dhe shpirtin e Blloshmit. Nëpërmjet një arkivi virtual të krijuar nga artisti britanik i realitetit virtual Alexander Walmsley, shikuesi do të ketë mundësinë të marrë një pasqyrë të botës personale dhe mjedisit krijues të Blloshmit.

Lumturi Blloshmi ka lindur në vitin 1944 në Tiranë. Babai i Blloshmit, oficer i ushtrisë së Mbretit Zog, u ekzekutua nga komunistët kur Lumturi ishte vetëm dy muajsh. Në moshën pesë vjeçare ajo humbi dëgjimin pas një periudhe meningjiti. Blloshmi u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968. Nga viti 1974 deri në 1985, ajo nuk u lejua të vazhdonte praktikën e saj krijuese për arsye politike dhe ekspozitën e saj të parë personale e bëri në moshën dyzet e katër vjeçare. Deri në vitin 2004, Blloshmi punoi në disa institucione, duke përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Pas kësaj, ajo punoi si artiste e pavarur. Disa nga veprat e saj janë përfshirë në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Punimet e saj janë shfaqur ndër të tjera në ekspozita grupore dhe vetjake në institucione si Muzeu i Artit Chelsea në Nju Jork, Galeria Komunale e Arteve Bydgoszcz Poloni, Bienalen e Aleksandrisë për Vendet e Mesdheut Egjipt, Galeria Kombëtare e Arteve e Shqipërisë, Galeria Kombëtare e Arteve e Kosovës. Lumturi ndërroi jetë më 27 nëntor 2020 si pasojë e një infeksioni me Covid-19.

Adela Demetja është një kuratore e lindur në Tiranë, që jeton dhe punon midis Frankfurtit/Main dhe Tiranës. Ajo ka një diplomë master në "Studime Kuratoriale dhe Kritike" nga Städelschule dhe Universiteti Goethe, Frankfurt/Main, Gjermani. Ajo është drejtoreshë e Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, një institucion i pavarur arti të cilin e themeloi në vitin 2010. Si kuratore e pavarur ka organizuar dhe kuruar ekspozita të shumta ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA. Demetja u miqësua me Blloshmin në vitin 2016 dhe u bë një nga bashkëpunëtorët e saj të ngushtë deri në fund të jetës.

Pavijoni Shqiptar mbështetet nga Ministria Shqiptare e Kulturës, Fondacioni Gwärtler dhe DigitAlb.

E para femër që përfaqëson Shqipërinë në

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore