Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dosjet e korrupsionit/ Zyrtarët publikë jashtë skanerit, pse dështoi struktura Task-Force

Dosjet e korrupsionit/ Zyrtarët publikë jashtë skanerit, pse

Duhen edhe pak më shumë se dy muaj që ky vit të shënojë ikjen kalendarike, duke lënë pas një tjetër dështim të strukturave antikorrupsion. Gjatë vitit 2020 ishte planifikuar të niste për herë të parë në disa degë të administratës publike zbatimi i planeve të integritetit, të cilat konsistonin në skanimin e ndershmërisë së individëve, të cilët punësoheshin në sektorin publik, si parakusht për parandalimin e korrupsionit.

Nisma ishte parashikuar në planin e veprimit 2018-2020, në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit. Ministria e Drejtësisë do të ishte institucioni i parë i pushtetit qendror që do të miratonte një plan integriteti për punonjësit e saj. Plani, i cili u hartua në atë kohë dhe pritej të vihej në zbatim në gjysmën e parë vitit 2020 do të shërbente si model për t’u ndjekur nga ministritë e tjera, për t’u shtrirë më pas në çdo degë të administratës publike.

Krahas Ministrisë së Drejtësisë, edhe bashkitë kryesore në vend nisën lëvizjet dhe takimet për hartimin e planeve të integritetit për zyrtarët e tyre. Nisma financohej nga buxheti i shtetit, qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Suedisë, Italisë, Zvicrës, Programi i OKB-së për Zhvillim etj.

Plani i integritetit parashikon një sërë masash për të parandaluar shkeljet që cenojnë integritetin e zyrtarëve publikë. Më konkretisht, çdo institucion shtetëror do të miratonte dhe publikonte në faqen zyrtare planin e integritetit, ashtu siç kanë miratuar programin e transparencës, gjë që nuk ka ndodhur.

Madje u ngrit edhe një Task-Forcë për këtë qëllim. Në plan do të përfshiheshin informacione mbi reagimet institucionale ndaj sjelljeve morale dhe profesionale të papranueshme të punonjësve publike, informacion mbi pranimin e dhuratave, rastet e korrupsionit, kodi i mirësjelljes, veprimet disiplinore të regjistruara, trajnimet mbi etikën etj.

Ecuria e zbatimit të kësaj nisme do të monitorohej nga Task-Forca Ndërinstitucionale Antikorrupsion, e cila përbëhet nga përfaqësues të kabinetit të kryeministrit, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror si dhe nga drejtori i Departamentit të Burimeve, Transparencës dhe Administrimit në Kryeministri.

Në vitin 2016, Kuvendi miratoi ligjin për sinjalizimin dhe sinjalizuesit, një ligj ky i posaçëm kundër korrupsionit në administratë. Por, 4 vite më vonë, rezultatet e efekteve të zbatimit të këtij ligji nuk janë inkurajuese.

Ndërkaq, në 19 dhjetor të vitit të kaluar ka nisur punën Prokuroria e Posaçme, e cila është projektuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin në të gjitha nivelet. Por, që Prokuroria e Posaçme të jetë plotësisht efektive, duhet të funksionojë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit.

Por, pse u dështua në këtë drejtim. Zyrtarisht thuhet se pandemia ishte një nga arsyet, ndërsa e dyta lidhet sipas tyre me mirëfunksionimin e strukturave të tjera të antikrimit dhe një fuqizim me kapacitete njerëzore të sektorit të krimit ekonomiko-financiar në Policinë e Shtetit.

 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore